Pushteti zvarrit reformën për të manipuluar zgjedhjet

Kriza politike po thellohet, askush nuk mendon për legjislacion të ri zgjedhor.
Burjani: Rezultatet e grupeve punuese, në pikën zero
Kryetarja e Komisionit të ligjeve, Albulena Haxhiu, nga lëvizja ‘Vetëvendosje’, thotë se me heshtjen e procesit për reformën zgjedhore në këtë mandat të ri qeverisës, vetëm sa po konfirmohet se qasja nuk ishte serioze dhe zgjedhjet e reja gjithsesi do të mund të mbahen me legjislacionin e vjetër, dhe me plot rreziqe për mundësi manipulimi
Derisa kriza politike në vend po vazhdon të thellohet, imponohen si mundësi zgjedhjet e jashtëzakonshme. Por, subjektet politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës e kanë lënë krejtësisht pas dore, mbase edhe qëllimisht, finalizimin e reformës zgjedhorë, të cilën e patën iniciuar dhe proceduar me plot improvizime në dy mandatet e kaluara qeverisëse.
Sidoqoftë, njohësit e fushës së proceseve zgjedhore në vend, alarmojnë se shkuarja eventuale në zgjedhje të reja me legjislacionin e vjetër, pa e përmbyllur një proces të mirëfilltë zgjedhor, nuk ka shanse të prodhojë zgjedhje të besueshme e kredibile, me këtë edhe institucione të mirëfillta demokratike që duhet të jenë pasqyrim real i vullnetit të votuesve, sepse prapë do të kishim zgjedhje me vjedhje dhe blerje votash.
Kryetarja e Komisionit të ligjeve në Kuvendin e Kosovës, deputetja Albulena Haxhiu, konstaton se vetë mënyra se si u iniciua dhe si mbeti në gjysmë të rrugës një nismë e subjekteve më të mëdha politike parlamentare në Kuvendin e Kosovës për reformën zgjedhore e Kushtetuese, tregon më së miri se kjo ishte vetëm farsë sa për tejkalim të një krize, në të cilën ishin futur ato në mandatin e kaluar, por jo edhe vullnet i mirëfilltë për të pasur një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore në interes të vendit. Ajo shton se me heshtjen e këtij procesi në këtë mandat të ri qeverisës, vetëm sa po konfirmohet se qasja nuk ishte serioze dhe zgjedhjet e reja gjithsesi do të mund të mbahen me legjislacionin e vjetër, dhe me plot rreziqe për mundësi manipulimi.
“E ashtuquajtura ‘Reforma zgjedhore’, e nisur në vitin 2011, ka qenë një farsë dhe një mashtrim klasik nga ana Thaçit ndaj Isa Mustafës. Besoj ju kujtohet prilli 2011, Marrëveshja Thaçi-MustafaPacolli-Dell. Aty u morën vesh që Pacolli të hiqte dorë nga posti i presidentit, meqë LDK-ja e dërgoi në Kushtetuese procedurën e zgjedhjes dhe të bëhej zv.kryeministër e t’i shtohej Ministria e Zhvillimit Ekonomik, që të miratohej kandidatura e Ambasadës Amerikane, pra Atifete Jahjaga dhe Isa Musfata, në emër të LDK-së kërkoi reformën zgjedhore dhe ndërrimin e Kushtetutës për zgjedhjen e presidentit. Për këtë farsë u ngritën komisione ad hoc parlamentare, u ftua shoqëria civile, ekspertë e përfaqësues të shoqërisë civile. Por, siç e dini, Hashim Thaçi ra në heshtje, pasi kaloi afati ligjor se kur mund të shqyrtoheshin këto çështje. Edhe atëherë, edhe tani reforma zgjedhore dhe zgjedhja e presidentit nga populli qenë dhe mbeten kalkulime mediokre kryesisht të LDK-së dhe PDK-së”, thotë për “Kosova Sot” kryetarja e Komisionit të ligjeve, Albulena Haxhiu, nga lëvizja ‘Vetëvendosje’. Haxhiu ka thënë se për dallim nga ‘Vetëvendosje’, që ka punuar e hartuar propozime e amendamente për një qasje serioze të reformimit të sistemit, kanë qenë dy subjektet PDK-LDK, që nuk dorëzuan asnjëherë me shkrim propozimet e tyre./kosova sot/