PVD: Po rrezikohet ekzistenca e Shqiptarëve në Serbi

/ 7 minuta lexim
Uji Dea

Degradimi drastik i pozitës së Shqiptarëve gjatë regjimit të Millosheviqit dhe gjatë gjendjes së luftës i përcjellur me pastrim etnik po vazhdon edhe më tutje ashtu që në formë më perfide dhe më intenzive po rrezikohet ekzistenca e Shqiptarëve në Serbi.

Partia për Veprim Demokratik ka dalë në opinion me qëndrimin e saj lidhur me iniciativat e fundit të tubimit të Kuvendit të Këshilltarëve Shqiptarë që e përbëjnë këshilltarët shqiptar nga kuvendi komunal i Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës, transmeton Titulli.com. Më poshtë mundë ta lexoni deklaratën e plotë të kryesisë së PVD – së.

Në mbledhjen e fundit të kryesisë së PVD – së u shqyrtua rëndësia e tubimit të Kuvendit të këshilltarëve Shqiptarë.

PVD që nga themelimi i saj ka vlerësuar shumë të rëndësishëm këtë Kuvend në drejtim të realizimit të të drejtave kolektive të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Pikërisht për këtë arsye në Kuvendin për organizimin e Referendumit të 1 dhe 2 marsit ishin ftuar edhe delegatët Shqiptarë të Kuvendeve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

Kuvendi i këshilltarëve Shqiptarë në vitin 2006 aprovoi Platformën politike me të cilën u kërkua zgjidhja e statusit të Shqiptarëve në Serbi në reciprocitet me statusin e Serbëve në Kosovë, ndërsa në vitin 2013 u aprovua Programi i masave urgjente për zgjidhjen e problemeve jetësore të Shqiptarëve.

Me siguri që në situatë kur në Bruksel u nënshkrua marrëveshja për Asocioacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, që i zgjeron dukshëm kompetencat e Serbëve në Kosovë të parapara me dokumentin e Ahtisarit, është e domosdoshme që përfaqësuesit legjitim të Shqiptarëve t’i drejtohen të gjithë faktorëve relevant për domosdoshmërinë e shqyrtimit urgjent të pozitës së rëndë në të cilën aktualisht gjenden Shqiptarët në Serbi.

Degradimi drastik i pozitës së Shqiptarëve gjatë regjimit të Millosheviqit dhe gjatë gjendjes së luftës i përcjellur me pastrim etnik po vazhdon edhe më tutje ashtu që në formë më perfide dhe më intenzive po rrezikohet ekzistenca e Shqiptarëve në Serbi.

Është më se evidente se qeveria serbe nuk e realizoi pjesën dërmuese të Programit të vitit 2001 që ishte i dedikuar zgjidhjes së krizës në Luginë të Preshevës. Ndërsa, shumë më i vogël ishte interesimi i qeverisë aktuale për ta realizuar Programin e fundit të vitit 2013.

Gjatë tërë kohës qeveria serbe me manipulime flagrante, me anë të Trupit Koordinues të saj për Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, po arrinë që të arsyetohet për mosrealizimin e këtyre programeve, duke ia bartur përgjegjësinë udhëheqësve Shqiptarë e shpesh edhe të gjithë Shqiptarëve për kinse mosgadishmërinë e tyre për t’i realizuar të drejtat që iu garantohen me Kushtetutë dhe ligjet e Serbisë. Ky manipulim perfid shkon edhe më tutje duke përdorur edhe arsyetime plotësuese sipas të cilave qeveria serbe nuk ka partner serioz në Luginë të Preshevës sepse subjektet politike shqiptare janë të përçara.

