Uji Dea

Qerimi – Dorëheqje, ose do të shkarkohet

/ 9 minuta lexim
Hidromorava

Nuhi Ahmeti, anëtar i Bordit të PTK-së, tha se Ejup Qerimi duhet të japë vetë dorëheqje morale, pas vendimit të gjykatës, që e shpalli fajtor për mosshmangie të konfliktit të interesit. Pasi vendimi të bëhet i plotfuqishëm, bordi obligohet ta shkarkojë Qerimin. Sipas Hasan Pretenit, mbetet te “presioni i publikut” që vendimi të ekzekutohet.

Gjykata Komunale për Kundërvajtje në Prishtinë e ka dënuar me 2000 euro gjobë drejtorin e PTK-së, Ejup Qerimi, pasi e gjeti fajtor për mosshmangien e konfliktit të interesit, përkundër shumë vërejtjeve të cilat ia kishte bërë Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK).

Gjykata, po ashtu ka marrë, si masë tjetër ndalimin e ushtrimit të funksionit publik në kohëzgjatje prej 3 muajsh, nga dita kur ky aktvendim bëhet i plotfuqishëm.

Sipas ligjit, kjo nënkupton ndalimin e ushtrimit të dy funksioneve publike që Qerimi është duke i mbajtur aktualisht, pra si kryeshef Ekzekutiv i PTK-së dhe anëtar i Bordit të Trustit të Kursimeve Pensionale. Në aktvendimin e gjykatës thuhet se ekzekutimin e kësaj mase do ta bëjnë organet të cilat e kanë zgjedhur, gjegjësisht Bordi i PTK-së dhe Kuvendi i Kosovës.

Një anëtar i Bordit Udhëheqës të PTK-së i tha Gazetës Jeta në Kosovë se Bordi nuk ka ndërmarrë ende kurrfarë mase ndaj kryeshefit Qerimi, pasi vendimi i gjykatës nuk është ende i plotfuqishëm.

“Duhet te pritet faza 8-ditore e ankesës. Nëse ankesa e tij refuzohet si e pabazë, atëherë Bordi obligohet ta shkarkojë”, tha Nuhi Ahmeti, anëtar i Bordit të PTK-së.

Por, ai e këshillon Ejup Qerimin se duhet të japë vetë dorëheqje “morale”, pas këtij vendimi. “Ai është dashur ta bëjë këtë qysh në kohën kur Anti Korrupsioni, një agjenci e themeluar nga Kuvendi, ka konstatuar se ai është në konflikt interesi”, theksoi Ahmeti.

Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) e ka mirëpritur aktvendimin e Gjykatës Komunale për Kundërvajtje në Prishtinë, duke e vlerësuar “real” arsyetimi i vendimit që është bërë nga gjyqtari Murat Paçarada është real.

Shefi i kësaj agjencie, Hasan Preteni, i tha Gazetës JnK se gjendjen e konfliktit të interesit e ka “gjykuar” AKK-ja, por tani gjykata ka marrë masë për mosrespektim procedurash. “Masa tjetër është edhe moslejimi i ushtrimit te detyrës për tre muaj”.

Preteni thekson se konflikti i interesit nuk është vepër penale, por vepër me karakter parandalues.

“Ka lidhje me etikën dhe moralin… Është e pamoralshme dhe joetike që një zyrtar të qëndrojë në dy pozicione dhe të marrë dy paga nga i njëjti buxhet”, u shpreh ai.

Por sipas Pretenit, meqë ky zyrtar nuk po bindet që të dorëhiqet, nuk po bindet as Bordi i cili ka për obligim që ta shkarkojë, mbetet te “presioni i publikut” që vendimi të ekzekutohet.

Gjykata Komunale për Kundërvajtje në Prishtinë, me gjyqtar Murat Paçaradën, më 15 tetor ka vendosur në procedurën kundërvajtëse kundër të pandehurit Ejup Muharrem Qerimi, me vendbanim në Fushë-Kosovë, për shkak me kundërvajtjes nga neni 16, paragrafi 1, i sanksionuar me nenin 20, paragrafi 1.1, të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, e në bazë te nenit, 73,74, 195,199 të Ligjit mbi Kundërvajtjet.

