UBT

Qeveria e luksit, në kurrizin e taksapaguesve

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Të gjitha garniturat e pushtetarëve tanë të pasluftës po vazhdojnë që të abuzojnë me paratë e buxhetit të shtetit dhe me pushtetin vendin, duke mos u turpëruar fare që madje edhe telefonat e celularëve të markave më të shtrenjta botërore t’i blejnë me këto para të taksapaguesve kosovarë.

Por për qeveritarët tanë nuk është se çojnë peshë që i blejnë këta telefona, ngase atyre nuk u intereson fare në mbarëvajtjen financiare të shtetit. Ky është një ilustrim i babëzisë së pushtetit për ta shfrytëzuar buxhetin e taksapaguesve për sa më tepër luks.

Nga njohësit e kësaj fushe dhe qytetarët drejtohen kritika se si po abuzohet buxheti pandërprerë, ngase këta zyrtarë, madje në shumë raste edhe faturat e tyre private po ua ngarkojnë kodeve buxhetore institucionale, përfshirë edhe shëtitjet poshtë e lart në hotelet ekskluzive në Evropë e Amerikë. Ndërkaq qytetarët mbesin të ngujuar, pa punë, pa liberalizim vizash, pasi që në Kosovë nuk ka një sundim ligji dhe ngase të korruptuarit dhe krimi i organizuar e sundojnë Republikën e Kosovës.

Praktikat abuzive qeveritare të ndalen

Eksperti Blerim Burjani për “Kosova Sot” tha se duhet të ndalen plotësisht blerjet e telefonave celularë me buxhetin e shtetit. “Kjo ka qenë një praktikë nga UNMIK-u dhe është një çështje se asokohe u janë lënë në shërbim laptopët që duhej t’i kishte secila ministri, por jo të veçantë për shërbyesit civilë dhe politikanët tanë, prandaj këto praktika i kanë kushtuar shumë shtetit dhe pa asnjë nevojë fare, ngase është e mjaftueshme që zyrtarët të kenë mbushje telelefonike të limituara, por jo atyre t’u blihen telefonat celularë, vetëm se ka ardhur në një post publik”, u shpreh ai. “Duhet që të ndalet praktika e tillë që është absurde, kurse veç saj edhe automjetet duhet që të jenë në dispozicion vetëm gjatë orarit të punës dhe udhëtimeve tjera zyrtare, por në asnjë variant që automjetet zyrtare të shërbejnë për dasma. Kjo sepse ka pasur dhe ka edhe sot gjëra të tilla të panevojshme, ngase të punosh për qytetarin nuk duhet të jetë për shkak të rrogës së mirë dhe privilegjeve, por për shkak të shërbimeve që dikush duhet t’i kryejë për qytetarët që nga mandatari apo kryeministri , shërbimi civil dhe ai publik”, theksoi Burjani.

Analisti politik, Arsim Haziri, për ” Kosova Sot”, tha se qeverisja ka botëkuptim klientelist.”Kosova është një vend me shoqërinë më të varfër më Evropë dhe me politikanë më të pasur pothuaj në botë”, vlerësoi ai. Sipas Hazirit, të gjitha qeverisjet e pasluftës e kanë keqpërdorur konsiderueshëm buxhetin dhe kjo vërehet në çdo dimension të jetës dhe duke qenë valide kjo logjikë Kosova vetëm sa do të dobësohet ekonomikisht.

ARKATANA

Qytetarët të irrituar nga pushtetarët shpërdorues

Edhe qytetarët tanë janë të zhgënjyer tej mase me shpenzimet enorme të pushtetarëve. Qytetari Ramadan Ferizi tha për ” Kosova Sot” se është turp sepse celularët janë tepër të shtrenjtë, deri në 1 mijë euro. “Andaj këtë praktikë duhet ndërprerë urgjentisht e mos të tolerohen keqpërdorime të parave të qytetarëve dhe taksapaguesve të Kosovës”, theksoi ai.”E keqja është se pushtetarëve tanë nuk po u intereson fare për popullin, por ata brengosen se përderisa të jenë në pushtet vetëm për atë se si të shëtisin me makinat e tyre luksoze nëpër Kosovë dhe Shqipëri, duke përfshirë edhe shëtitjet poshtë e lart në hotelet ekskluzive në Evropë e në Amerikë”, vijoi më tej Ferizi.”Nuk po ka kush t’i ndalë, ngase shumica e pushtetarëve tanë janë të pangopur me luksin. Me veprimet e tyre pushtetarët tanë po tregojnë se janë një ilustrim i pangopësisë që të bëjnë luks me paratë e taksapaguesve, në kohën qytetarët tanë mbesin të ngujuar, pa punë, pa liberalizim vizash”, vlerësoi ai.

Ndërsa qytetari Reshat Salihu, për ‘Kosova Sot”, tha se të blesh sot celular nga 1 mijë euro kësaj i thonë vetëm luks dhe turp e asgjë tjetër. “Po të ndodhnin kësisoj lukse të tilla të pushtetarëve në Perëndim, qytetarët e tyre do të reagonin menjëherë, përmes protestave masive, kurse në Kosovë qytetarët i kanë futur veshët në lesh”, theksoi ai.

Edhe qytetari Gani Vokrri për gazetën “Kosova Sot” thotë se kjo sjellje e tillë e pushtetarëve tanë na tregon se vërtet ata e kanë tepruar me luksin e tyre me të gjitha gjërat që nga telefonat e shtrenjtë të celularëve deri tek keqpërdorimi i makinave luksoze dhe hargjimet enorme të shëtitjeve nëpër botë.”E keqja është se nuk po ka se kush tua ndalë luksin, sepse populli po hesht e nuk po ka kush t’i ndalojë”, theksoi ai. “Kjo është zhgënjyese se çfarë po veprojnë këta pushtetarët tanë të pasluftës, duke e keqpërdorur paranë publike për kënaqësinë e tyre e duke mos menduar fare për skamjen dhe mjerimin e qytetarëve tanë. Aq më tepër kur janë me mijëra familje që jetojnë nga ndihmat sociale, por atyre pushtetarëve tanë nuk po u intereson fare skamja që e ka kapluar popullin e tyre”, u shpreh Vokrri.

(Kosova Sot)