Qeveria dhe KEK-u e kanë pasur obligim ligjor parandalimin e shtrenjtimit të rrymës

Qeveria e Kosovës ka mundur të parandalonte shtrenjtimin e energjisë elektrike për 5.18 për qind, që u bë duke u thirrur në krizën e shkaktuar nga shpërthimi në termocentralin “Kosova A”.
Qeveria bashkë me Korporatën Energjetike të Kosovës, pas shpërthimit, kanë pasur obligim ligjor për import të energjisë elektrike, që do të mund të mbulohej më vonë edhe nga subvencionet. Importimi i energjisë nga KEK-u dhe subvencionimi i kostos së saj nuk do ta ngarkonin qytetarin me pasojat e një shpërthimi, shkaku i të cilit nuk dihet ende zyrtarisht.
Bazuar në Ligjin për energji elektrike, KEK-u është i obliguar të importojë rrymë në rast të mungesës së prodhimit vendor, madje edhe në rastet kur importi i saj nuk është përfshirë në tarifat e energjisë elektrike. E bazuar edhe në këtë ligj, KEK-u është i licencuar nga ZRRE-ja për eksportimin dhe importimin e energjisë elektrike. /Koha Ditore/