UBT

Qendra për aftësimin profesional në Gjilan vatër e diturisë tek të rinjtë

/ 4 minuta lexim

Gjilan – Qendra për aftësimin profesional në Gjilan me punën e saj profesionale po dëshmon se është një institucion me vlera të mëdha duke i aftësuar të rinjtë e të rejat në zejet të cilat i vijojnë të rinjtë.

Ky institucion në bashkëpunim me Agjencionin e punësimit dhe Ministrin e Mirëqenies Sociale, ka bërë që të rinjtë me vijimin e kurseve të ndryshme kanë arritur të punësohen në lami të ndryshme jo vetëm në shtetin e Kosovës por edhe më gjerë.

Njëra ndër zejet më të kërkuara padyshim është zeja e Salldimit e cila funksionon që nga viti 2002, kur shteti i Danimarkës pati investuar në inventarin e kësaj zeje.

Zyrtari i trajnimit metalpunues, Qamil Rexhepi, thekson për interesimin e qytetarëve për zejen e Salldimit.
“Dua t’ju theksoj se ne kemi bashkëpunim me Entin e Punësimit, interesimi është jashtëzakonisht i madh për këtë zeje por vendet i kemi të limituara. Ne me këto kurse bëjmë përgatitjen e kuadrove të cilët nesër munden të gjejnë vende të punës jo vetëm në shtetin e Kosovës por edhe jashtë saj”.

Rexhepi thekson se të gjitha mundësit në këtë Qendër të trajnimit janë profesionale.
“Ne kemi mjete të mjaftueshme me gjithë materialin trajnues e këtë mundësi na krijon Ministria e Mirëqenies Sociale si në atë praktike por kemi edhe literaturë të bollshme për të gjithë kandidatët e Salldimit”.

Mobi Casa

Një fluks i madh i të rinjve drejt zejes së salldimit ka bërë që me të përfunduar kursin po arrijnë të gjejnë punë edhe jashtë Kosovës.
“Për çdo të ri trajnimi i Salldimit është i mirëseardhur pasi vendi ynë ka nevojë, vendi jonë po kërkon njerëz të kualifikuar në këtë zeje por edhe në shtetet perëndimore të rinjtë tanë po gjejnë punë me lehtë, andaj kisha për t`i këshilluar që çdo i ri që ka të përfunduar shkollën e mesme le t’na vizitojnë dhe do të ndahen shumë të kënaqur me atë se ne çka ofrojmë”, ka bërë të ditur trajneri e zyrtari i Salldimit dhe Metalpunuesit, Qamil Rexhepi.

Në fund të çdo kursi çdo kandidat do t`i nënshtrohet testeve para komisionit përkatës për tu certifikuar me diploma.
“Diplomat tona përpos që në shtetin e Kosovës njihen si shumë të avancuara, por këto diploma edhe në shtetet perëndimore po vlerësohen me të madhe dhe ne për këtë jemi shumë krenar me punën që po bëjmë me këta të rinjë duke gjetur punë anembanë Evropës”, thekson zyrtari i salldimit, Rexhepi.

Se çfarë pune profesionale bëhet në këtë mes thekson edhe njëri nga kandidatët Rinor Muji i cili po përcjell kursin e salldimit.
“Jam shumë i kënaqur me kushtet të cilat po na ofrohen këtu por edhe punën praktike dhe në teori që po na bënë trajneri Qamil Rexhepi, i cili me përvojën e tij dhe profesionalizimin e tij po na udhëzon për të mirën tonë që nesër të jemi të pavarur në punët tona dhe për këtë në emër të gjithë kandidateve e falënderojmë atë, pasi ai është i gatshëm në çdo moment të na del në ndihmë”.

Qendra për aftësimin profesional edhe më tej do të mbanë kurse të ndryshme, ndërsa këto ditë është hapur edhe një degë e salldimit Metalpunues ku shteti i Gjermanisë ka investuar në makinat e Metalpunuesit.

Në këtë kohë të Pandemisë COVID -19 të cilën e ka kapluar botën tani e një vit, Qendra për aftësimin profesional në Gjilan po hap shtigje të reja të punës duke i përgatitur të rinjtë për ardhmërinë e tyre./rajonipress/