Në aktvendim thuhet se i pandehuri Ejup Qerimi, i lindur më 27 janar 1961, në fshatin Zhegër të Gjilanit, është përgjegjës se nga data 24 shkurt 2012, kur është zgjedhur në funksionin e kryeshefit Ekzekutiv të PTK-së, është gjendur në pozitën e konfliktit te interesit, ngase i njëjti ishte duke e ushtruar funksionin e anëtarit të Bordit Udhëheqës të Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, nga 16 qershori i vitit të kaluar.

“Ushtrimi i këtyre dy funksioneve pub1ike, në organizatat fitimprurëse siç është PTK-ja dhe organizata jofitimprurëse siç është Trusti i Kursimeve Pensionale të Kosovës, si menaxhues apo anëtar i organit menaxhues e kanë vënë të pandehurin në situatë të konfliktit të interesit”, thuhet në aktvendim.

Qerimi është dënuar me gjobë në të holla në shumë prej 2.000 euro, të cilën gjobë obligohet ta paguaj në afat prej 15 ditësh, pasi që ky aktvendim të marrë formën e prerë, në dobi të të hyrave gjyqësore të Kosovës. Nëse gjoba nuk paguhet në afatin e dhënë, ajo do t’i zëvendësohet me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

Konform nenit 20.2 të Ligjit mbi Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, Qerimit i është shqiptuar si “masë mbrojtëse” dhe ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në kohëzgjatje prej 3 muajsh, nga dita kur ky aktvendim bëhet i plotëfuqishëm.

Mobi Casa

“Ekzekutimin e kësaj mase do ta bëjnë organet të cilat e kanë zgjedhur te pandehurin në pozitat e lartëcekura, gjegjësisht Bordi Udhëheqës i PTK-së dhe Kuvendi i Kosovës”, thuhet mes tjerash në aktvendim.

Gazeta Jeta në Kosovë, në korrik të këtij viti, kishte ngritur çështjen e konfliktit të interesit në rstin e Ejup Qerimit, ndërsa ushtron dy poste publike. Më pas, më 7 gusht, Agjencia Kundër Korrupsionit kishte parashtruar kërkesë për procedurë kundërvajtëse kundër të pandehurit Qerimi.

Në seancën e mbajtur më 8 tetor, Qerimi në mbrojtjen e tij kishte deklaruar se nuk gjendet në konflikt interesi, porse Agjencia Kundër Korrupsionit e ka keqinterpretuar Ligjin mbi Parandalimin e Konfliktit të Interesit.

“Në nenin 1, ku ligj thotë: Qëllimi i këtij ligji është Parandalimi i Konfliktit të Interesit ndërmjet interesit publik dhe atij privat të zyrtarëve të lartë, kështu që ne rastin tim nuk ka interes privat ne ushtrimin e këtyre dy funksioneve, sepse të dy këto funksione janë publike, ashtu që unë nuk kam asnjë interes privat timin”, ka thënë Ejup Qerimi.

“Si Anëtar i Bordit të Drejtorëve të Trustit Pensional… jam zgjedhur me konkurs publik dhe jam nominuar nga Aleanca Kosovare e Biznesit, nga Shoqata për Teknologji Informative dhe Komunikacion, si dhe Oda Ekonomike e Kosovës. Në këtë funksion jam zgjedhur si përfaqësues Profesional i Punëdhënësve të Kosovës në bazë të funksionit që kam pasur ne organizatat e Lartcekura”, ka vazhduar Qerimi.

Kurse avokati i të pandehurit, Elmi Qerimi, ka thënë se nuk është vetëm Agjencia Kundër Korrupsionit, por ka edhe nivele të tjera dhe struktura të tjera përgjegjëse për zbatimin e ligjit që ka të bëjë me parandalimin e konfliktit të interesit.

