Mobi Casa

Pushteti korruptiv saboton çdo nismë për VETTING-un

/ 9 minuta lexim
KKVITI

Ekspertët e fushës së të drejtës dhe analistët e pavarur vazhdojnë ta shohin me zhgënjim të madh heshtjen e politikës kosovare karshi shumë kërkesave dhe ideve që edhe Kosova të hartojë dhe të zbatojë Ligjin e VETTING-ut. Bllokimi i këtij ligji duket ashiqare që vjen nga politika, nga Qeveria dhe Kuvendi, që nuk propozojnë ligj për Vetting-un në drejtësi.

Miftari: Këto organe shtetërore janë të mbushura 90% me sekserë, servilë, militantë, daja, nipa, teze e dashnore të politikanëve të korruptuar, multimilionerëve të shtetit sot më të varfër e më të izoluar në Evropë

“Siç po shihet, nuk mund të shpresohet se do të merret seriozisht edhe Kuvendi, se do të merret me çështjet e drejtësisë për punët që i takojnë, për ta reformuar në rrënjë këtë sistem, duke prekur e duke ndryshuar edhe pjesë të Kushtetutës së vendit, duke bërë sa më shpejt Ligjin e VETTINGut për drejtësinë, një VETTING të ngjashëm me atë në Shqipëri, respektivisht për Gjyqësorin, Prokurorinë, Policinë dhe për të gjitha institucionet e shtetit, sikur edhe për politikën në Qeverinë qendrore dhe në komunat kosovare”, thotë analisti Naim Kelmendi për “Kosova Sot”

E kspertët e fushës së të drejtës dhe analistët e pavarur vazhdojnë ta shohin me zhgënjim të madh heshtjen e politikës kosovare karshi shumë kërkesave dhe ideve që edhe Kosova të hartojë dhe të zbatojë Ligjin e VETTING-ut. Bllokimi i këtij ligji duket ashiqare që vjen nga politika, nga Qeveria dhe Kuvendi, që nuk propozojnë ligj për Vetting-un në drejtësi.

Në fakt, kjo heshtje ndodh, ngase edhe Kuvendit edhe Qeverisë u konvenon drejtësia e inkriminuar, të cilën e kanë më lehtë ta mbajnë nën kontroll. Ata janë shumë të vetëdijshëm, që nëse një ditë ndodh që të pastrohen nga krimi brenda tyre, gjykatat dhe prokuroritë dhe hetuesie e policisë , qeveritarët e korruptuar e të tejinkriminuar i pret burgu dhe përballja e pashmangshme me drejtësinë, prandaj edhe po bllokohet Ligji i VETTING-ut.

Eksperti i fushës së sigurisë, Naim Miftari, mendon se problemi i moskërkesës për një Vetting të organeve të drejtësisë dhe i organeve të tjera të kapura nga krimi i organizuar nga ana e Qeverisë, nga Parlamenti, nga vetë strukturat politike, tregon qartë se këto të gjitha janë të kontrolluara nga krimi i organizuar, ku klane dhe parasistemet politike e bëjnë ligjin e shefave, por jo ligjin e drejtësisë së shtetit.”Dihet publikisht se këto organe të shenjta të shtetit dhe ligjit janë të kontrolluara nga politikanët e korruptuar, të cilët organet e shtetit i përdorin si mburojë ose si mbulesë pa pasur frikë nga ndëshkimi i organeve ligjore”, theksoi ai për “Kosova Sot”.

Të verifikohet pasurimi i dyshimtë i zyrtarëve

Sipas ligjëruesit të së drejtës, Blerim Burjani, derisa politika nuk është e gatshme të nisë me vetë-iniciativë një proces të tillë, do të duhej bërë një presion më i madh përmes kërkesave të adresuara nga shoqëria civile që mbikëqyr punën e institucioneve të shtetit. “Vetting-u është i domosdoshëm, sikurse edhe verifikimi i plotë i prejardhjes së pasurisë për gjyqtarët, prokurorët dhe politikanët, si dhe veprime të tjera hetuese për shumë politikanë për mënyrën e pasurimit. Çdo gjë që është pasurore dhe nuk mund të verifikojë individi, qoftë ai gjyqtar apo politikan, duhet konfiskuar, kurse marrja e procedurave apo hetimi për keqpërdorim të detyrës zyrtare përmes zhvatjes së parasë publike duhet të hetohet.

Kjo drejtësi nuk ka besim, për shkak të kapjes dhe nuk mundet kurrqysh të përmirësojë performancën për kategoritë tjera”, u shpreh ai. “Drejtësia funksionon për të gjithë, përveç njerëzve që thonë se merren me politikë, andaj as nuk ka ndjekje serioze penale, e as nxjerrje të aktgjykimeve dënues. Për këtë arsye ka shumë vërejtje dhe kritika të mëdha në drejtim të Gjyqësisë dhe të Prokurorisë”, tha Burjani për “Kosova Sot”. Analisti dhe publicist, Naim Kelmendi, thotë se është një situatë zhgënjyese tani kur edhe në këtë mandat nuk pritet që Kosova ta bëjë VETTING-un, pasi me këtë ndjehet e rrezikuar kjo kastë politike dhe njerëzit e saj mburojë në drejtësinë e kapur të Kosovës.

