Pushteti gjilanas – shkelës i madh i ligjit ose shpirti i kaosit në shoqëri

Nga Nuhi Ismajli – Pushteti aktual gjilanas nuk e dëshmoi deri më tash e as nuk po vazhdon të dëshmojë se po e kryen obligimin e pranuar qytetar, që të krijojë rregullin dhe kushtet e nevojshme për një jetë normale shoqërore.
Në vend të rregullit, për normalitetin e marrëdhënieve dhe zhvillimit të dëshirueshëm shoqëror, pushteti gjithnjë e me tepër, me sjelljet dhe veprimet e tij, po dëshmon se ai është instaluar dhe ekziston për interesat e ngushta të kastave të ndryshme, se, në vend të rregullit të dëshirueshëm shoqëror, synim ka ”rregullat” e kaosit dhe frytet e tij.
Një pushteti të tillë, ku veprimi i marrë konsiderohet urtësi dhe ku veprimi çnjerëzor quhet veprim i ndershëm njerëzor, më kot ia kërkon shoqin nëpër histori, sepse askund nuk e ka.
Shembujt për këtë, të provuar qe sa kohë, janë të shumtë, po ne po i përmendim vetëm disa raste të kohëve të fundit, të sjelljeve dhe veprimeve antiligjore dhe tejet antinjerëzore të pushtetit, të cilat i njohim mirë dhe janë të faktuara sa duhet në mesin tonë.
Rasti i parë: shkelja e konkursit për pranimin e nxënësve në klasën e dhjetë. Pushteti nuk respektoi konkursin e gjimnazit për pranimin e numrit të nxënësve, sipas konkursit, pra sipas planifikimit, as respektoi ndonjë rregull për orientimi profesional të nxënësve. Ai, duke shpërfillur keq konkursin dhe kërkesat pedagogjike, lejoi regjistrimin e nxënësve nëpër paralele përtej normës, përtej mundësive të hapësirës shkollore, përtej mundësive të inventarit shkollor etj., dhe shkaktoi një kaos me pasoja të mëdha për procesin edukativo- arsimor.
Mbasi pranoi nxënës në gjimnaz përtej normës dhe të tillë që, në aspektin e orientimit profesional, nuk e kishin vendin aty, ai iu shkaktoi edhe shkollave përkatëse mungesë të paarsyeshme të nxënësve, si dhe ndërhyri keq në kërkesat e arsimimit të gjeneratave të reja të shoqërisë sonë.
Rasti i dytë: pushteti gjilanas shkel konkursin për punësimin e punëtorëve.
Ne kemi përmendur, më parë, rastin e zënies, pa konkurs, të vendit të punës së arsimtarit të Gjeografisë, në gjimnazin “Z. Hajdini”, pas pensionimit të punëtorit, rast të cilin pushteti gjilanas ende nuk e ka korrigjuar. Rasti i zënies së vendit të punës, pa konkurs, si ai i arsimtarit të Gjeografisë, në gjimnaz, paraqet shkelje të rëndë ligjore nga ana e pushtetit, sepse kur vendi i punës lirohet, me rastin e pensionimit të punëtorit, është vend i lirë i punës dhe duhet të shpallet me konkurs, për ata që janë pa vend pune. Vendi i lirë i punës, pa konkurs, mund dhe duhet t’i jepet vetëm një punëtori me kualifikim adekuat (në kuadër te territorit të komunës), i cili ka statusin e tepricës teknologjike. Është shkelje e rëndë ligjore, kur vendi i lirë i punës fshehët nga qytetarët, që presin punë dhe, pa konkurs, i jepet atij që kërkon të ndërrojë vend pune, për shkak të ndonjë leverdie ose për shkak se ashtu dikujt i zgjidhet problemi, si p.sh. i zgjidhet problemi i vendit të punës për shkak të mungesës së kualifikimit adekuat të tij.
