RCCOLA

Qeveria “djeg” janarin për rrëzimin e murit

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Institucionet e Republikës së Kosovës po e lënë me të shpejtë në harresë Rezolutën e Kuvendit për rrënimin e murit ndarës në veri të Mitrovicës, e cila rezolutë e obligon Qeverinë që këtë veprim ta bëjë gjatë muajit janar.

“HARROHET” REZOLUTA E KUVENDIT TË KOSOVËS

“S’ka çka të flitet për mur në Bruksel, ai mur duhet rrënuar, është caktuar një afat deri më 31 janar nga institucionet e Kosovës dhe pa marrë parasysh dialogun, duhet ta rrënojnë murin, dhe kuptohet që pas rrënimit të murit dialogu duhet të vazhdojë”, u shpreh analisti Blerim Burjani

Ibrahimi: Nëse ky mur nuk rrëzohet, sipas rezolutës, atëherë kjo Qeveri humb legjitimitetin

Institucionet e Republikës së Kosovës po e lënë me të shpejtë në harresë Rezolutën e Kuvendit për rrënimin e murit ndarës në veri të Mitrovicës, e cila rezolutë e obligon Qeverinë që këtë veprim ta bëjë gjatë muajit janar. Tani duke u deklaruar që një mundësi e tillë veprimi mbetet në afatizimin e ri, pa e pyetur fare Kuvendin, përgjatë muajit shkurt, analistët politikë dhe njohësit e së drejtës konsiderojnë se kjo është një lojë e rrezikshme me injorimin e Rezolutës së Kuvendit, dhe ka për prapaskenë bërjen e murit në veri të Mitrovicës pjesë të dialogut me palën serbe në bisedimet e Brukselit. Një projekt i tillë mund të jetë kurdisur si “Kali i Trojës” për faktin se jo vetëm kjo rezolutë e fundit, pot edhe shumë të tjera para saj nuk janë përfillur nga Qeveria e Kosovës. “Qeveria e vendit tonë, nëse nuk është e dalluar për punë e aktivitete afirmative të theksuara, ndër të tjera, është e njohur për neglizhimin e rezolutave të Kuvendit, i cili të njëjtën e zgjedh dhe po ashtu mund ta shkarkojë! Nuk është vetëm rezoluta referuar imperativit dhe terminit të rrënimit të murit ndarës të qytetit të Mitrovicës, por janë edhe disa të tjera, të cilat Qeveria deri sot i ka neglizhuar. Në anën tjetër edhe Kuvendi e manifeston dobësinë e vet që nga Qeveria asnjëherë deri sot nuk kërkoi përgjegjësi politike për neglizhimin e akteve të legjislativit, të detyrueshme për të – Qeverinë!”, theksoi profesor Riza Smaka për “Kosova Sot”. Ai ka pohuar se sikur me këtë rezolutë për murin po veprohet edhe me rezolutën për kufijtë e shtetit të Kosovës. “Edhe Komisioni i vendit tonë për Demarkacion ishte i obliguar për të përfillur rezolutën e Kuvendit, por të njëjtën e neglizhoi, e Qeveria në vend që të ndërmarrë masa kundër komisionit të tillë, të njëjtin e përkrah, madje fuqishëm edhe pse linja kufitare e propozuar nga ato institucione është në dëm të integritetit territorial dhe nuk përfillë delimitacionin historik nga viti 1945”, theksoi profesor Riza Smaka, shkruan gazeta Kosova Sot.

Uji Dea

Burjani: Muri, cirku i dialogut

Analisti politik, Blerim Burjani, pohon se muri është vetë cirku i këtij dialogu, ngase gjithë kohën e negociatave, që gjashtë vjet, para se të vijë fundi shpesh ka ndodhur që dialogu të kthehet në fazën fillestare, dhe kjo është loja qesharake serbe që bën me Brukselin, me BE-në SHBA dhe Kosovën. Por, njëkohësisht një përgjegjësi për lejimin e lojës së tillë e kanë dhe ndërkombëtarët, që janë pjesë e ndërmjetësimit në bisedime. “Muri është një turp dhe një cirk, që vetëm perëndimi e toleron, nuk e kemi të qartë për çka të lejohet cirku dhe rezistenca e vazhdueshme serbe përballë normalizimit, por përherë veprohet njëjtë. Loja politike serbe është herë e relaksuar, e herë e tensionuar, gjë që në vazhdimësi është praktikuar kjo politikë nga Serbia, por akoma s’ka pasur qëndrim të qartë as nga BE-ja dhe nga SHBA-ja që t’i thonë jo përfundimisht, dhe të marrin masa ndëshkimi për Serbinë”, theksoi Blerim Burjani.

Ai thotë se edhe tani nëse insistohet që tema e murit të bëhet pjesë e vazhdimit të dialogut, kjo nuk duhet të pranohet, sepse hyhet në një proces të rrezikshëm, rrugë pa krye. “S’ka çka të flitet për mur në Bruksel, ai mur duhet rrënuar, është caktuar një afat deri më 31 janar nga institucionet e Kosovës dhe pa marrë parasysh dialogun duhet ta rrënojnë murin, dhe kuptohet që pas rrënimit të murit dialogu duhet të vazhdojë”, u shpreh Burjani për “Kosova Sot”.

Analisti Arsim Haziri thekson se sa i përket rezolutës së miratuar nga Kuvendi për çështjen e murit në Mitrovicë, ajo çështje është vetëm formale dhe e cila pavarësisht fuqizimit nuk do të arrijë të kryejë misionin për të cilin edhe ishte nxjerrë, sepseumë shumë është bërë vetëm sa për sy e faqe. “Ajo rezolutë më shumë ka qenë sa për t’i dhënë përshtypje opinion kosovar se janë institucionet, të cilat do ta ruajnë sovranitetin e vendit në çdo skaj dhe jo provokimet dhe tendencat serbe. Rezoluta parlamentare është rezolutë, e cila nuk do të kryejë obligimin për të cilin edhe ishte prodhuar, mbase vetë kemi ata që kanë qenë iniciatorë për krijimin e një akti të tillë dhe tashmë pranojnë të jenë pjesë e rangut tjetër dialogues, pra nivel presidentesh. Institucionet kosovare pavarësisht ndalesës që realizuan përmes forcave policore, ende mbajnë epitetin e përgjithshëm qytetarë, si institucione, të cilat pranojnë të shkelët sovraniteti dhe integriteti, si dhe mbi të gjitha lejojnë ndërtimin e një muri, i cili më shumë gjasë sot do të jetë subjekt i diskutimin ndërkombë- tar. Me liderët aktualë, vështirë është të krijohet dozë besimi, pasi janë të njëjtën ata që tolerojnë Serbinë në Kosovë, dhe janë të njëjtët që kinse përpiqen t’i japin zgjidhje vendit”, është shprehur ai. Haziri shpreh dyshimin se muri në Mitrovicë është ngritur me presionin dhe pretendimet serbe, dhe nga kjo gjendje e tensionuar është parë edhe si e domosdoshme që kjo temë të kalojë në nivele trepalëshe të bisedimeve vijuese në Bruksel./kosova sot/