Qemajl Mustafa e porosit Lutfi Hazirin: Kryej projektet sepse i ke të gatshme

Gjilan – E porosisim kryetarin Haziri për të satën herë që të gjejë mundësi financiare e t’i vazhdojë projektet e pa përfunduara sepse i ka të gatshme dhe kjo i bën nder atij dhe komunës. Retorika dhe lufta për diskreditim të tjetrit nuk ia rregullon atij punën. Është e njohur që kush mundohet me i bë gropën tjetrit bie vet në të. Unë, Qemajl Mustafa e marr tërë përgjegjësinë ligjore e morale për krejt atë që ka ndodhur në komunë nga fillimi i vitit 2008 e deri në fund të vitit 2013 dhe jam në gjendje të ballafaqohem kurdoherë dhe me secilin.
Ka qenë pikërisht projekti i fazës së parë të “Qendrës memoriale” në Gjilan që ka nxitur reagimin e ish kreut të komunës Qemajl Mustafa. Ashtu siç ka vepruar gjithherë dhe me transparencë të plotë, guxim qytetarie dhe me përgjigje të sakta e profesionale edhe këtë herë Qemajl Mustafa ka folur rreth projekteve të papërfunduara,duke bërë apel tek Lutfi Haziri që t`i kryen projektet e papërfunduara dhe të gjej fondet e nevojshme.
Duke folur rreth Qendrës memoriale dhe deklaratave të zyrtarëve komunal aktual Qemajl Mustafa për rajonipress tha se e vërteta është që 70% e punëve janë kryer me sukses të plotë ashtu sikur edhe e ka thënë punëkryesi Adem Kqiku.
Mustafa tha se ai është paguar për punët e kryera (bile sipas mbikëqyrësve të projektit është paguar më pak për rreth 10 mijë euro). Projekti si tërësi kushton rreth 300 mijë euro e deri tashti janë paguar rreth 200 mijë për punët e kryera (situatat e kryera dhe detajet janë në librin e ndërtimit të komisionit mbikëqyrës).
“Deklarata e kryetarit është plotësisht politike dhe me qëllim diskreditimi të pushtetit të kaluar, por në asnjë mënyrë nuk bazohet në fakte të cilat janë në terren dhe janë shumë kokëforta e të cilat do ta demantojnë kryetarin pavarësisht cila instancë profesionale shtetërore bën hetim atje. Një gjë dihet saktë. Opozita nuk do ta pranojë asnjëherë konstatimin e “profesionistëve” politikë e të frustruar të kryetarit të cilët e kanë patur përherë një të vetmin mision – lajkëtimin e partisë e të kryetarit duke e groposur të vërtetën. Konstatimin e vetëm që do ta pranoj unë si kryetar i atëhershëm i komunës dhe opozita është një ekspertizë detale e dalur nga një ekip me vendim të kuvendit të komunës. Në këtë ekip të gjitha subjektet do t’i dërgonin profesionistët e vet dhe konstatimi do të ishte koncensual sikur që ne kemi punuar gjashtë vite me radhë në këtë mënyrë në shumë procese në komunë kur opozita ka qenë pjesëmarrës i barabartë me ne”.
Mustafa thotë se e vërteta pse kjo fazë e projektit nuk është kryer deri në fund është për shkak të mungesës së fondeve të mjaftueshme për investimet kapitale nga qeveria (kanë qenë të nisura më 2009 dhe 2010 rreth 20 projekte me përcaktim të përbashkët të komunës me qeverinë në vlerë prej rreth 6 milionë euro). “Paralelisht i kemi zhvilluar të gjitha projektet me financim të përbashkët me qeverinë dhe në ndërkohë ardhjet nga qeveria kanë munguar për dy vite me radhë e komuna nuk ka mundur nga të hyrat e veta lokale t’i realizojë shpejtë ato projekte. Megjithatë, vit pas viti me financim komunal dhe me një investim prej dy milionë euro edhe nga qeveria në pjesën e dytë të vitit 2013 ne kemi arritur që një pjesë të mirë të këtyre projekteve t’i përfundojmë (kryesisht rrugët, shpronësimet, kanalizimet…) ose disa të progresojnë mirë si rasti i qendrës memoriale” ka sqaruar Mustafa.
Ish kreu i Gjilanit thotë se nuk kemi dashur që të ngutemi me qendrën memoriale pasiqë pjesa e mbetur e projektit (rreth 100 mijë euro) përbëhet nga materialet e veçanta finalizuese dhe do të duhej që të punohej më ngadalë dhe mirë (ndriçimi është special, pllakosja, gjelbërimi etj.). “Pjesa më e rëndësishme e kompleksit memorial është kryer e për këtë nuk është e vetëdijshme as LDK dhe as kryetari Haziri sepse nuk janë sfidua me fazat e projektimit konkurrues dhe me realizimin shumë të ndërlikuar deri këtu e që ishte hulumtimi dhe marrja e vendimit rreth emrave të dëshmorëve, të martirëve dhe viktimave të luftës e të dhunës që nga fillimi i shekullit të kaluar e që është bërë nga një këshill gjithëpërfshirës profesional e politik me vendim të veçantë të kuvendit të komunës. Kjo punë ka marrë shumë kohë. Organizatat e dalura nga lufta e UÇK e kanë kryer me shumë sukses punën e vet edhe në këshill, por sidomos te procesi i rivarrimit të dëshmorëve. E kanë bërë këtë punë me shumë vullnet, me dinjitet të lartë dhe me kosto minimale për komunën”.
Mustafa shton se ai këtu pikërisht edhe e sheh mungesën e sensit të kryetarit Haziri dhe te LDK-së për këtë projekt sepse nuk e njohin procesin si tërësi me tërë kompleksivitetin e tij. “E pranojmë me shumë gjerësi se projekti është vonuar në realizim, por, e sigurojmë publikun e komunës se realizimi deri këtu është plotësisht ekzakt edhe teknikisht edhe financiarisht”.
E porosisim kryetarin për të satën herë që të gjejë mundësi financiare e t’i vazhdojë projektet e pa përfunduara sepse i ka të gatshme dhe kjo i bën nder atij dhe komunës.
“Retorika dhe lufta për diskreditim të tjetrit nuk ia rregullon atij punën. Është e njohur që kush mundohet me i bë gropën tjetrit bie vet në të. Unë, Qemajl Mustafa e marr tërë përgjegjësinë ligjore e morale për krejt atë që ka ndodhur në komunë nga fillimi i vitit 2008 e deri në fund të vitit 2013 dhe jam në gjendje të ballafaqohem kurdoherë dhe me secilin” tha në fund Mustafa./rajonipress/