Në fakt përçarjet në sprektrin politik skajshmërisht të parcializuar të Luginës së Preshevës ekzistojnë, por ato tërë kohën stimulohen nga strukturat shtetorëre e posaçërisht nga Trupi Koordinues i qeverisë serbe.
Pikërisht qëndrimi ndaj Trupit Koordinues që është shëndrruar në mekanizmin kryesorë me të cilin po degradohen komunat e Luginës së Preshevës dhe po diskriminohen Shqiptarët në Serbi është çështje kruciale që duhet të shqyrtohet në rradhë të parë në Kuvendet e Preshevës dhe Bujanocit si dhe në KNSH, e mandej edhe në Kuvendin e këshilltarëve Shqiptarë.
Kur dihet se qeveria serbe qysh në vitin 2001 e kishte autorizuar Trupin Koordinues për Preshevë, Bujanoc e Medvegjë për ta realizuar Programin e vitit 2001 e më vonë edhe Programin e vitit 2013 dhe në anën tjetër gjendja e përgjithshme në Luginë të Preshevës në formën më drastike po vazhdon të degradohet, është e domosdoshme që në këto forume legjitime me argumente të kërkohen përgjigje në pyetjet esenciale për rrjedhat aktuale dhe zhvillimet vijuese në Luginë të Preshevës.

Hidromorava

Fillimisht eshtë e domosdoshme të qartësohet se a është në interesin e popullatës shqiptare të vazhdohet me trajtimin restriktiv dhe diskriminues ndaj pushteteve lokale me shumicë shqiptare që po e imponon në formën krejtësisht arbitrare Trupi Koordinues i qeverisë serbe.

Në këtë kontekst duhet patjetër të sqarohet roli i pushteteve lokale në procesin diskriminues, që u imponua nga qeveria serbe me anë të Trupit Koordinues me të cilin po imponohen shifra manipuluese për numrin e Shqiptarëve në Serbi.

Këshilli Nacional i Shqiptarëve, Kuvendet komunale e në fund edhe Kuvendi i këshilltarëve Shqiptarë urgjentisht duhet t’i shqyrtojnë kushtet me të cilat po zhvillohet procesi mësimorë në shkollat tona, e posaçërisht është e domosdoshme të qartësohen hapat që janë ndërmarrë e po ndërmerren për zgjidhjen e problemeve kruciale të sigurimit të teksteve mësimore në gjuhën shqipe si dhe të njohjes së diplomave univerziteteve të Kosovës.

Të gjitha këto forume duhet të shqyrtojnë patjetër edhe gjendjen aktuale shumë të ndieshme dhe të ndërlikuar në institucionet e informimit lokal.
Por mbi të gjitha është e domosdoshme që paraprakisht të analizohet vizita e kryeministrit Vuçiq në Preshevë e Bujanoc e në këtë kontekst duhet patjetër të sqarohet prapavija manipuluese e mirënjohjes që kryetari i komunës ia ndau kryeministrit Vuçiq.

Në situatën aktuale dramatike shumë të rëndë, do të ishte krejtësisht kontraproduktive të ftohet Kuvendi i këshilltarëve Shqiptarë i Luginës së Preshevës vetëm sa për të aprovuar ndonjë deklaratë apo rezolutë politike.

Shqiptarët në Luginë të Preshevës kanë dëshmuar gadishmërinë për unitet sa herë që është dashtë të caktohen orientimet strategjike politike, si me Referendumin e vitit 1992 ashtu edhe me Platformën politike të vitit 2006. Në momentet aktuale është i domosdoshëm uniteti në veprim pikë së pari në pushtetet lokale dhe në Këshillin Nacional të Shqiptarëve për të gjitha çështjet me interes të përgjithshëm.

Nëse subjektet që i përfaqësojnë interesat e Shqiptarëve në Luginë të Preshevës arrijnë t’i harmonizojnë qëndrimet për të gjitha çështjet e rëndësishme jetësore në këto forume, atëherë do të fuqizohej edhe Kuvendi i këshilltarëve Shqiptarë i cili pos rolit aktual politik mund të forcohet edhe me kompetenca të rëndësishme praktike.

Në këtë mënyrë Kuvendi i këshilltarëve Shqiptar, duke krijuar institucione rajonale të inicuara dhe të përkrahura nga pushtetet lokale, do të trasonte rrugën institucionale për sigurimin e kompetencave që me marrëveshjen e Brukselit tanimë iu janë garantuar Asociacionit me shumicë serbe në Kosovë.

Natyrisht për zhvillim pozitiv të këtyre proceseve socio – politike është i domosdoshëm debat demokratik me strukturat shtetërore në Serbi, sikur që në të njejtën kohë është e domosdoshme përkrahja adekuate nga Kosova e Shqipëria e mbi të gjitha nga faktori ndëkombëtarë.