Fundamenti

Qemajl Mustafa: Anarkia në kokën e një kryetari po bëhet katrahurë e qytetit

/ 6 minuta lexim

Gjilan – Arroganca dhe autoritarizmi i kryetarit të komunës së Gjilanit është bërë mjerim i kuvendit por, për fat të keq, edhe i shoqërisë jashtë kuvendit. Arroganca është mungesë e dijes dhe urtisë. Është mungesë e ndjesisë për me e dëgjue kujdesshëm sovranin, qytetarin e komunës. Është mungesë ndiesie për me i dëgjue profesionistët e vërtetë. E të vërtetit janë vetëm profesionistët me integritet të plotë etik e profesional. Është mungesë e ndjesisë dhe verbëri e “syrit” për me pa ma larg. Larg përtej mandatit të një kryetari të komunës me do kukullave të tij në kuvendin e komunës ka shkruar Qemajl Mustafa.

Postimi i plotë i Qemajl Mustafës

1. Ndërhyrja nëpër pjesën e vjetër të qytetit për me bë rrugë “moderne” me 4 korse, s’është gjë tjetër veçse kirurgji idiotike e cila e zhbën edhe atë pak autenticitet që i ka pas mbetë qytetit tē Gjilanit. Është thjeshtë manifestim dhe shfryerje e komplekseve primitive të një kryetari e të një suite injorantësh, hajnash, frigacakësh e servilësh rreth tij që nuk e kanë pikën e ndiesisë për të kaluarën e këtij qyteti. Thirren në atë të kaluar, vjelin votë me mashtrim e manipulim për atë të kaluar, shpallin heronjë brenda familjeve të tyre e shpallen heronjë e veteranë për të bëmat e “mëdha” në të kaluarën e lavdishme po nuk e respektojnë me asgjë atë të kaluar.

Jo vetëm kjo ndërhyrje por edhe shumë të tjera, e kanë gjymtuar qytetin dhe ia kanë shëmtuar të ardhmen për 100 vitet e ardhshme. Kultura e pistë e rrënimit të Prishtinës dhe e “prangosjes” së ardhmërisë zhvillimore urbane të saj, e që u bë për 13 vite rresht nga LDK, është bartur përmes Lutfi Hazirit edhe në Gjilan.

Gjilani është bërë një katrahurë ndërtimesh të larta pa respekt për familjet dhe për qytetarin e saj. Brenda atyre ndërtimeve amorfe nuk ka hapësirë për pushim e rekreim, nuk ka hapësira për parkim, nuk ka hapësira për sport e për lojëra fëmijësh.

Kudo në glob investohet në ruajtjen dhe konzervimin e pjesëve të vjetra të qyteteve po jo në shlyerjen e së kaluarës. Qytetet zhvillohen në rrathë koncentrikë nga qendrat e vjetra dhe në bartjen e shumë funksioneve në qendrat e reja. Gjilani duhet me ua mendue unazave të tij, rrugëve shkarkuese tërthore nëpër qytet po jo assesi shëmtimit të rrugës së vjetër kryesore të qytetit.

KKGJILAN

2. Sikur kjo nuk mjaftoi, në bashkëpunim me kreun e Bashkësisë Islame, kryetari ia ka mësy me e “okupue” edhe atë pak hapësirë pranë muzeut të qytetit që natyrshëm i takon pikërisht perspektivës së muzeut nëpër deceniet e ardhshme. Hapësirë që u takon qytetarëve, u takon këmbësorëve, fëmiut, nënës, gjyshit…
Kur e kemi zhvendosë ndërmarrjen e mbeturinave KRM “Higjiena” prej aty, jemi gëzue shumë sepse i kemi dhënë zemrës së qytetit edhe pak frymëmarrje e cila i mungonte shumë. Këtë pak frymëmarrje ky kryetar don me ia marrë zemrës së qytetit duke tentuar me e vendosë aty një ndërtesë të administratës së Bashkësisë Islame e që aspak nuk e ka vendin aty.

Ne jemi për me e dëgjue kujdesshëm BI-në por më shumë se BI-në dhe çfarëdo partie politike e çfarëdo kryetari jemi për me e dëgjue zërin e atyre që i kanë hartue planet rregulluese të qytetit. Dija dhe vizioni i tyre janë meritore e jo shfrenimi i politikave fisnore e meskine te çfarëdo kryetari të komunës që krejtë njerëzit i sheh vetëm si votë dhe hiç ndryshe.

Krejtë kjo “kirurgji” gjymtyese që po i bëhet këtij qyteti është tentativë për ta tërhequr vëmendjen e publikut kah “shkëlqimi” plotësisht mashtrues dhe për ti harruar premtimet e zëshme e të shumta të Lutfi Hazirit për Zonën Ekonomike të komunës, për përfundimin e hershëm të Mirushës, për përfundimin e rrjetit të ujërave të zeza dhe të fabrikës për trajtimin e tyre, për furnizimin me ujë të komunës, për investimet e bujshme në bujqësi, për investimet në qendrat e aftësimit të të rinjëve, për qendrën shumëkulturore të komunës, për subqendrat në qytet e fshatra, për mbajtjen e higjienës në krejtë hapësirën e komunës, për mirëmbajtjen dhe zgjerimin e zonave të gjelbërta dhe parqeve të komunës, për investimet PPP…

Qytetarë të komunës,
Unë vet personalisht kam besue dhe kam pritë larg më shumë nga Lutfi Haziri si kryetar i komunës. E pata thënë edhe publikisht këtë pritje timen. Besoja që e ka bërë një eksperiencë edhe jetësore edhe politike dhe ka me e udhëheqë mirë komunën. Nuk më dolën kërkah pritjet e mia. Veç veseve të këqia, skandaleve dhe mjegullës që ky kryetar e prodhoi qe 6 vite me fjalë të shumta e me punë të vogla kozmetike, nuk pamë e nuk dëgjuam gjë tjetër.

Mendoj që mjaftë gjatë kemi qëndrue pasivë duke e soditur keqpërdorimin e votës tonë. Është koha me u aktivizue të gjithë dhe jashtë kornizave partiake.
Është mjerim për një qytetar mesatar e sidomos për një intelektual e një politikan nëse komunën dhe shtetin e vet e sheh si mundësi dhe si nevojë vetëm deri te fundi i jetës së tij.
Popujt e zgjuar punojnë për gjeneratat që vijnë.
Mbase kemi mësue edhe ne diçka prej tyre më në fund.
Unë jam plotë besim e optimizëm në zgjuarsinë e qytetarëve të Gjilanit dhe në qytetarinë aktive të tij.
Bashkë e ndalim SHËMTINË që po i ndodhë qytetit dhe krejt komunës ka thënë Qemajl Mustafa./rajonipress/