Eko Higjiena

Qetësia e Hashim Thaçit

/ 6 minuta lexim
ARKATANA

Nga Arbana Xharra – Nuk është e pavërejtshme për ata që e njohin gjatë në skenën politike. Qetësia e tij, relaksi në gjithë këtë shpërthim të opozitës është sinjal i mjaftueshëm.

Pak vëmendje ndaj tij në “seancën e vezëve” dhe është e qartë se Hashim Thaçi ka gjithmonë planin rezervë, kalkulimet dhe planifikimet e hershme… Qeshte me opozitën, derisa u tremb nga veza kur e kapi papritmas. Nga reagimi i tij në video-incizimet e ngadalësuara, ftyra e tij fliste mjaftueshëm “si ka mundësi mua?” për t’ju rikthyer humorit, sapo u vërtetua se veza e kishte qëlluar rastësisht.

Hashim Thaçi i njeh shumë mirë liderët opozitarë, sepse pos “Vetëvendosjes” të gjithë të tjerët i kanë kaluar nëpër duar. Secila nga partitë e opozitës kanë rënë në gracka historike të Thaçit. I ka djegur duke iu dhënë goditje pikërisht në euforitë e tyre iluzioniste, sepse ua njeh dëshirat. Siç ndodhi me Bllokun, ku s’ishte i vetëm Isa Mustafa që negocioi, në dispozicion me vardisje kryekëmbë për të disatën herë kishte edhe Ramush Haradinajn.

Ai e di shumë mirë se edhe kësaj here bllokada e opozitës nuk ka të bëjë as me Asociacionin dhe as me Demarkacionin, sepse këto dy tema nuk zhbëhen, ato janë nisur nga vetë ai, për t’u nënshkruar nga dora e Isa Mustafës dhe ka marrë fund. Sepse do të nënshkruheshin edhe nga AAK-ja dhe “Nisma” sikur të ishin në pushtet. (Këto janë thjesht forma populliste që ndezin në Kosovë, sepse hajnia e krimi i organizuar nuk nxjerrin qytetarët në rrugë, Serbia po!) Thaçi e di me shumë siguri se krejt çfarë opozita po kërkon është ta rrëzojë Qeverinë për të ardhur vetë në pushtet. Paralajmërohet protesta, mblidhen mbi 150 mijë nënshkrime me peticion dhe prapë Hashim Thaçi reflekton komoditet. Jo pse ai nuk ia ka frikën protestave, por e di se derisa ato organizohen edhe nga Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj fitues në fund të ditës do të jetë vetë Hashim Thaçi.

Mund të duket paradoksale po aq edhe hipotetike, por Thaçi kishte një plan dhe për mrekulli është duke i funksionuar. LDK-ja, si partia e dytë, me mundësi reformimi (që vetë Isa Mustafa e pengoi), kishte momentumin që t’ia kapte lojën Thaçit nga duart. Partitë e krahut të luftës do të preken nga Gjykata Speciale dhe ishte LDK-ja e vetmja parti që mund të rikthente krejtësisht në favor të saj skenën politike. Thaçi duke e ditur këtë mundësi për LDK-në, e vetmja parti që mund ta nxjerrë nga loja, në kohën e Bllokut mund të zgjidhte edhe Haradinajn, por jo, kësaj radhe i duhej Isa Mustafa.

Sepse PDK-në vetëm kjo parti aktualisht e rrezikonte. Gjithçka kishte nisur vetë dhe me plan perfekt i la në dorë kryeministrit të ri për t’i nënshkruar. Duke i parashikuar pasojat nga të cilat Isa Mustafa pësoi debakël politikisht. Thaçi premtoi edhe rritjen e pagave, taktika e tij për të rritur votuesit, por duke e ditur se FMN-ja dhe Banka Botërore nuk do ta lejojnë Isa Mustafën të marrë një vendim të tillë. Shuplaka e parë kjo për kryeministrin e ri. Pastaj secila protestë e organizuar kundër Qeverisë ishte poenë përfitues për Thaçin. “E shihni, Isa Mustafës i del gjithçka nga kontrolli…”.

KKVITI

Kryeministrin e ri e dogji për votuesit potencialë fillimisht me mosngritje të pagave, kurse te ndërkombëtarët reflekton një politikan pa autoritet që lehtësisht mund t’i dalë situata nga duart dhe të destabilizohet vendi. Në ndërkohë opozita me apo pavetëdije po realizon në mënyrë perfekte planin e Thaçit. Sulmojnë Isa Mustafën, shkaku i tij bllokohet Kuvendi… sa zgjat kjo situatë, çdo ditë e më tepër i konvenon strategjisë

së Thaçit për të parë se cilat i ka mundësitë për t’u bërë president. Edhe nëse bëhet, lëshohet një vend për një zëvendëskryeministër e që kandidat potencial nga opozita ka mjaftueshëm.

Nëse jo, atij më shumë se kujtdo tjetër i konvenojnë zgjedhjet. LDK-ja i ka larë duart, pensionimin ia siguroi vetë Hashim Thaçi Isa Mustafës. Secili zhvillim politik do të jetë një Dejavu për Thaçin. Ai e di shumë mirë në secilën rrethanë kush prej liderëve të partive opozitare, përveç LVV-së, do t’i afrohen me përulje për bashkëqeverisje, madje njeh edhe taktikat e tyre serviluese. “Nisma” s’është as për t’u diskutuar. Fatmir Limaj është me një këmbë në PDK, derisa AAK-ja sa ta ketë Ramush Haradinajn në krye të saj, i cili nuk ka më asgjë për të humbur, është karta më e lehtë që mund të kapet nga Thaçi.

Në fund të fundit, vetë Haradinaj na e ka dëshmuar se si humbi nga fama e tij me vardisjen qesharake ndaj Thaçit! Pastaj është plotësisht i vetëdijshëm se edhe në opozitë nuk është aspak faktor i rëndësishëm politik në raport me “Vetëvendosjen”.

Kështu që, secili kalkulim politik iRamush Haradinajt e çon atë në krahët e Hashim Thaçit. Pastaj, tash 15 muaj kush u mor me Thaçin, pos me Isa Mustafën. E pse të mos “modelojë” zëvendëskryeministri nëpër rrugët e New Yorkut e të aktrojë në aeroplan “gjoja se po i kursen paratë e shtetit me biletë ekonomike”, kur gjithë çka është punuar deri më tash ka shkuar “ujë në mullirin” e Hashim Thaçit.