UBT

Pushteti e sundon ekonominë, mashtron qytetarët

/ 8 minuta lexim
Mobi Casa

Shpresat e mëdha dhe ëndrrat shekullore të qytetarëve të Kosovës se, pas lirisë së shumëpritur vendi do të përparojë me hapa gjigantë, mbetën vetëm një fontanë dëshirash, sepse në saje të politikave të pista të të gjitha garniturave të pushtetarëve tanë të pandërgjegjshëm nuk pati një zhvillim ekonomik në Kosovë që mbetet vetëm një iluzion.

Asnjë shenjë përparimi, politizimi po e rrënon shtetin

Shpresat e mëdha dhe ëndrrat shekullore të qytetarëve të Kosovës se, pas lirisë së shumëpritur vendi do të përparojë me hapa gjigantë, mbetën vetëm një fontanë dëshirash, sepse në saje të politikave të pista të të gjitha garniturave të pushtetarëve tanë të pandërgjegjshëm nuk pati një zhvillim ekonomik në Kosovë që mbetet vetëm një iluzion.

Ndërkaq, analistët janë të mendimit se e tëra kjo po ndodh nga pushtetarët tanë shumë të fortë dhe mafiozë të Kosovës, të cilët që nga paslufta janë me të madhe duke i shkelur rregullat e biznesit.

Analistët vlerësojnë se nëse nuk pate një nga pushtetarët e “fortë” nga majat e piramidave të pushtetit prapa kompanisë, qoftë si bashkaksionar të fshehtë apo për t`ia lagur fytin, në asnjë mënyrë tjetër nuk ke me pas asnjë shans që të mbijetosh në ekonominë e inkriminuar dhe të kriminalizuar të Kosovës nga pushtetarët dhe mafio-oligarkët financiarë dhe bizneseve të pista e kriminale. Eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci, tha për “Kosova Sot” se zhvillimi ekonomik në Kosovë është veçse një mashtrim nga pushtetarët e fortë, të cilët janë duke i shkelur rregullat e bërjes së biznesit dhe ligjin për një treg të lirë dhe zhvillim ekonomik.

Vendit i kanoset një eksod i ri

Sipas Grapcit, është për të ardhur keq se në çfarë gjendje ka ardhur shoqëria kosovare sot, ku në vend se të krijohen vende të reja të punës me kontrata afatgjata, kjo shoqëri dita-ditës po i humbet shpresat për të jetuar në Kosovë. Ai theksoi se sipas disa analistëve të huaj thuhet që nga Kosova mund të marrin rrugën e EKSODIT mbi 300.000 qytetarë të Kosovës sikur qysh pati ndodhur vitin 2015 në janar. “Nëse nuk merren masat për parandalimin e aksionarëve ilegalë dhe shkatërrues, kam frikën se Kosova do mbetet sikur disa shtete që nuk kanë fare rini për ta shumuar popullatën. Me fjalë të tjera, në Kosovë do jetojnë vetëm çiftet mbi moshën 45-vjeçare dhe ata që janë në pension”, është shprehur ai. Analisti Grapci pyet se duke e ditur që për t’u marrë me diçka që është ilegale mund të arrestohesh, atëherë pse nuk veprojnë Policia e Kosovës dhe Shërbimi i Inteligjencës së Kosovës . “Pse nuk po i arrestoni këta pushtetarë, të cilët që nga asgjëja ata tashmë kanë krijuar një pasuri marramendëse brenda një afati shumë të shkurtër?”, pyet ai. Sipas tij, këta biznesmenë me djersën e popullit brenda natës në mënyrë të jashtëligjshme i fitojnë mbi 20 milionë euro. “Për fatin tonë të keq institucionet shtetërore pa marrë parasysh se cilat janë ato, janë të kapura nga politika dhe mafia, e cila çdo ditë po vërehet edhe nga qytetarët, por që në fakt kanë frikë të flasin publikisht”, është shprehur më tutje Grapci.

Të gjitha qeveritë e pasluftës, përgjegjëse për degradimin

Nënkryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Ramadan Maloku, tha për “Kosova Sot” se duhet të jemi realë se përgjegjësinë për këtë gjendje të brishtë në ekonominë tonë që ka ardhur buzë falimentimit, e kanë të gjitha qeveritë e pasluftës, kush më shumë e kush më pak. “Qeveritë tona janë fajtorët kujdestarë që e degraduan ekonominë, ku dominojnë ato biznese që janë të afërta me majat e kupolave të politikës dhe ata që kanë monopole në shumë fusha”, u shpreh ai.

