Pushteti është në panik

Nënkryetarja e Kuvendit dhe deputetja e “Vetëvendosjes”, Aida Dërguti, ka thënë se zanafilla e dhunës në Kuvendin e Kosovës ka nisur si rrjedhojë e deklaratave të Hashim Thaçit pas protestës së 17 shkurtit.
Veprimet e dhunshme ndaj deputetëve të opozitës dëshmojnë se pushteti është në panik. Kështu kanë deklaruar zyrtarët e Lëvizjes “Vetëvendosje” në një konferencë për media mbajtur të shtunën.
Nënkryetarja e Kuvendit dhe deputetja e “Vetëvendosjes”, Aida Dërguti, ka thënë se zanafilla e dhunës në Kuvendin e Kosovës ka nisur si rrjedhojë e deklaratave të Hashim Thaçit pas protestës së 17 shkurtit.
“Zanafilla e kësaj dhune nisi nga deklarimet e Hashim Thaçit pas protestës së 17 shkurtit, kur u pa përkrahja masive qytetare për opozitën dhe natyrisht, nuk ishin të vetmet çështje për të cilat protestuan qytetarët. Megjithatë, ne po e shohim këmbënguljen e kësaj Qeverie antikushtetuese që të vazhdojë të qëndrojë në krye të pushtetit me çdo kusht, përderisa t’i përmbushë të gjitha marrëveshjet e koalicionit”, ka deklaruar Dërguti
Kurse sa i përket deklaratës së ambasadorit amerikan, Greg Delawie, për liderët e opozitës, Dërguti ka thënë se vlerësimi i ambasadorit është një rrafsh estetik i asaj që duket si pamje dhe jo përmbajtjes si thellësi.
“Mendoj që vlerësimi i tij është më shumë në një far rrafshi estetik, e asaj se si duket si pamje më shumë sesa me përmbajtjen dhe thellësinë e këtij problemi dhe për këtë nuk i vë faj pasi që është një kohë e shkurtër që ai është në Kosovë – dhe e dyta nuk ka komunikim me opozitën për të kuptuar problemet ndoshta edhe nga këndvështrimi tjetër”, ka vlerësuar Dërguti.
Ndërsa, nënkryetari i “Vetëvendosjes”, Driton Çaushi, ka thënë se të gjitha arrestimet e deputetëve opozitarë që janë bërë të premten dëshmojnë se kjo Qeveri është në panik.
“Ky pushtet është nën panik, kjo dhunë nuk mund të shpjegohet ndryshe përveçse një reagim i një pushteti që i ka ditët e numëruara dhe i cili nuk kursen asnjë formë të tentimit të shtypjes së opozitës. Qoftë kjo edhe për të shtyrë përpara marrëveshjet antikushtetuese të cilat janë edhe shkaktarë të krizës që po zgjat tashmë gjashtë muaj. U përmend, janë arrestuar një numër i madh i deputetëve, të gjithë me një dhunë të madhe gjatë këtyre veprimeve”, është shprehur Çaushi.
Ndryshe, pas Fisnik Ismailit, edhe deputetëve Albulena Haxhiut, Donika Kadaj-Bujupit, Pal Lekajt dhe Besa Baftiut, gjykata te Pallati i Drejtësisë iu ka caktuar masën e arrestit shtëpiak prej 30 ditëve.
Ndërsa, deputetëve Enver Hotit, Mytaher Haskukës, Rexhep Selimit, Shqipe Pantinës dhe Teuta Haxhiut u është caktuar masa për paraqitje në Polici./zeri/