Hidromorava

Pushteti tallet, Demarkacioni mban peng dy milionë qytetarë

/ 7 minuta lexim

Derisa presioni ndërkombëtar karshi institucioneve të Kosovës sa vjen e shtohet, që pa vonesë ta bëjë ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi, analistët politikë e shohin ekzekutivin e vendit në një situatë tepër të vështirë, ngase pushteti mbetet i ndarë sa i takon qëndrimit për Demarkacionin.

MARRËVESHJA PËR KUFIRIN ME MALIN E ZI, SFIDË E PATEJKALUAR

Kryeministri mbështet version tjetër, Presidenti të mëparshmin

Derisa presioni ndërkombëtar karshi institucioneve të Kosovës sa vjen e shtohet, që pa vonesë ta bëjë ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi, analistët politikë e shohin ekzekutivin e vendit në një situatë tepër të vështirë, ngase pushteti mbetet i ndarë sa i takon qëndrimit për Demarkacionin.

Sipas njohësve të rrethanave politike në vend, shtrohet si pikëpyetje e madhe tani se si mund të funksionojë kjo qeveri me pikëpamje të ndryshme mbi Demarkacionin me Malin e Zi. Kryeministri Haradinaj ka formuar edhe komision të ri për rishikimin e krejt procesit të finalizuar nga ish-Qeveritë e kaluara, ‘Thaçi e Mustafa’, kurse edhe vetë nënshkruesi i këtij demarkacioni, presidenti Hashim Thaçi, që vjen nga PDK-ja, parti me të cilën është në koalicion AAK-ja, thotë se Demarkacioni nuk mund të ndryshohet me komisione të reja koti. Sipas analistëve politikë, në një situatë të tillë, kur mbi qeverinë ‘Haradinaj’ bëhet presion që të mos bëjë asnjë ndryshim të vogël në Marrëveshjen e Demarkacionit, del që koalicionet qeveritare po bëhen vetëm për interesa të ngushta personale, e jo edhe për interesin e qytetarëve dhe imazhin e shtetit, nëse në fund kjo qeveri dorëzohet karshi këtij presioni. Nëse edhe Kadri Veseli përkrah Thaçin për Demarkacionin, atëherë shtrohet pyetja se çfarë mund të bëjë Ramush Haradinaj me vetëm pak vota që ka në Parlament. Kjo sipas analistëve politikë del vetëm si një tallje e radhës me qytetarët, derisa edhe kundërshtarët e deridjeshëm të kësaj marrëveshje do të detyrohen ta votojnë – ratifikojnë atë.

Fatura e përbashkët e dështimit

Fundamenti

Politologu Gurakuq Kuçi konsideron se pavarësisht situatës së pavolitshme në të cilën mund të gjendet qeveria ‘Haradinaj’, edhe me mundësi dështimi për ta quar përpara këtë proces, përgjegjësia nuk mund t’i faturohet vetëm kësaj qeverie dhe të amnistohen Thaçi e Mustafa, por fatura duhet dhe do të jetë e përbashkët. “Nëse sot ne dështojmë në çështjen e demarkacionit, fatura duhet t’u mveshët presidentit të vendit dhe ish-kryeministrit Isa Mustafa, e më së paku të tjerëve, dhe kjo për shkaqe që i kam shpjeguar më herët. Por sa i përket Kuvendit, tek çështja e Demarkacionit, pa i marrë parasysh inatet politike, Haradinaj e ka përkrahjen nëse të gjithë mbajnë kohezion të qëndrimeve. VV-ja e ka përkrahur dhe e përkrah këtë kauzë bashkë me Nismën, LDK-ja ka deklaruar që ne e votojmë Demarkacionin vetëm nëse z. Haradinaj e rikthen kufirin pretendues”, u shpreh ai. “PDK-ja mbetet e vetmuar, gjë që besoj edhe kjo parti nuk do t’i shmanget procesit, ose në rrethana të tjera vendi mesin e vitit të ardhshëm shkon në zgjedhje dhe e kemi përsëri në koalicion dhe pushtet PDK-në me LDK-në, me arsyen e kalimit të çështjeve të mëdha”, tha Kuçi për “Kosova Sot”.

