Qehaja: Kosova, eksportuese e pasigurisë

Florian Qehaja ka përmendur faktin se një numër prej 300 qytetarësh nga Kosova i janë bashkëngjitur ISIS-it, për të dhënë konstatimin se shteti është eksportues i pasigurisë. Krahasuar me vendet e Evropës, ky është një ndër grupet më të mëdha llogaritur për kokë banori.
Qehaja është drejtor ekzekutiv në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë. Në pjesën e parë të vitit kjo organizatë joqeveritare ka bërë një raport për shkaqet dhe pasojat e përfshirjes së qytetarëve të Kosovës si luftëtarë të huaj në Siri dhe Irak. Në të është rekomanduar një qasje gjithëpërfshirëse për rehabilitimin dhe riintegrimin e të tillëve.
Në një intervistë dhënë “Kohës Ditore”, Qehaja ka folur për rrezikun nga terrorizmi që i kanoset Kosovës. Ka konstatuar të mos ketë një rrezikshmëri të lartë apo të pashmangshme, siç mund të shihet në Evropën Perëndimore. Megjithëkëtë, ka thënë të ketë kapacitete të kufizuara institucionale të sigurisë, qoftë për të garantuar siguri apo edhe për të parandaluar akte terrori.
“Kosova dhe institucionet e saj e kanë të vështirë që ta luftojnë ekstremizmin e dhunshëm dhe terrorizmin me forca vetjake. Asnjë shtet në rajon nuk mund ta bëjë këtë vetëm”, ka thënë ai. “Dhe problemet në këtë drejtim ekzistojnë, sepse bashkëpunimi bilateral i Kosovës me disa shtete është i kufizuar përderisa ai multilateral pothuajse e përjashton Kosovën”.
Në këtë intervistë Qehaja ka folur edhe për ambientin që përbën Kosova, qoftë për radikalizmin fetar apo të formave të tjera, e që shpie në terrorizëm. Po kështu, edhe për hisen e Kosovës në këtë problem global..
http://koha.net/?id=27&l=85420