Qasja irracionale ndaj realitetit kosovar

Nga Rahim Azemi – Tendenca për ta veshur Kosovën me petkun islamist të sekteve e rrymave dekadente, dhe për ta kthyer atë atje ku as ka qenë as është as nuk do të jetë, është e kotë. Kosova ka rrugëtimin e vet evropian në aspektin historik, etnik, psikologjik dhe kulturor, dhe përpjekjet për ta devijuar këtë rrugëtim janë dëshpëruese dhe të dështuara.
Vlimet socio-politike në këto dy dekadat e fundit kushtëzuan transformimin e shoqërisë drejt marrëdhënieve të reja të sistemit shoqërorë demokratik, ku njeriu është i lirë të shpreh mendimet e veta, të ketë qasje të reja në formimin e ideve dhe botëkuptimeve të tij konform këtyre marrëdhënieve.
Mirëpo, këto rrethana dhe këtë hapësirë të lirisë dikush ka mundur dhe mundet t’i keqpërdorë edhe për qasje që bien ndesh me filozofinë dhe botëkuptimin e një populli me orientin evropian, duke imponuar por edhe duke i atribuuar një vlerë të huaj, që në fakt përfaqëson një antivlerë në mënyrën më të thjeshtë. Sepse, edhe liria jo gjithherë mund të konceptohet drejt. Nga filozofia e jetës së njeriut thuhet: Jeta e njeriut ka kuptim vetëm në liri. Ka kuptim, sepse njeriu është i lirë të thurë ëndrrat e veta, botëkuptimet e tij, të formojë idenë e të jetuarit, perspektivën e tij, sepse frymon lirshëm, të formojë karakterin e tij, të brumoset me botëkuptime të reja filozofike- psikologjike, por edhe politike. Të gjitha këto vlera jetësore janë të lidhura ngushtë, si mishi me thoin, me racionalizmin si botëkuptim filozofik.
Pas luftës, në Kosovë, u formuan grupe të shumta të interesit, të ndikuara nga qarqe të ndryshme politike. Në fokus të kësaj, disa shoqata humanitare të lindjes kanë ndikuar në mënyrë destruktive në rrjedhat e mirëfillta të proceseve shoqërore në Kosovë. Ato vazhdojnë të provojnë imponimin e një botëkuptimi të ri, që në fakt është i vjetër, dekadent e destruktiv. Krerët e këtyre organizatave e kanë humbur të gjykuarit racional, duke afirmuar antivlera, të ndikuara nga ngjyrimet e ideologjisë religjioze, madje të riformatuar në sekte të ndryshme. Këto ngjyrime konservatore religjioze, po ndikojnë dukshëm në zhveshjen e vlerave të kulturës kombëtare, duke krijuar predispozitat e një pseudokulture që manifeston vlera të rreme.
Ekstremizmi religjioz, i çfarëdo ngjyre qoftë, është i dëmshëm për afirmimin e vlerave të mirëfillta kombëtare. Pas luftës, në Kosovë, para syve tanë po shohim se po lëshon rrënjë një frymë e fundamentalizmit islamik. Sa do që kjo verbalisht nuk pranohet e po neglizhohet, ai po funksionon praktikisht. Që kultura islame tradicionale të ndikojë në emancipim kombëtar kishte me qenë e dobishme. Por, sa po ndikon në këtë kontekst? Për mënjanimin e pseudovlerave religjioze, që sot po trumbetojnë në restaurimin e ideve të mykura mesjetare, krerët më të lartë te fesë myslimane duhet kumbëngulsisht t’i luftojnë ato, duke ruajtur frymën e kulturës tradicionale fetare.
Kombi shqiptar me të gjitha virtytet e tij, është properëndimor, sepse aty ka qenë dhe aty është. Sado që disa organizatave humanitare të lindjes, të lidhura me ideologji religjioze fundamentaliste, e të ndikuara nga disa qarqe politike ditore, mundohen të nxjerrin në sipërfaqe idenë se “jemi pjesë e konjukturave lindore”, është absurd i llojit të vet.
Sofistika e Fuad Ramiqit
Ditë më parë në të përditshëm tonë të gazetës “Zëri”, Fuad Ramiqi prononcohet para opinionit me pseudovlera, të cilat kryekëput janë të dëmshme për frymëmarrjen e lirshme shpirtërore e nacionale, në një anë, dhe në anën tjetër, për rrjedhat zhvillimore të shoqërisë kosovare në tërësi.
Ramiqi e akuzon Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe Bashkësinë Islame të Kosovës, për gjëja nuk po i mbrojnë të drejtat e shumicës myslimane në Kosovë. Ai thotë:” Ata po diskriminojnë shumicën myslimane, duke u përpjekur ta paraqesin veten si properëndimor. S’mund të jetë demokratik një shtet që na imponon sekularizmin”, përfundon citati.
