Pushteti trash luksin, borxhi miliardësh shtohet mbi kurrizin e qytetarëve të varfër
Trendi rritës është alarmant, ekspertët paralajmërojnë kohë të vështira për vendin
Borxhi publik po rritet, ndërsa rëndon mbi kurrizin e qytetarëve të Kosovës që duhet të paguajnë për vite të tëra. Të dhënat zyrtare tregojnë se borxhi publik është për 9 për qind më i lartë sesa ka qenë vjet. Edhe pse krahasuar me rajonin, ky borxh mbetet ende në nivele më të ulëta, trendi rritës e tij është gjithnjë e më shqetësues. Nga analistët ka dyshime të mëdha se kjo Qeveri Kosovën me politikat e saj të mbrapshta, do ta dërgojë në kolaps ekonomik. Eksperti i ekonomisë Ardian Nokaj, për gazetën “Kosova Sot”, sqaroi se duke u mbështetur në Ligjin për Borxhet Publike, shuma e papaguar e borxhit të përgjithshëm, në asnjë rast nuk duhet të tejkalojë dyzet për qind të Bruto Produktit Vendor (BPV). “Në rast se borxhi i përgjithshëm e tejkalon këtë përqindje të Bruto Produktit Vendor, atëherë Qeveria duhet t’i paraqesë Kuvendit strategjinë për të kthyer borxhin e përgjithshëm nën pragun dyzet për qind”, u shpreh ai. Sipas analistit Nokaj, Kosova borxh të jashtëm më së shumti i ka Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore. “Por, pavarësisht rritjes së shumës së borxhit, ai vlerësohet më i ulëti në rajon”, potencoi ai.
Prapambetje e theksuar ekonomike
Bankieri Milazim Abazi, për gazetën ” Kosova Sot”, tha se borxhi publik i Kosovës fatmirësisht është ende shumë i vogël, kështu që në një nivel të ulët të borxhit edhe rritja prej 9 për qind nuk paraqet ndonjë problem. “Kosova ka një prapambetje të trashëguar jo vetëm ekonomike, por edhe infrastrukturore si në rrugë, ujë të pijshëm, ujëra të zeza, rrjete spitalore, rrjete të çerdheve dhe shkollave, etj.”, u shpreh ai. Sipas Abazit, me këtë nivel të ulët të realizimit të buxhetit, Kosova nuk ka shans që të përmirësojë këtë infrastrukturë pa rritjen e borxhit publik. “Rritja e borxhit publik për nevojat e përmirësimit të infrastrukturës së lartpërmendur, përveçse do të ndikojë në zhvillim të përshpejtuar ekonomik, por do të ndikojë ndjeshëm edhe në rritjen e buxhetit. Një buxhet i rritur në vitet në vazhdim do ta përballojë me sukses edhe rritjen e borxhit publik. Te angazhimet e reja kreditore, Qeveria duhet të ketë kujdes që ato t’i kontraktojë me terma sa më të buta”, vlerësoi ai. Ndërsa, eksperti i fushës së Integrimeve Evropiane në sektorin e ekonomisë Nëntor Shaqiri, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se pavarësisht shifrave që ka borxhi publik, rëndësi kanë efektet që krijon ky borxh. “Pasi këtë borxh e paguajnë gjeneratat e reja, dhe nëse ata paguajnë diçka që nuk ka dhënë efekte afatgjata është e padrejtë”, vlerësoi ai.
Papunësia rekord, politikanët miliarderë
Analisti i ekonomisë Lulzim Beqiri, për “Kosova Sot”, thotë se historia e re e Republikës së Kosovës ka kaluar nëpër ndryshime dhe transformime të veçanta politike dhe ekonomike. “Veçanërisht në 17 vjetët e fundit, Kosova përjetoi një transformim nga një ekonomi e centralizuar në atë të tregut. Megjithatë, ambienti ligjor, i cili është i nevojshëm për ta përkrahur zhvillimin e një ekonomietë tregut, ka qenë i paqëndrueshëm dhe i ndërlikuar”, u shpreh ai. “Gjatë viteve të paraluftës, Kosova ishte në një amulli të plotë juridike e ekonomike për shkak të kontrollimit të institucioneve dhe të ekonomisë prej masave të dhunshme të ishJugosllavisë së mbetur. Regjimi serb në Kosovë nuk u mjaftua me plaçkitjen e shumicës së ndërmarrjeve kosovare, duke i lënë në gjendje të mjerueshme këto biznese përgjatë viteve të 90-ta, por, përmes ligjeve tendencioze, të gjitha ndërmarrjet publike në Kosovë u nacionalizuan si ndërmarrje të shtetit të Serbisë, çka do të thotë që edhe mbas luftës la pasoja të mëdha juridike përgjatë privatizimit”, potencoi ai. “Zhvillimi ekonomik dhe punësimi janë problemet kryesore të rinisë kosovare. Sipas të dhënave zyrtare nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, papunësia sillet rreth 40 për qind, ndërkaq sipas shumë hulumtimeve të organizatave të ndryshme që monitorojnë punësimin papunësia arrin deri në 40 për qind, prandaj kemi edhe dëshira nga kosovarët të ikin nga ky vend, për një jetë më të mirë, përderisa analizon pasurinë e pushtetarëve që shumë nga ta janë milionerë e që besa edhe miliarderë pa ndonjë mbulesë të dëshmuar, e për pasojë të politikave jo të duhura nga ana e institucioneve biznesi kosovar po has në barriera jologjike, konkurrenca jolojale, kamatat e larta, procedura burokratike, të gjitha kanë ndikuar dukshëm në perceptim negativ të investitorëve për të investuar në Kosovë”, ka thënë më tej Beqiri.
