RCCOLA

Pushteti kontrollon firmat fantome, nxjerr jashtë loje kompanitë serioze

/ 8 minuta lexim

Grupe të mafio-oligarkëve dhe politikanë të korruptuar, që nga pas lufta e deri më sot kanë nisur me fenomenin e blerjes dhe më pas edhe të krijimit të dhjetëra firmave të vogla, të cilat më pastaj po i rrisin në treg përmes metodave të tyre kriminale, duke i nxjerrë jashtë loje kompanitë serioze në secilën lëmi: ndërtimtari, sigurime, bujqësi, tregti etj.

Analistët e kësaj fushe janë të mendimit se, përderisa në pushtet do të jenë këto koalicione qeverisëse, do të lejohet që krimi i organizuar dhe nëntoka kriminale të udhëheqë me ekonominë kosovare si edhe me çdo institucion në të dyja nivelet në Kosovë.

Eksperti i ekonomisë, Zekim Istogu, për ” Kosova Sot “, tha se bizneset e mirë- fillta po ballafaqohen me sfidën e jolojalitetit në tregun e punës në Kosovë. “Janë dy arsyet kryesore, të këtij ambienti shumë të vështir për të bërë biznes. E para, është krijimi i bizneseve fantome për të përfituar nga tenderët e caktuar, e për t’u mbyllur pas disa viteve punë si të falimentuara, e duke lënë më pas një mal me borxhe ndaj shtetit dhe ndaj bizneseve të tjera”, u shpreh ai. “Këto kompani për kohën sa veprojnë mbesin gjithmonë jashtë radarit të taksambledhësve derisa pasuria e krijuar të tjetërsohet, e në fund borxhet ose falen ose regjistrohen në shtet si borxh i painkasueshëm. E dyta, është konkurrenca jolojale e ushtruar nga bizneset përfituese të fondeve publike pa asnjë kriter përzgjedhjeje”, shpjegoi Istogu.

I çojnë drejt falimentimit, pastaj i blejnë vetë

Sipas analistit Zekim Istogu, këto lloj biznesesh gradualisht po marrin monopolin, duke shkatërruar cilësinë e punës, e me këtë po i shkatërrojnë bizneset e mirëfillta, që aplikojnë standarde financiare teknike në fushat ku veprojnë. “Mbrapa të dyja këtyre kategorive të bizneseve fantome qëndrojnë eksponentë të politikës. Derisa të ketë këso kriteresh, bizneset në Kosovë do të mbesin të nivelit lokal, papunësia do të mbetet në këto nivele e deficiti tregtar me jashtë do të rritet”, ka potencuar ai. Ndërsa analisti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, për ” Kosova Sot”, tha se në vendet me demokraci dhe shtet ligjor të dobët kjo dukuri është normale dhe politika ditore e shfrytëzon në maksimum duke gjetur zbrazësi ligjore. “Edhe privatizimi çdo ditë e më shumë po dështon pikërisht duke bërë një privatizim me afera kriminale që para privatizimit e devalvojnë aksionet dhe pasuritë e ndërmarrjeve, ndërsa në momentin që privatizohen po të njëjtat ndërmarrje rrisin kapitalin me një ritëm aq të shpejtë jashtë praktikave dhe logjikës ekonomike”, ka thënë ai. “Me rastin e privatizimit, përveç blerjes nën çmimin e tregut dhe vlerës reale njëherësh po bëhet shpëlarje e parasë së pistë pa i kërkuar burimi i të hyrave.

Rasti aktual janë ‘Trepça’ dhe Telekomi i Kosovës, që politika ditore është duke e përgatitur opinionin që gjoja se po falimentojnë, që gjatë privatizimit të blihen me një çmim nënç- mues”, shpjegoi Kadriaj.

Vetëm politikanët, të suksesshëm në biznes

UBT

Eksperti i ekonomisë Lulzim Beqiri, për gazetën “Kosova Sot”, tha se jemi në një situatë të brishtë, në të cilën ekonomia kosovare ka nevojë për një përkushtim të jashtëzakonshëm nga një klasë e re politike. “Në situatën e tashme, në të cilën gjendet ekonomia vendore, është më shumë se në fund të pusit. Deri më tani nuk kemi pasur një klasë të përgjegjshme politike, e cila i jep prioritet ekonomisë, zhvillimit të saj, luftimit të monopoleve, luftimit të tenderomanisë, luftimit të ekonomisë informale, luftimit të haraçit, luftimit të dukurive, të cilat janë në dëm të një ekonomie të tregut”, vlerësoi ai. “Në mediat tona dëgjojmë gati përherë se qëllimin e vetëm e kanë lulëzimin ekonomik të Kosovës, e në realitet kjo nuk është duke ndodhur dhe mendoj se ka ardhur koha që të dalë në skenë një forcë e re politike, me orientim perëndimor dhe e përkushtuar që ta zhvillojë vendin ekonomikisht e politikisht”, vijoi më tej Beqiri. “Është shumë për çudi si ka mundësi vetëm politikanët të kenë sukses në biznes, vetëm ata nuk ndiejnë asnjë lloj krize financiare edhe nëse në krejt botën ka, pra këtu vërehet qartë se ka interesa të ndryshme që Kosovën e kanë sjellë në prag të falimentimit”, ka thënë analisti Lulzim Beqiri.