Eco Higjiena

Sipas Malokut, situatën ekonomike për të mirë mund ta ndërrojë vetëm një qeveri me duar të pastra dhe që prioritet të punës së saj e ka forcimin ekonomisë dhe sundimin e rendit e të ligjit. “Ekonomia nuk ecën përpara, sepse fundja para ligjit dhe para organeve të shtetit të gjitha bizneset dhe qytetarët duhet që të jenë të barabartë e jo që shteti të jetë për dikë nënë e për dikë njerkë, ngase vërtet është absurde që shteti t’i mbyllë sytë përballë monopoleve në shumë fusha të ekonomisë “, deklaroi Maloku.

Mbijetesa e kushtëzuar e bizneseve

Bashkim Osmani, nënkryetar i AKB-së, tha për “Kosova Sot” se pajtohem me vlerësimet e njohësve të kësaj fushe që thonë se nëse nuk pate një nga pushtetarët e “fortë” nga majat e piramidave të pushtetit prapa kompanisë, qoftë si bashkaksionarë të fshehtë apo për t`ia lagur fytin, në asnjë mënyrë tjetër nuk ke me pas asnjë shans që të mbijetosh në ekonominë e inkriminuar dhe të kriminalizuar të Kosovës nga pushtetarët dhe mafio-oligarkët financiarë dhe bizneseve të pista e kriminale. “Është koha e fundit që qeveria e re duhet të krijojë politika të mirë- fillta dhe kushte për një treg të lirë e të barabartë për të gjitha bizneset dhe në veçanti, duke krijuar politika të tilla ekonomike që e favorizojnë prodhuesin vendor, sepse vërtet na mbyti importi i mallrave. Në të kundërtën ndryshe po u vazhdua ende me avazin e vjetër, andaj vaj halli për ekonominë e brishtë të vendit dhe qytetarët e saj, sepse vendi mund të vijë buzë greminës”, është shprehur më tutje Osmani.

Dominojnë matrapazët dhe joprofesionistët

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, tha për “Kosova Sot” se qeveritë e deritashme kanë bërë shumë pak për zhvillimin ekonomik të vendit si në sektorin publik dhe në atë privat, kurse të vetmen gjë që e kanë bërë është përkrahja e bizneseve, të cilat janë të lidhura me njerëzit e fuqishëm në vend. “Tërë ekonomia e vendit është në duart e joprofesionistëve dhe matrapazëve, të cilët e kanë për synim pasurimin e vet personal në kurriz të qytetarëve të vendit dhe nuk e kanë për qëllim zhvillimin e vendit”, është shprehur ai. “Po t’i dëgjosh këta biznesmenë, të njëjtët mburren se kanë punësuar me qindra punëtorë, kurse kushtet e punës së këtyre punëtorëve janë mizore, ngase punojnë nga 12 orë në ditë e paguhen me paga minimale 200 euro, e në anën tjetër kanë ngulfatur e bizneset e vogla i kanë sjellë në kolaps dhe kanë lënë familje të tëra pa të ardhura që i kanë përfituar nga ato biznese të vogla”, tha ai. Sipas tij, qeveritë tona nuk kanë qenë të interesuara për një konkurrencë të barabartë, por kanë ndihmuar bizneset e personave të caktuar në vend. “Qeveria e ardhshme duhet që të synojë dhe realizojë rritje ekonomike, që nuk është e varur nga sektori publik, por nga investimet në sektorin privat, që krijojnë vende të reja pune, qofshin ato investime të brendshme apo investime direkte të huaja”, potencoi analisti Neziraj.

Konsumatorët e mashtruar

Selatin Kaçaniku (‘Konsumatori’), tha për “Kosova Sot”, se janë shumë faktorë të brendshëm dhe të jashtëm që ndikojnë në zhvillimin ekonomik të Kosovës. “Është e vërtetë se për të bërë biznes e për të kontribuuar në zhvillimin ekonomik të Kosovës duhet të jesh pjesë e makinerisë së korruptuar, politizuar e kriminalizuar”, u shpreh ai. “Pushtetarët e fortë jo vetëm se mbajnë kontrollin mbi ekonominë e bizneset, por ata janë aksionarët kryesorë të politomafio-bizneseve. Natyrisht, për të hyrë në këtë ‘organizatë’ duhet të blesh biletë dhe të paguash anë- tarësinë, haraçin”, theksoi ai. Kaçaniku, shton se çuditërisht edhe shumica e biznesmenëve të rinj, duke i njohur ose pretenduar rrethanat. “Nuk është numër i vogël i tyre, të cilët biznesit i qasen me mendësinë, me logjikën e mashtrimeve dhe shkeljes së ligjeve, si dhe të të drejtave të qytetarit konsumator”, ka thënë më tutje Kaçaniku.

(Kosova Sot)