Çdo shtet bazën themelore të ndërtimit e mbështet në Kushtetutë. Kushtetuta e Republikës së Kosovës ka definuar se Kosova është shtet i pavarur dhe laik. Domethënë, shteti dhe religjioni janë të ndarë. Organet relevante shtetërore nuk po i diskriminojnë as shumicën e as pakicën me orientime fetare. Ato janë të lira të zhvillojnë ceremonitë fetare. BIK në kontinuitet po mundohet t’ i mbrojë ngjyrat e religjionit tradicional, duke mbajtur lidhje të drejtpërdrejta edhe me konfesionet tjera që zhvillohen në Kosovë. Pse Z. Ramiqit kjo nuk i pëlqen është çështje e tij. Po ju Z. Ramiqi plasoni idenë e formimit të shtetit mysliman në Kosovë!!! Sipas jush kjo është demokracia!!!
Ajo që arrin kulmin e të menduarit dhe të vepruarit të zotit Ramiqit, është pohimi i tij: “…S’pari e konsideroj vetveten mysliman e pastaj si kosovar” ( Gazeta”Zëri”, e martë, 25 dhjetor 2012, fq. O6) Me këso konstatimesh, na bën me dija se ai është apologjet i myslimanizmit dhe nihilist i vlerave kombëtare. Nga zbërthimi logjik i këtij mendimi shohim se Z. Ramiqi nuk e ka menduar mirë konkludimin logjik, sepse: S‘pari të jesh mysliman, e mandej të jesh kosovar, konkluza del se nuk je shqiptar.
Cila është e vërteta?
Lufta për të drejtën dhe të vërtetën daton qysh në kohën antike te filozofët më eminent të kësaj periudhe. Gradualisht gjatë zhvillimit të historisë të filozofisë, filozoftë e kanë mbrojtur të vërtetën, pa marrë parasysh sakrificat individuale.
Nuk jemi të detyruar të imponojmë dëshirën tonë atyre që shkelin interesat kombëtare për leverdi personale, por jemi të detyruar dhe është obligim dhe detyrë morale të sqarojmë iracionalizmin e këtyre personaliteteve, të cilët mundohen të na hedhin hi syve, edhe në këto rrethana të reja shoqërore.
Në baza kuptimore, është e natyrshme të bëjmë komparacion mes dy popujve: Popullit shqiptar dhe popullit mysliman. Populli shqiptar dhe populli mysliman janë dy popuj: Me gjuhë të ndryshme, me territor të ndryshëm, me largësi hapësinore, me kulturë të ndryshme, tradita, zakone e veshje të ndryshme, me karakter të ndryshëm psikologjik, me botëkuptime të ndryshme filozofike etj. Peri lidhës mes këtyre dy popujve është kultura religjioze(feja). Prandaj, kultura religjioze nuk është faktor determinues në formimin e strukturës kombëtare.
E vërteta qëndron në faktin se mes vetëdijes religjioze dhe vetëdijes kombëtare ka dallime. Në rrafshin religjioz nuk kemi uniformitet te asnjë religjion. Ekzistojnë qasje, veshje, drejtime e sekte të ndryshme te të gjitha format e religjionit. Kombi është një. Të gjithë njerëzit që fillojnë jetën e tyre, janë me predispozita kombëtare, e jo fetare. Të gjithë çlirimtarët në Kosovë e kanë filluar luftën kundër pushtuesi, për çlirimin kombëtar, e jo atë fetar.
Religjioni është si stinët e vitit, që ndërrojnë herë pas here. Ndërsa, kombi është bashkësi etnike stabile, historikisht i formuar brenda rrethanave të caktuara historiko-shoqërore.
Premisat se religjioni ka prioritet ndaj çështjes kombëtare zoti Ramiqi janë teori të sofistikuara. Do të përfundoja me pohim: Ilaçet janë të hidhura për pacientin, por atij i duhen për shërim. Besoj që për shërimin tuaj i vetmi ilaç ka mbetur të mbështeteni te pasqyra religjioze, e cila vetëm sa ua mjegullon dhe ua bën me të errët raportin me jetën reale. Tendenca për ta veshur Kosovën me petkun islamist të sekteve e rrymave dekadente, dhe për ta kthyer atë atje ku as ka qenë as është as nuk do të jetë, është e kotë. Kosova ka rrugëtimin e vet evropian në aspektin historik, etnik, psikologjik dhe kulturor, dhe përpjekjet për ta devijuar këtë rrugëtim janë dëshpëruese dhe të dështuara.
( Autori është profesor i filozofisë)