Qemajl Mustafa jep dorëheqje nga Bordi i UPGJ

Gjilan – Në UPtë Gjilanit, në administratë ka punësime të familjarëve të anëtarëve të këshillit ose të rrethit të tyre shoqëror, familjar e politik dhe ky është zaten edhe një motiv shtesë i ndonjërit që të jetë anëtar i këshillit dhe të jep “kontribut” për universitetin ka thënë në letrën e dorëheqjes nga ana e Këshillit të Universitetit Publik të Gjilanit, Qemajl Mustafa.
Në letrën e Qemajl Mustafës dërguar Ramë Bujës thuhet: Më lejoni që t’ju falënderoj për mundësinë që ma keni dhënë që në cilësinë e kryetarit të komunës së Gjilanit të jem anëtar i këshillit të UP të Gjilanit për ta dhënë kontributin e vlefshëm fillestar në themelimin e tij, raporton rajonipress.
Shpresoj shumë që e kam dhënë këtë angazhim timin si kryetar i komunës dhe si anëtar i këtij këshilli (sidomos në përgatitjen hapësinore për fillimin e punës në Tetorin e vitit 2013).
Meqenëse ardhja ime ka të bëjë me çelësin e pozitës së kryetarit të komunës, unë me vullnet timin e lëshoj këtë vend në këshill të cilin ju i nderuari ministër mund ta plotësoni me kryetarin e tashëm të komunës ose me ndonjë kuadër tjetër akademik sepse sipas perceptimit tim është krejt e pa kuptimtë që unë të qëndroj ende aty.
Unë mundohem që gjërat t’i shoh në dritë pozitive dhe kryesisht puna ka shkuar mirë në përgatitjen dhe nisjen e UP të Gjilanit por, ajo që është e metë duhet ta theksojmë hapur me qëllimin më të mirë që të metat të minimizohen në të ardhmen dhe këtë krijesë të jashtëzakonshme ta rrisim shëndosh e të na shërbejë të gjithëve pa dallim. Përbri angazhimit të mirë, po i theksoj disa mangësi që e kanë përcjellë punën tonë si këshill por edhe si ministri.
Vendosja e u.d. të rektorit nuk ka qenë dashtë të bëhet nga anëtarët e këshillit sepse e kam trajtuar dhe e trajtoj konflikt të rëndë të interesit (sepse rektori tashti i jep llogari vetes së tij pra, i jep llogari kryetarit të këshillit e që është vet ai). Nuk kam vërejtje në vullnetin e rektorit dhe në angazhimin e tij , por rregullsia është diçka që len për të dëshiruar,
Vendimi për akreditimin e degëve (dy në studime universitare dhe një për master) është bërë me nguti dhe pa analizën e duhur. Së paku drejtimi për diplomaci dhe marrëdhënie ndërkombëtare tashti në fillim neve nuk na është dashur sepse Gjilani dhe ajo anë ka shumë nevojë për profile të rralla e që janë në funksion të ngjalljes ekonomike të rajonit si psh. degë të agrokulturës, të industrisë përpunuese, të planifikimit hapsinor, të analizës e planifikimit strategjik zhvillimore, të ndërtimit, …
Në UP të Gjilanit ka angazhime të kuadrit dhe për këto angazhime nuk janë votuar kritere të veçanta nga këshilli për angazhim (e që janë në fund të fundit normë ligjore dhe statutare e UP-ve) në mënyrë që t’i sjellim vërtetë më të mirët në universitet. Me sugjerimin dhe me kontributin e dashamirëve të UP të Gjilanit dhe me insistimin tim personal rektori i tashëm z. Arben Dermaku është munduar që sadopak të sjellim kualitet në universitet,
Në UP të Gjilanit, në administratë ka punësime të familjarëve të anëtarëve të këshillit ose të rrethit të tyre shoqëror, familjar e politik dhe ky është zaten edhe një motiv shtesë i ndonjërit që të jetë anëtar i këshillit dhe të jep “kontribut” për universitetin.
Për UP të Gjilanit ka herëpasëherë përfolje mediale për çështje të ndryshme të cilat duhet të merren parasysh seriozisht për ta identifikuar dhe për ta stopuar të keqen qysh në fillim.
Uroj që këto të meta të fillimit t’i heqim në ditët që vijnë sepse është e vetmja rrugë për prosperitet të kësaj vatre të rrallë të diturisë për anën tonë.
Uroj që sadopak të kem kontribue në mbarëvajtjen e punës në themelimin dhe nisjen e punës së universitetit publik të Gjilanit. Jam i gatshëm që sërish, kurdo që e kërkon nevoja të jap përherë atë që është mundësi e imja thuhet në letrën e dorëheqjes së Qemajl Mustafës dërguar ministrit Ramë Buja./rajonipress/