Ratifikim ose arbitrazh

Analisti Ilir Fetahu konsideron se epilogu i kësaj teme duhet të përmbyllet shpejt, pasi kjo është sfida kryesore e këtij kabineti qeveritar që ndërlidhet edhe me lirinë e lëvizjes për qytetarët, nëse BEja e mban fjalën, kështu që Demarkacioni ose duhet të marrë notë kaluese në Kuvend ose duhet të rrëzohet dhe të hapet mundësia për Arbitrazhin. “Unë mendoj që tani pa shumë vonesë gjërat do të vijnë duke u qartësuar, ditëve në vijim, dhe në momentin kur të del komisioni i formuar së fundi në krye me prof. Bulliqin, me raportin e matjes së saktësisë së kufirit, atëherë do të shihet saktë se cili është dallimi në mes të matjes së parë dhe matjes së dytë dhe eventualisht që nëse ka ndryshim, besoj që do të tentohet të negociohet marrëveshje e re me Malin e Zi”, u shpreh ai. “Nëse kjo arrihet të bëhet gjërat do të bien në vendin e vet, por nëse jo besoj që pa vonesë Kuvendi do ta nxjerrë në votim këtë version të marrëveshjes, do të hedhë poshtë dhe çështja do të shkojë për zgjidhje në Arbitrazh ndërkombëtar. Besoj që tani ky proces të ketë një zgjidhje më të lehtë, pasi një nga kundërshtarët e fuqishëm të kësaj çështje, Haradinaj, tani është në pushtet në krye të qeverisë, dhe mund t’i shohë gjërat pak më ndryshe, ku do të ketë më shumë informacione, për çka edhe kjo çështje nuk mund të zvarritet shumë gjatë, por duhet dhe besoj që do ta marrë epilogun më meritor në interes të vendit”, tha Ilir Fetahu për “Kosova Sot”.

Kryeministri, i pafuqishëm politikisht

Analisti politik Hidajet Ahmeti thotë se Haradinaj edhe në këtë temë do të mbetet për të vendosur krejtësisht në vartësi të qëndrimit të PDK-së, sepse, sipas tij, pa dyshim, ai është vetëm një kukull kryeministër. “Çdo përpjekje e zotit Haradinaj për një qeverisje të mirë, e cila do të përkthehej në dobi të trupit publik dhe interesave shtetërore, do të mbetet vetëm një përpjekje në tentativë. Haradinaj mund të ketë vullnetin për punuar e vepruar drejtë e mirë, por jo fuqinë politike dhe vizionin për të vepruar e punuar drejt e mirë. Një qeverisje e paintegruar nuk sjell stabilitet, mirëqenie, zhvillim e ekonomik, e mbi të gjitha nuk mund të prodhojë një qeverisje të mirë”, u shpreh ai. “Deklaratat e zotit Haradinaj më shumë kanë në intencë konsumimin e brendshëm të opinionit publik sesa realisht mund të prodhojnë një gjendje me ndryshe për rastin e Demarkacionit. Haradinaj është i vetëdijshëm për procesin e demarkimit, por bashkëqeverisja me PDK-në do t’ia pamundësojë një korrigjim të këtij versioni, pasi që Thaçi ka qenë personi i cili ka nënshkruar një version të tillë”, theksoi Ahmeti për “Kosova SOT”. Ndërsa sipas politologut Adnan Bajrami, futja e Haradinajt në këtë proces për rishikim, e obligon atë që jo më larg se 6 muaj ta përmbyllë epilogun. “Ramushi duhet brenda 6 muajsh t’ia vërtetojë popullit, me argumente se ka pasur të drejtë në këtë kauzë. Nëse e vërteton mendoj se duhet ta ketë edhe përkrahjen e VV-së, pasi në këtë kauzë kanë qenë së bashku. Partia Demokratike nëse nuk e votojnë të gjithë, një pjesë e tyre sigurisht se do ta votojnë, mirëpo Ramushi duhet shumë shpejt të sjellë fakte që kufiri është në Çakorr, përndryshe popullit po i humb durimi nga izolimi për shkak të liberalizimit të vizave, edhe gjendjes së rëndë ekonomike”, tha politologu Adnan Bajrami për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)