Pushteti gjilanas ka bërë shkelje ligjore, duke mos respektuar institucionin e konkursit, duke fshehur vendet e punës dhe duke shkelur rëndë të drejtave e qytetarëve, edhe në shumë raste të tjera dhe, jo veç, si në rastin e sipërpërmendur.
Ja disa raste, nga shkolla më përfaqësuese e komunës, nga gjimnazi “Z. Hajdini”, të cilat mund t’i vërejë e dëshmojë secili që ka interesim e nevojë t’i vërejë e dëshmojë ato:
1. Një punëtor, i pranuar në punë, sipas konkursit, në gusht të vitit 2012, ka 10 orë pune, kurse punëtori i pranuar pa konkurs, pas fillimit të vitit shkollor, për të njëjtën lëndë, ka gati normën e plotë!
2. Një vend i punës: rojtar i shkollës, i liruar, pas pensionimit të punëtorit, para shtatë-tetë muajve, është plotësuar pa konkurs, kurse konkursi është hapur tani!
3. Një vend i punës: bibliotekar i shkollës, para tetë-nëntë muajve, ende pa përfunduar mirë koha e nevojshme për pensionimin e punëtorit të mëparshëm, zihet, pa konkurs, nga një punëtor tjetër, kurse konkursi shpallet tani! Por, sikur çudia të ishte e vogël, për çka ka ngjarë, vazhdon edhe tutje: konkurrentëve me kualifikim adekuat, që provojnë të konkurrojnë, sipas konkursit, për bibliotekar, zyrtarët zemërkatranë i zmbrapsin me fjalët më dëshpëruese, që mund t’i thuhen një të papunësuari: “E kemi punëtorin tonë.”! “Punëtori po punon.”! “Nuk dimë ne për konkurs.”…!!!
Rasti i tretë: Pushteti gjilanas bën shkelje ligjore, pasi skandalet e veta (si me rastin e tenderëve për ekskursionet e të uniformave të nxënësve), i bën dhe “i mbulon” duke i shpallur fajtorë dhe duke i ndëshkuar të pafajshmit. Shembull: dënimi i drejtorit të gjimnazit Zejnullah Zejnullahut.
Etj. Etj.
Një pushtet normal, me një kulturë të nevojshme politike dhe qytetare, do të respektonte ligjin, do të krijonte rregullin në shoqëri dhe do t’i kontribuonte zhvillimit të një jete të denjë njerëzore, për çka e ka bërë një kontratë me qytetarët dhe nuk do të vepronte në asnjë mënyrë siç vepron pushteti gjilanas.
Por, kur ai vepron ashtu, siç po vepron pushteti gjilanas, në një shoqëri ku organet gjegjëse kryejnë si duhet obligimet e tyre, do t’i vinin fre një pushteti të harlisur, si ky, në sjelljet e veprimet e pandërgjegjshme të tij dhe do ta ulnin në bankën që meriton ta ulnin.
Në raste të tilla, në një shoqëri normale dhe me ndërgjegje të lartë njerëzore e qytetare, jo veç organet gjegjëse nuk do të ishin indiferente, po edhe vetë shoqëria qytetare, me kulturën e saj përgjithësisht e kulturën e saj politike veçanërisht dhe me ndërgjegjen e saj të lartë, nuk do të bëhej e verbër, as nuk do të heshtte, po do të bënte veprimin e saj të duhur politik, sepse pikërisht ajo është fajtore që lind një pushtet të tillë dhe e mban atë. (Kush është më shumë fajtor se shoqëria, e cila, pushtetin ia jep injorantit e të pandërgjegjshmit dhe e toleron atë?!).
Në një realitet të tillë, ku çdo gjë e paligjshme quhet e ligjshme, pse është bërë dhe mbrohet me forcën e pushtetit, vështirë është të jetohet njerëzishëm! Një jetë e tillë nuk është e denjë as për kafshët!