UBT

Qentë endacakë në oborrin e Qeverisë! Dhe bishti i “teslicës”

/ 5 minuta lexim
ARKATANA

Nga Ardian Gjini – Pak njerëz hyjnë në oborrin e ndërtesës kryesore të Qeverisë. Nga të “rëndomtit” fare pak madje. Përpos ngasësve të makinave zyrtare, punonjësve të administratës dhe policëve të Kosovës që e ruajnë objektin. Ata që hyjnë çdo ditë, disa herë në ditë në fakt, janë kryeministri, zëvendësit e tij, ministrat dhe këshilltarët e tyre. Edhe deputetët nganjëherë, kur i bien trup udhës për të kursyer kohë.

Për këtë arsye e kam të qartë se shumë njerëz mund edhe të mos besojnë në vërtetësinë e rreshtave në vijim. Prandaj i thërras mediat, fotografët, edhe paparacët që të binden vetë. Të shkojnë në oborrin e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës.

Brenda rrethojave të objektit “impozant” gjithmonë (sinqerisht gjithmonë) shëtisin me dhjetëra qenë endacakë! Kur bën vapë shtrihen nën hije, sikur dje për shembull, kur bën ftohtë ngrohen nën diell. Nganjëherë edhe i sulmojnë të lartpërmendurit, ata që nuk shkojnë në punë me veturë zyrtare ama. Por, të gjithë janë mësuar me ta. Policët, administrata, ministrat, kryeministri, të gjithë. Nganjëherë, rrallë, i ndjekin deri në anën tjetër të objektit, kur vjen për vizitë ndonjë personalitet i huaj për shembull.

Qentë nuk janë problem në vetvete. Shihen përzierje të racave shumë të bukura aty. Problemi qëndron te fakti se për vite me radhë askujt nga Qeveria nuk i bie në sy kjo gjë. Por një pamje e tillë është tepër poshtëruese për shtetin e Europianëve të Rinj.

Zyrtarët që kalojnë për çdo ditë atypari e kualifikojnë veten si njerëz që i janë dedikuar shtetit. Se i shohin defektet dhe i përmirësojnë ato. Se shohin edhe defekte që tjerëve nuk iu bien në sy, sepse paguhen për atë punë. Dhe pse të habitemi? Në Qendrën Klinike Universitare dhe në cilindo spital rajonal në Kosovë mund të shihni me dhjetëra qenë endacakë, lopë duke kullotur, e çkamos. Ndonjë ditë edhe krokodilë do të shohim. Sepse kur ministrit të Shëndetësisë dhe kryeministrit nuk u pengojnë qentë pranë veturave “3Z”, çka u ha palla për spitale. Edhe ashtu vetëm për reklamë parazgjedhore shkojnë në ndonjë spital.

ARKATANA

Dhe, në daç besoni në daç mos besoni, kjo është hera e dytë që unë po merrem me këtë çështje. Herën e parë kam folur publikisht, nga foltorja e Kuvendit para dy vjetësh, por siç duket kur banaliteti është kaq i madh askush nuk beson se e kam seriozisht.

Para më shumë se pesë vjetësh, teksa bëhesha gati të fluturoja nga Minheni për Vjenë dhe Prishtinë, afër meje u ul një zyrtar i ri i shtetit (ende është zyrtar, por tani është bërë i madh). Fluturimin nga Minheni në Vjenë e bëmë duke biseduar. Zyrtari filloi të provonte të më impresiononte me analiza patriotike. Isha i bindur se nuk e kishte ndonjë arsye vetjake për ta bërë një gjë të tillë sepse unë kisha nja dy muaj që nuk isha më ministër. Deri në momentin kur filloi të më “bindte” se ne “jemi edhe më përpara se gjermanët” e dëgjoja, kryesisht për mirësjellje. Por kur filloi të bënte krahasime me veten e tij, në veten e parë, më humbi durimi dhe në një moment i thashë: shiko, ky aeroplan me të cilin po fluturojmë, me siguri është ngritur dhe ka aterruar me mijëra herë deri tani. Dhe do të ngrihet dhe do të aterrojë edhe mijëra herë tjera. Dhe gjasat se do të rrëzohet janë më të vogla sesa me të shtyp ty nëndetësja. Dhe e di çka? Këta njerëz e kanë bërë. Dhe po vëmë bast nëse do, se ti nuk mund ta vendosësh as një bisht të “teslicës” dhe të mos shkëputet dhjetë herë për pesë minuta. Ndoshta edhe kishte arrogancë në reagimin tim, por unë fuqishëm besoj se nuk do të ecim përpara duke e lavdëruar veten pa lidhje. Vetëm duke e parë vetveten me sy kritikë, bëhemi më të zotët. Zyrtarit të shtetit do t’i kujtohet ngjarja nëse e lexon këtë shkrim. Por tani do t’i thosha, së pari hiqi qentë endacakë nga oborri i Kryeministrisë!

Dikujt mund edhe të mos t’i duket me rëndësi kjo që thashë, por në daç besoni në daç jo, nuk mund të presim as luginë silikoni, as hambar të Ballkanit as shtet evropian nga ai të cilit nuk i bien në sy qentë endacakë në oborr të Kryeministrisë. Apo siç themi ne në Kosovë, HARROJE!

(Autori është kryetar i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për gazetën Tribuna)