“Sa i përket postit te dytë, kryeshef Ekzekutiv i PTK-së, mbikëqyrjen e zbatimit te ligjit e bënë Bordi i Drejtorëve të PTK-së, i cili kujdeset për çfarëdo konflikti te interesit në mes përgjegjësisë së të pandehurit si kryeshef Ekzekutiv i PTK-së dhe interesit personal… Në opinionet legale të marra nga ky bord me datën 30 gusht 2012, e të plotësuar më l7 shtator 2012, ku është konstatuar se i pandehuri si kryeshef Ekzekutiv i PTK-së nuk gjendet në pozitë të konfliktit të interesit në asnjë situate dhe se Agjencia Kundër Korrupsionit nuk ka prezantuar kurrfarë fakti me të cilin dëshmohet se i pandehuri është në konflikt interesi”, ka deklaruar avokati Qerimi.

Sidoqoftë pas shtjellimit të të gjitha provave, gjyqtari Paçarada ka thënë se ka fituar bindjen se i pandehuri ka kryer kundërvajtjen me të cilën ngarkohet dhe se duhet të përgjigjet për kundërvajtjen e përshkruar si në dispozitiv.

Gjyqtari gjeti se i pandehuri nga data 16 qershor 2011, në bazë te konkursit publik është zgjedhur anëtar i Bordit të Drejtorëve në Trust… Nga data 24 shkurt 2012, prapë në bazë te konkursit publik, Qerimi zgjidhet në postin e Kryeshefit të PTK-së.

Këto dy organizata, ku i pandehuri ushtron detyra menaxheriale e kanë subjektivitetin e plotë aktiv dhe pasiv në qarkullimin juridik. Të dyja këto pozita janë të karakterit menaxherial, ku urdhrat dhe vendimet e tyre janë të karakterit obligativ për punëmarrësit dhe asetet e tyre, ka konkluduar gjykata.

“Kjo punë, pra, nuk është punë honorari apo punë e kohëpaskohëshme, sepse edhe shpërblimi për kryerjen e këtyre punëve bëhet çdo muaj, i cili shpërblim (pagë) e tejkalon disa here pagën mesatare mujore të të punësuarve në vend, në të dyja këto subjekte ku i pandehuri kryen këto funksione menaxheriale”, thuhet në aktvendim.

Gjykata ka theksuar se në nenin 16.1, të Ligjit mbi Parandalimin e Konfliktit të Interesit në të cilin thuhet se një zyrtar i lartë publik nuk mund të jetë menaxhues ose anëtar i organeve menaxhuese në organizata fitimprurëse dhe jo fitimprurëse, përjashtuar subjektet politike, si dhe rastet kur një funksion i tillë i dedikohet për shkak të funksionit.

“Bazuar në dispozitat e këtij neni të cituar me lart del se i pandehuri është menaxhues i një organizate fitimprurëse siç është PTK-ja dhe organizatës jofitimprurëse siç është Trusti i Kursimeve Pensionale të Kosovës. Pra, sipas nenit 16.1, i pandehuri nuk është përfaqësues apo i deleguar nga ndonjë subjekt politik, në këto dy organizata në të cilat tash i pandehuri e ka postin e menaxherit, si kryeshef Ekzekutiv i PTK-së dhe anëtar i Bordit Menaxhues në Trustin e Kursimeve Pensionale të Kosovës”.

Gazeta ka provuar të kontaktojë me Ejup Qerimin, por ai nuk e ka hapur telefonin, disa herë, as të mërkurën dhe as të enjten.

Nga puna që bën në PTK, Qerimi merr pagë vjetore prej 50 mijë eurosh, kurse për angazhimin e tij në Trust ai kompensohet me 15 mijë euro. Kështu, gjithsej 65 mijë euro janë të hyrat vjetore të këtij zyrtari nga puna që bën në këto dy institucione publike. Këto të dhëna i ka deklaruar vetë Qerimi, në formularët e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Qerimi, i cili në periudhën 2002-2007 ka qenë deputetë i PDK-së në Asamblenë Komunale të Gjilanit, po ashtu figuron si një nga pronarët e një biznesi dhe aksionar në një tjetër biznes.

Sipas regjistrave të Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK), në “Kosova Card” SH.A., që merret me çështje bankare, ai figuron si bashkëpronar, kurse, në kompaninë tjetër, “Kosova Batteries” SH.P.K., që merret kryesisht me tregtim të pajisjeve elektrike, Qerimi ka deklaruar se ka 33 për qind të aksioneve.