RCCOLA

Qemajl Mustafa ndihet i kërcënuar nga pronari i “Luxorit”

/ 4 minuta lexim
RCCOLA

Gjilan – Stacioni policor në Gjilan ka ngritur kallëzim penal kundër Ilhan Aliut nga Bujanoci për shkak se kohë pas kohe e ka thirr në telefon Qemajl Mustafën dhe e ka kërcënuar përmes telefonit. Aliu dyshohet për veprën penale “kanosje”. Aliu mohon kërcënimin derisa thotë se dega e PDK-së i ka një borxh prej 22 mijë eurove, shpenzime këto të kryera gjatë fushatës zgjedhore.

Ilhan Aliu pronar i restaurantit “Luxor” në Gjilan është marrë në pyetje nga policia e Gjilanit nën dyshimin se më 10 mars 2014 e ka kërcënuar në telefon ish kryetarin e Gjilanit Qemajl Mustafën, raporton rajonipress.

Në kallëzimin penal të policisë i cili edhe i është dërguar departamentit për krime të përgjithshme thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se Ilhan Aliu e ka kryer veprën penale”kanosje”.

Sipas përshkrimit të kallëzimit penal të cilin e ka siguruar rajonipress, Ilhan Aliu pas një borxhi të akumuluar nga PDK e Gjilanit gjatë fushatës parazgjedhore në muajt nëntor dhe dhjetor të vitit 2013, borxh ky i akumuluar diku rreth 20 mijë euro, të cilin borxh kishin marrë për obligim ta kompensojnë përmes PDK-së, Qemajl Mustafa dhe Izmi Zeka.

Mirëpo i dyshuari Ilhan Aliu menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve ka filluar të kërkojë borxhin nga Izmi Zeka dhe Qemajl Mustafa. I dyshuari sipas kallëzimit penal ka filluar të bëjë presion të vazhdueshëm ndaj Qemajl Mustafës duke e thirr atë pandërprerë në telefon dhe duke i kërkuar të hollat, ku një shumë prej 4.400 eurove e kishte pranuar nga Qemajl Mustafa si kompensim, por përsëri kishte vazhduar presionin përmes telefonit.

Uji Dea

Kallëzimi penal saktëson se duke kërkuar borxhin i dyshuari Ilhan Aliu me gjestet e tij ka ndjellë frikë tek ankuesi (Qemajl Mustafa) i cili edh është ndier i kërcënuar. Me datën 10 mars 2014, Ilhan Aliu e ka thirr në telefon Qemajl Mustafën duke i thënë :”Nëse nuk ma paguan borxhin edhe ty kam me të hy në shtëpi” kurse më 13 mars 2014 sërish me shprehjet “Ngo knena Qemajl Mustafa ka me të takue ty në çarshi dhe zoti kahre ka me na ba” dhe mesazhi tjetër”kthehu këtu se unë sot po du me ta kallëzua qejfin”.

Ndaj këtyre kërcënimeve sipas kallëzimit penal Qemajl Mustafa ka kërkuar nga i dyshuari që ta paditë PDK në Gjykatë e jo atë.

Ndërkohë vet Ilhan Aliu në deklaratën e tij dhënë në polici e ka mohuar veprën penale. Në deklaratën dhënë në polici më 17 mars 2014 Ihan Aliu ka thënë se kurrfarë kërcënimi nuk ka bërë e as ushtruar. “Kurrfarë kërcënimi nuk kam ushtruar ndaj tyre (Qemajl Mustafa, Izmi Zeka), as se do t`i vras apo do t`i rrahi, përveç që ua kam kërkuar disa herë borxhet e mija për shkak të obligimeve që i kam unë ndaj shtetit, punëtorëve, kredive dhe ushqimet që i kam blerë. I kam shkruar edhe Izmi Zekës dhe i kam thënë se nëse nuk e merrni seriozisht punën e borxhit do t`i padisë në gjykatë dhe do të bëjë publike edhe në medie dhe do t`i shkruaj edhe Hashim Thaçit”.

Ndryshe Ilhan Aliu ka thënë se tani përmes avokatit të tij Halit Azemit do të ushtrojë padi kundër Qemajl Mustafës e Izmi Zekës dhe të gjitha provat që i ka si faturat e SMS do t`i prezantojë në Gjykatë dhe do t`i ndjek penalisht për veprat penale”mashtrimi”, dhe “keqpërdorimi i detyrës zyrtare”./rajonipress/