Qentë endacakë po terrorizojnë qytetarët, Komuna vazhdon të heshtë përballë rrezikut real
Gjilan – Dalja në qendër të qytetit, që duhet të jetë hapësirë relaksi, sigurie dhe jete urbane, po shndërrohet çdo ditë e më shumë në një përvojë frike dhe pasigurie. Në vend të shëtitjes së qetë, qytetarët përballen me grupe qensh endacakë, të cilët jo vetëm që krijojnë ankth, por paraqesin rrezik serioz për shëndetin dhe jetën e kalimtarëve.
Pamjet e qenve që vrapojnë pas fëmijëve, të moshuarve apo grave janë bërë tashmë pjesë e përditshmërisë së qytetit.
Qytetarët shprehen të frikësuar dhe luten që të mos ndodhë më e keqja, ndërkohë që rastet e sulmeve po shtohen nga dita në ditë. Fëmijë, punëtorë, nxënës e qytetarë të rastit janë të ekspozuar ndaj një rreziku që mund të ketë pasoja fatale.
Sot, realisht, qendra e Gjilanit po humb funksionin e saj si hapësirë publike e sigurt dhe po shndërrohet në një zonë të pasigurisë urbane, pasojë direkte e neglizhencës institucionale dhe mungesës së përgjegjësisë nga ana e pushtetit lokal. Heshtja e komunës përballë këtij problemi nuk është më thjesht dështim administrativ, por shpërfillje e hapur e sigurisë së qytetarëve.
Haliti, një qytetar i Gjilanit që e frekuenton çdo ditë qendrën e qytetit, i drejton një mesazh të drejtpërdrejtë kryetarit të komunës, Alban Hyseni:
“Ju mund të shëtitni e të bëni sefa jashtë vendit, por nëse diçka i ndodh fëmijës tim rrugës për në shkollë, përgjegjësinë e parë do ta kërkoj nga ju. Kjo arrogancë dhe kjo heshtje janë të papranueshme,” shprehet ai me zemërim.
Qytetarët theksojnë se askush nuk është kundër qenve, pasi edhe ata janë krijesa të gjalla. Megjithatë, mungesa e kontrollit, e menaxhimit institucional dhe e mirëmbajtjes së tyre po i kthen ata në rrezik publik. Detyra për trajtimin e këtij problemi nuk është e individëve, por e institucioneve përgjegjëse.
Edhe Sylejmani, një tjetër qytetar, shprehet edhe më ashpër ndaj qeverisjes komunale, duke ndarë një përvojë tronditëse:
“Kjo qeverisje, tash e katër vjet, nuk është kujdesur për qytetarin e vet. Kam ndalur me sytë e mi një tragjedi të sigurt, kur një fëmijë 9-vjeçar ishte rrethuar dhe kafshuar nga qentë. Lutem çdo ditë që të mos ndodhë më e keqja, sepse pasojat mund të jenë fatale.”
Problemi i qenve endacakë nuk është çështje politike, por çështje sigurie publike dhe përgjegjësie njerëzore.
Çdo vonesë në reagim rrit rrezikun dhe zhvendos fajin drejtpërdrejt te institucionet që kanë detyrimin ligjor dhe moral të veprojnë.
Heshtja nuk është zgjidhje. Veprimi është urgjent. Qytetarët presin përgjegjësi, jo justifikime./rajonipress/