“Në të vërtetë është pritur që gjatë këtij mandati Qeveria dhe Kuvendi të propozojnë ligjin e Reformës së drejtësisë, e cila është katandisur tepër keq dhe jo vetëm ajo. Qeveria ‘Haradinaj’ ka nxjerrë disa plane për reformimin e drejtësisë, por në fakt zgjedhjet lokale e prolonguan këtë çështje tepër të ngutshme”, theksoi ai. “Po ashtu, në VETTING do të duhej përfshirë edhe administratat publike, komunale e qeveritare, me qëllim vetëpastrimi ligjor nga të korruptuarit dhe të tejinkriminuarit në institucione të shtetit dhe në politikën e vendi”, tha Naim Kelmendi për “Kosova Sot”.

Të inkriminuarit nuk mund të bëjnë reformë

Mobi Casa

Sipas analistit politik Arsim Haziri, derisa institucionet e shtetit të jenë të kapura nga kjo klasë politike e zhytur thellë në krim e korrupsion, ideja e VETTING-ut do të jetë vetëm një kërkesë e njerëzve dhe medieve me vullnet të mirë, por nuk do të realizohet. “Është paradoksale të kërkohej proces Vetting-u prej atyre që janë të kriminalizuar, është paksa e besueshme një tendencë e tillë, sidomos kur kemi perceptimin negativ për 50% të parlamentarëve e gjyqtarëve.

“Procesi i kontrollimit dhe vlerësimit të sistemit të drejtësisë, do të ishte vendimtar për eliminimin e shkeljeve, mosprofesionalizmave, mirëpo nuk konsideroj se realizohet, mbase kësisoj pasqyrohen veprimtaritë kriminale. Vendit procesin e kontrollimit mund t’ia ofrojë një qeverisje tjetër, e cila nuk ka qenë në pushtet dhe fizikisht e politikisht ka qenë lart shpërfilljes e shkeljeve. Kosova nuk qëndron rastësisht në kushtet aktuale e të dhunshme, kjo gjendje është produkt i politikës dhe duke qenë valide një situatë e tillë është më i mundshëm zotërimi i shoqërisë”, u shpreh ai.

“Reformimi i thellë ndër institucione do të mund të aplikohej prej një perspektive tjetër politike, një forcë tjetër e cila do t’i tejkalonte ambiciet individuale e klanore, për t’iu dhënë atij nacionale. Një mendësi e tillë ka rezultuar që Kosova përpos që është zvetënuar në pikëpamje të brendshme, ajo po rrezikon të dështojë edhe në aspekt të jashtëm. Është radha e fundit për forcat opozitare që t’i bashkërendojnë forcat e tyre në të mirë të vendit, nëse edhe kësaj radhe pamundësohet ardhja e tyre në pushtet, degjenerimi i përgjithshëm do të jetë çështje e kryer”, tha Haziri për “Kosova Sot”.

Miftari: Nepotizëm dhe korrupsion masiv

“Këto organe shtetërore janë të mbushura 90% me sekserë, servilë, militantë, daja, nipa, teze e dashnore të politikanëve të korruptuar, multimilionerëve të shtetit sot më të varfër e më të izoluar në Evropë. Për sa vlen motoja që marrja me politikë shtetërore të bën edhe shumë të pasur ty si politikan, që korruptohesh dhe s’ke frikë nga ligji dhe dënimi, e gjendja do të vazhdojë kësisoj edhe shumë vjet, ndoshta edhe dekada, pasi me këtë moto edhe politikanët e zyrtarët shtetërorë, që do vijnë më pas, janë të korruptuar qysh nga partia politike prej nga vijnë ,pasi do t’u shërbejnë klaneve dhe parasistemeve politike që në fakt janë krimi i organizuar që kontrollojnë parti politike.

Pra, janë mafia e shefave të partive, ku qytetari dhe votuesi i tyre është vrima e fundit e kavallit të mafisë. Prandaj nuk e duan Vetting-un, pasi pastrimi i organeve shtetërore nga mafia dhe korrupsioni do t’i dërgonte në njërin pas tjetrit, që nga presidenti Thaçi e deri tek ata policë të shtetit që dhunojnë edhe qytetaret, vajzat e mitura”, tha Naim Miftari për “Kosova Sot”.

Preteni: shteti i shantazhuar

“Nuk kërkojnë këta VETTING po të kenë edhe 100 vjet pushtet. Po i shihni të gjithë ndërskamcat që ia bëjnë pushtetet njëri- tjetrit. Asnjë vendim serioz në interes të vendit nuk e kanë marrë. Nuk ka vendime madhore pa influencën e miqve, nuk do të kishim ushtri, nuk do të kishim as shtet pa këtë influencë. S’ka vetting pa imponim! Shihni se çka po ndodh së fundi për Ligjin e Pagave, ndërskamca, protesta e greva, që të gjitha të organizuara, një pushtet kundër pushtetit tjetër. Aeroporti, po kush u punësua aty dhe me çfarë kriteresh!

Vetting-u është i domosdoshëm nëse mundë të fillojmë nga e para. Vetting vetëm në Polici, Prokurori e gjykata. Këta të pastruar e të larguar do të jenë edhe të parët të gjykuar. Nëse ky “pushtet” pastrohet e punësohet me njerëz me integritet, me moral, me etikë dhe me të kaluar të pastër. Do t’i pastrojë të gjitha pjesët e tjera të pushteteve të kapura. Nuk mbahet shteti me multimilionerë e me njerëz të shantazhuar “, tha Hasan Preteni për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)