Qendra “Partners Kosova” me projekt për të rinjtë vitias kundër ekstremizmit dhe radikalizmit

Viti – Kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, ka pritur sot në një takim përfaqësuesit e Qendrës “Partners Kosova”, me të cilët kanë biseduar rreth projektit që do të realizohet në Viti nga kjo qendër.
“Ambasada Amerikane financon në Viti projektin e vetëdijesimit kundër radikalizmit dhe ekstremizmit fetar, te cilin do ta implementon organizata Qendra për Menaxhimin e Konflikteve –“Partners Kosova” ka thënë Selvije Rashani përfaqësuese e kësaj qendre.
Ajo ka njoftuar kryetarin Sokol Haliti, me projektin që kjo qendër do të implementoj në Viti, ndërsa bëri me dije dhe ndau mendimin e njëjtë për pasojat që sjell radikalizmi dhe ekstremizmi fetar.
Ky projekt do të përmbajë shumë aktivitete që do të realizohen kryesisht me të rinjtë e Vitisë si; organizimi i debateve, trajnimeve, emisioneve në radio si dhe organizimi i një konference ku do të marrin pjesë edhe institucionet qendrore.
Projekti i njëjtë do të realizohet edhe në Komunën e Mitrovicës, Vushtrrisë, Gjilanit dhe në Komunën e Kaçanikut./rajonipress/