Qeveria e Kosovës pret drejtësi ndaj Ramush Haradinajt

Prishtinë – Qeveria e Republikës së Kosovës është duke përcjellë me vëmendje të veçantë procesin në Tribunalin e Hagës ndaj ish-komandantit të Zonës Operative të UÇK-së të Dukagjinit, Ramush Harandinaj dhe bashkëluftëtarëve të tij, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj, thuhet në një komunikatë për medie të Qeverisë së Kosovës.
Qeveria dhe të gjitha institucionet e vendit kanë respektuar çdo bashkëpunim me Tribunalin e Hagës dhe në këtë kuadër Republika e Kosovës është shembull i mirë i bashkëpunimit me drejtësinë ndërkombëtare.
Nëp komunikatë rikujtohet se Qeveria dhe populli i Kosovës gjithmonë kanë besuar në drejtësinë ndërkombëtare dhe në luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Qeveria rithekson se drejtësia duhet të jetë e pavarur, e paanshme dhe profesionale, dhe të mos ndikohet nga askush, e as nga politika. Ajo shton se deklaratat e zyrtarëve të lartë institucionalë të Serbisë janë tendencë për të ndikuar në vendimin e Tribunalit të Hagës për rastin e z.Haradinaj.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka qenë e kujdesshme në deklarimet lidhur me proceset gjyqësore në Hagë dhe kërkon që edhe autoritetet e Serbisë dhe të tjerët të jenë të përmbajtur dhe të mos tentojnë të ndikojnë në vendimet gjyqësore.
Në fund të komunikatë ripërsëritet se Qeveria e Republikës së Kosovës beson se Tribunali i Hagës do të marrë vendim të drejtë dhe të pandikuar.