Kosovës i duhet model tjetër ekonomik

Eksperti i ekonomisë Dardan Grapci, për gazetën “Kosova Sot”, tha se që nga pas lufta e deri më sot, grupe të mafio-oligarkëve dhe politikanëve të korruptuar, kanë nisur me fenomenin e blerjes dhe më pas edhe të krijimit të dhjetëra firmave të vogla të cilat më pastaj po i rrisin në treg përmes metodave të tyre kriminale, duke i nxjerrë jashtë loje kompanitë serioze në secilën lëmi: ndërtimtari, sigurime, bujqësi, tregti etj. “Këto grupe përmes këtyre bizneseve të pista kanë bërë që të krijohet kjo klasë politike, ku janë edhe shumë biznesmenë se politikanë. Me kalimin e kohës ata kanë bërë një jetë luksoze, që nuk justifikohet me paga të ministrave, deputetëve apo pushtetarëve dhe kjo dëshmon një të vërtetë që krimi i organizuar fillon që nga Parlamenti, Qeveria, që ndërtohet nga kjo klasë politike”, vlerësoi ai. “Kjo klasë politike, e lidhur nga mafiozët e biznesit, nuk mund ta shkapë shtetin nga nëntoka e kriminalizuar, që në prapavijë është oligarkia, e cila flirton me klasën politike të korruptuar të Kosovës, sepse i bie ta luftojë vetveten”, potencoi Grapci. “Përderisa në pushtet do të jenë këto koalicione qeverisëse do të lejohet që krimi i organizuar dhe nëntoka kriminale të udhëheqin me ekonominë kosovare si edhe me çdo institucion në të dyja nivelet në Kosovë. Vërtet është për të ardhur keq se kush po e udhëheq shtetin, duke e marrë parasysh që shumica nga këta politikanë jo vetëm që janë të inkriminuar, por janë gjithashtu edhe në listën e zezë të Gjykatës Speciale dhe shumë shpejt do të gjykohen. Prandaj, si ka mundësi që një kryeministër, që është Ramush Haradinaj, nuk jep dorëheqje, por qëndron në pushtet duke menduar që do të shpëtojnë nga Gjykata Speciale”, vlerësoi Grapci. “Pikërisht për këto fakte Kosovës i duhet një model tjetër qeverisjeje në ekonomi për të pasur liberalizim të plotë të tregut, një konkurrencë të lirë mes bizneseve dhe jo që krimi i organizuar dhe nëntoka e mafio-oligarkisë të diktojnë e udhëheqin shtetin kriminalisht dhe jo ligjërisht”, ka thënë ai.

Qeverisje me duart e ndyra

Ndërsa, afaristi Ramadan Maloku, për ” Kosova Sot”, tha se nuk ka asnjë dyshim se që nga paslufta , mafio-oligarkët dhe politika, blejnë dhe krijojnë me dhjetëra firma të vogla. “Kjo na tregon se si bizneset e mirëfillta ballafaqohen me sfidën e jolojalitetit në tregun e Kosovës”, u shpreh ai. “Heshtja e shtetit përballë fenomenit të krimit të pasluftës dhe mënyra e mosveprimit, e mosinteresimit, e mospërfilljes së premtimeve të veta, të mandateve e ligjeve, e papërgjegjësisë, pandërgjegjshmërisë, e mungesës së transparencës, llogaridhënies e ndarjes së përgjegjësive, dëshmon se partitë politike e politikanët janë vetë, ose në koalicion, të implikuara në vepër inkriminimet e të gjitha ngjyrave, trajtave, formave”, ka vlerësuar Maloku. “Ata lënë gjurmë, japin dëshmi, ofrojnë prova se janë të implikuar drejtpërsëdrejti ose tërthorazi në të gjitha marifetet dhe se ata nuk mund ta kapin e ta marrin në përgjegjësi vetveten. Po shkelen në mënyrë flagrante ligjet dhe rregullat, duke e dëmtuar kështu ekonominë e vendit dhe në të njëjtën kohë shteti po fle”, vijoi më tej Maloku. Sipas tij, pa një qeverisje me duar të pastra ekonomia e vendit nuk do të ketë perspektivë.

(Kosova Sot)