RCCOLA

Qeveria e Kosovës: Serbia shkeli tetë nene të Marrëveshjes Bazike, preambulën e saj dhe një nen të Planit të Zbatimit

/ 2 minuta lexim

Brenda dy javësh, pas dakordimit në Bruksel, Serbia ka shkelur tetë nene të Marrëveshjen Bazike, preambulën e saj dhe një nen të Planit të Zbatimit. Kështu ka shkruar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ku ka postuar një përmbledhje, në gjuhën shqipe, të gjitha shkeljeve të Serbisë.

Kryeziu, ka thënë se këto shkelje kryeministri Kurti i ka prezantuar para ndërmjetësve evropianë në dialog, në takimin e 2 majit në Bruksel.

Zëdhënësi Kryeziu ka publikuar në shqip dokumentin që përmbledh shkeljet e Serbisë, ku renditet fakti që Serbia vazhdon t’i mohojë krimet e luftës dhe kërcënon integritetin territorial të Kosovës.

Po ashtu në dokument Kurti ka thënë se “Serbia kontrollon drejtpërsëdrejti partinë ‘Lista Serbe’ në Kosovë dhe qëndron prapa vendimit për të bojkotuar zgjedhjet më 23 prill në katër komunat veriore”.

Te shkelja e ka përmendur edhe faktin se Serbia vazhdon t’i referohet Kosovës si “Kosovo i Metohija” apo “Prishtina” dhe se “sjelljet e Serbisë minojnë seriozisht marrëdhënie të fqinjësisë së mirë mbi bazën e të drejtave të barabarta”.

UBT

Kurti ka thënë po ashtu se Serbia ende nuk ka lejuar automjete me targa RKS që të hyjnë brenda kufijve të saj dhe s’i ka ndërprerë targat “KM”.

“Serbia ka refuzuar të lejojë qytetarët e Kosovës që të udhëtojnë në dhe përmes territorit të Serbisë me pasaporta RKS, gjë që bie në kontradiktë me nenin 1(1)”, thuhet në një pikë tjetër.

Qeveria ka thënë se Serbia ka shkelur edhe nenin 2 të marrëveshjes që flet për respektim të integritetit territorial e autonomisë.

Ndër pikat që i ka theksuar Qeveria si shkelje nga ana e Serbisë ka qenë votimi kundër pranimit të Kosovës në Këshill të Evropës më 24 prill, përkundër nenit 4 që thotë se “Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”. /Telegrafi/