UBT

Qeveria bllokon gjykatën e tenderëve

/ 5 minuta lexim

Mbi 100 lëndë po presin për t’u shqyrtuar në zyrat e Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik (OSHP), të grumbulluara prej 31 korrikut deri më tani.

Kjo për shkak se anëtarëve dhe kryetarit të bordit të OSHP-së u ka përfunduar mandati dhe si i tillë ky Organ ka mbetur jofunksional që një muaj e gjysmë, në sajë të neglizhencës së Qeverisë së Kosovës, e cila ende nuk ka dorëzuar në Kuvend propozimin me emra të rinj të anëtarëve të rinj. Deputetët dhe analistët kritikojnë Qeverinë saktësisht kryeministrin se me qëllim po zvarrit këtë procedurë, dhe dyshimet e tyre janë se këtu ka qëllime politike siç po ndodh me çdo bord të institucioneve publike.

Duke pasur parasysh rolin e rëndësishëm të OSHP-së si institucion i cili në bazë të Ligjit për Prokurim ka kompetenca dhe përgjegjësi që të shqyrtojë dhe të vendosë për lëndët e ankesave për sa u përket procedurave të prokurimit publik, ka një muaj e gjysmë që ky organ nuk po mund të marrë vendime, ndërsa ankesat që po merr janë të shumta.

Ardian Behra, kryesues i sekretariatit në OSHP, bëri të ditur për “Zërin”, se nga 31 korriku kur ka përfunduar mandati i anëtarëve të bordit dhe kryetarit, deri më tani ata kanë pranuar mbi 100 ankesa. “Janë mbi 100 ankesa që kemi pranuar përgjatë kësaj periudhe kohore, por ligjërisht nuk lejohet shqyrtimi i tyre, për shkak se bordit i ka përfunduar mandati 5-vjeçar më 31 korrik”, tha Behra. Në bazë të Ligjit për Prokurim Publik, OSHP përbëhet nga 5 anëtarë, të cilët propozohen nga Qeveria e Kosovës dhe më pas miratohen nga Kuvendi i Kosovës për një mandat 5-vjeçar.

Kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, menjëherë pas përfundimit të mandatit të bordit të OSHP-së, ka kërkuar nga kryeministria që të bëjë gati listën e emrave të rinj, për çka tregojnë edhe vetë zyrtarët nga kryeministria. Fitim Krasniqi, sekretar në zyrën e kryeministrit Thaçi tha se kryeparlamentari Krasniqi ka bërë kërkesë në fund të korrikut dhe se ai këtë kërkesë e ka proceduar në zyrë të kryeministrit.

“Unë menjëherë kërkesën e kam dorëzuar në zyrë të kryeministrit i cili edhe është përgjegjës për të bërë emërimin e anëtarëve të rinj të bordit të OSHP-së, e po ashtu është përgjegjësi e tij që të tregojë edhe pse është vonuar”, tha Krasniqi. Ai megjithatë shtoi se kërkesa për emërimin e anëtarëve të rinj është bërë mu në prag të pushimeve vjetore, sidoqoftë ai paralajmëron se ka mundësi që të mërkurën (nesër) kryeministri të bëjë gati emrat e propozuar. “Ka mundësi që të mërkurën Kuvendit t’i dorëzohet lista”, tha Krasniqi.

Fidanishtja

Nga ana tjetër, deputetët e Kosovës, vlerësojnë se kjo vonesë nga ana e kryeministrit është tendencioze dhe e rrezikshme.
Arben Gashi, nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), thotë se kemi të bëjmë me mungesë të vullnetit politik për të administruar ankesat e palëve në aspektin e prokurimit. “E kjo është e qëllimshme dhe e rrezikshme për shkak se Qeveria po keqpërdor mundësinë që të bëjë përzgjedhje politike në emërimin e anëtarëve të rinj të bordit të OSHP-së”, tha Gashi. Ndërsa për Muhamet Sadikun, vonesat në emërimin e anëtarëve të bordeve të institucioneve e ndërmarrje publike, janë bërë rutinë në Kosovë.

“Shikoni edhe bordet tjera, të gjithave u ka kaluar mandati tash e dy vite, si në PTK, KEK, e tani edhe në OSHP. Ajo që po bën kjo Qeveri është se po pret fundin e mandatit të vet kësaj Qeverie, në mënyrë që para se të shkojë të instalojë njerëzit e vet, kështu edhe për 4 vitet e ardhshme të ketë nën kontroll këto institucione publike”, tha Sadiku.

Është zvarritje e qëllimshme me prapavijë politike, jo ligjore dhe që shkel vetë Kushtetutën e vendit, shtoi Sadiku.
Ndryshe, para dy dite, ishte edhe lëvizja “Fol”, e cila përmes një reagimi theksoi se Qeveria po neglizhon afatet ligjore në propozimin e anëtarëve të OSHP-së.

Sipas tyre, në këtë periudhë kur OSHP është jofunksionale, zhvillimi i procedurave të prokurimit dhe nënshkrimi i kontratave nga ana e institucioneve po vazhdon, pavarësisht se operatorët ekonomikë nuk mund të ushtrojnë të drejtën e tyre ligjore për t’u ankuar për çështje të caktuara.

”Kjo situatë e krijuar mund të ketë pasojë dëmtimin e rëndë të parasë publike dhe konkurrencës së drejtë mes operatorëve ekonomikë”, thuhet në reagimin e tyre./zeri/