PVD në Medvegjë e kënaqur me rezultatin e zgjedhjeve, falënderon elektoratin
Kryetari i degës së Partisë për Veprim Demokratik në Medvegjë, Fehmi Beha ka vlerësuar lartë rezultatin e arritur në zgjedhjet parlamentare të 16 marsit në të cilat shqiptarët arriten të marrin dy deputetë në Parlamentin e Republikës së Serbisë. Me këtë rast, z. Beha theksoi organizimin e mirë të votuesve nga Medvegja të cilët përkohësisht jetojnë në Kosovë.
“Organizimi ishte i mirë dhe pati sukses. Shqiptarët nga Medvegja të cilët përkohësisht jetojnë në Kosovë iu përgjigjën ftesës dhe atë ditë erdhën të votojnë 11-të autobusë përplotë me votues nga Prishtina. Partia për Veprim Demokratik kishte gjithsej 796 vota dhe lirisht mund të thuhet se ky ishte një sukses duke marrë parasysh numrin e popullatës e cila është duke jetuar në Medvegjë. Organizimi ishte i mirë, me disa mangësi, pati vërejtje normalisht sikurse çdo organizim i madh që ka vërejtje, mirëpo ne u kërkojmë falje të gjithë atyre të cilëve ndoshta nuk kemi pasur mundësi t’u ofrojmë diçka më tepër se transportin, apo në qoftë se ka pasë ndonjë parregullësi, jam i sigurtë se në të ardhmën do t’i evitojmë ato”, tha Beha.
I pyetur se çka mund të presin qytetarët nga këto zgjedhje, z. Beha tha: “Sigurisht se nuk mund të pritet ndonjë mrekulli të ndodhë me dy deputetë, mirëpo sado-kudo dy deputetë do të kenë fuqi më të madhe për paraqitjen dhe trajtimin e problemeve të shqiptarëve në këto tre komuna”.
Në Medvegjë, lista Partia për Veprim Demokratik – Riza Halimi ka marrë 796 vota apo 19%. (F.K. medvegja.net)