Kryeministri zgjidh “qesen”, ministri i Financave alarmon Ndërsa analisti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj tha për ” Kosova Sot “, se është e papranueshme që një vend që ende është si shtet në provë të rrezikojë falimentimin financiare dhe mund të kujtojmë Shqipërinë e viteve 1997 dhe të paramendoni që Kosova ende ka punë në njohje politike dhe sigurim të ulëses në Kombet e Bashkuara, kurse Qeveria e tanishme po e rrezikon Kosovën me borxhin publik vetëm për një luks qeveritar. “Është e habitshme me kryeministrin aktual ku ministri i Financave për çdo ngritje të pagave shprehet që Kosova rrezikon anën makrofinaciare dhe kryeministri nuk e përfill atë fare, duke i rritur paga marramendëse vetvetes dhe në luks qeveritar. Andaj, nëse vazhdon me këtë kryeneçësi dhe autoritarizëm, kryeministri aktual, Kosova shumë shpejt do të futet në një krizë ekonomike dhe financiare, duke rrezikuar seriozisht shtetësinë e vet, e aq më e rënda kur tani Kosova është në bisedimet përfundimtare me Serbinë, sa joserioz do të dilnim si shtet që nuk mund të kalojë fazën e provës”, potencoi ai. Analisti Kadriaj thekson se do të ishte e papranueshme nëse kjo Qeveri do të hynte në projekte të mëdha investive që edhe për ndonjë dështim do të ishte e natyrshme, sepse ka shumë shtete në botë që kanë rrezikuar stabilitetin makrofinaciar për shkak të investimeve, por të rrezikojë Kosova për shkak të pagave dhe luksit qeveritar, vërtet kjo situatë është e papranueshme.
BEQIRI: PUSHTETARËT ZHVATËS VARFËROJNË POPULLIN “Çdo qytetar i Kosovës është dëshmitar se politikanët kosovarë në fushata zgjedhore premtojnë shumë e realizojnë pak. Qëllimin e kanë të vijnë në pushtet, pastaj të mendojnë për qytetarët e vet, sepse çdo kryeministër ka premtuar mrekulli, e në anën tjetër janë 270 mijë familje në asistencë sociale, me një papunësi mbi 40 për qind, me një ekonomi buzë shkatërrimit”, tha analisti Lulzim Beqiri. “Duhet ta dini se çdo qytetar i Republikës së Kosovës merr pjesë në borxhin publik të shtetit me rreth 500 euro për secilin qytetar, duhet të llogarisë për t’i ndarë rreth 500 euro nga të ardhurat e tij. Kosova ka aktualisht rreth 852 milionë euro borxh. Dhe duhet shtruar pyetjen se kah është duke shkuar kjo ekonomi me këta hapa çoroditës. Kjo, ngase ekonomia kosovare ka kapitulluar, përderisa partitë politike e kanë dertin e vetëm karrigen e tyre. Ekonomia dhe sistemi financiar në Kosovë janë jashtë kontrolli, Kosova ka nevojë për stabilitet politik që të ketë zhvillim ekonomik. Qeveria e Republikës së Kosovës ka dështuar të menaxhojë asetet e saj dhe kjo është mjaft shqetësuese”, theksoi Beqiri për “Kosova Sot”
GRAPCI: KOSOVA MUND TË NDJEKË SHEMBULLIN GREK
Analisti i ekonomisë Dardan Grapci, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se është për keqardhje se ky borxh publik që po rritet në Kosovë, një ditë qytetarëve të Kosovës do t’u dalë nga hunda, për shkak se populli gjithmonë ka rënë viktimë e keqpërdorimeve nga politikanët. “Qeveria e Kosovë po merr borxhe pa pasur nevojë, për shkak të moskthimit të borxhit paraprak. E di se në Kosovë duhet të investohet, por mbetet një mister se paratë e borxheve që po i marrim, a thua ku janë apo ato një pjesë e madhe po zhvaten nga politikanët tanë, ngase rezultati përfundimtar i këtyre borxheve është barazi me zero. Ngase, është vërtet për keqardhje se askund nuk po shihen ato borxhe që po i marrin pushtetarët tanë, se ku po i investojnë ato para. Së këndejmi, nëse vazhdohet me këto skandale të marrjes hua të borxheve edhe në të ardhmen, kam frikën se edhe Kosova do të mund që ta ketë fatin e njëjtë sikur Greqia para disa vjetëve”, paralajmëroi Grapci
(Kosova Sot)


