Pushteti do “tallin”, investitorët marrin “malin”

Tregu i lirë në letër, monopolet dhe paligjshmëria sundojnë

“Ekonomia vendore është e uzurpuar nga klanet dhe mafio-oligarkët, kurse mungesa e dorës së fortë të ligjit nuk e lë të marrë frymë ekonominë dhe tregun e lirë, dhe me këtë koalicion të tashëm nuk do të ketë ekonomi të lirë të tregut, sepse nga monopolet e krijuara në shumë fusha të ekonomisë, pushtetarët e marrin hisen e vet dhe kësisoj janë duke i trembur investitorët e huaj, të cilëve po u kërkohet mitë dhe haraç që të nisin biznesin e tyre”, ka thënë deputeti Salih Salihi për “Kosova Sot”

Përfaqësues të bizneseve, deputetë të opozitës dhe analistët të ekonomisë vlerësojnë se Kosova ka dështuar në thithjen e investigimeve, për shkak të ryshfeteve dhe shantazheve që u janë bërë atyre nga pushtetarë të të dyja niveleve. Sipas tyre, kjo edhe është arsyeja se përse Kosova nuk është joshëse për investitorët, as vendorë, e as të huaj, sepse shteti, si në nivelin qendror ashtu edhe në atë qendror, është në shërbim të mafio-oligarkëve të nëntokës kriminale që vetëm për 10 vjetët e fundit fituan disa qindra miliona euro pa asnjë mund e investim. Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit ( AKB-ja), Agim Shahini, për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se Qeverisë “Haradinaj” i ka mbetur një barrë shumë e madhe, në mënyrë që krijojnë kushte dhe ambient për të joshur investitorët e huaj dhe vendas. “Kjo mund të bëhet me implementimin e Ligjit për Investime të Huaja”, ka vlerësuar ai.

Të ndalet konkurrenca e jashtëligjshme

Sipas Shahinit, Qeveria duhet që të luftojë edhe më tutje dukuritë negative, në mënyrë që të kemi një treg të lirë dhe të barabartë për të gjitha bizneset, sepse vetëm kështu ecet përpara. “Kur e them këtë vlerësoj se edhe konkurrenca e lirë në Kosovë në disa raste është nëpërkëmbur dhe kjo vlen për disa sektorë të veçantë dhe që këtë e ka vërtetuar edhe Autoriteti Konkurrencës.

Andaj, institucionet e shtetit të Kosovës duhet që të veprojnë në këtë drejtim në bazë të rregullave të ekonomisë së tregut dhe të Kushtetutës së Kosovës me synimin që të ndalojnë çdo konkurrencë të jashtëligjshme, përfshirë këtu edhe informalitetin që është më i madhi në regjion, por edhe duke i ndërprerë favoret që dikush ndokujt ka mundur që t’ua bëjë më vetëdije apo pa vetëdije”, potencoi Shahini. I pari i AKB-së është i mendimit se institucionet e Kosovës e kanë përgjegjësinë më të madhe për këtë çështje dhe për këtë qëllim ata duhet të sigurojnë biznesin, duke dëshmuar se në Kosovë ka konkurrencë të lirë që nuk e rrezikon tregun dhe duke dëshmuar se edhe ato monopole që janë do të eliminohen. “Prandaj, investime të huaja dhe atyre vendore ka vetëm me një treg të lirë dhe sundim të ligjit, kurse nuk duhet harruar as mungesën e energjisë elektrike”, vlerësoi Shahini.

Monopolet rrënuese për sipërmarrjen e ndershme

Deputeti opozitar në Kuvendin e Kosovës Salih Salihu(PSD), për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se duhet të jemi realistë e ta pranojmë se për shkak të ryshfeteve, Kosova dështoi që të joshë investitorët e huaj dhe vendas. “Kjo po ndodh, ngase ekonominë e brishtë të Kosovës janë duke e rrënuar grupet e mafio-oligarkëve që kanë bërë monopole në të gjitha fushat e askush nga bizneset vendore e të huaja nuk mundet që të afarojnë normalisht pa ua dhënë ryshfetin dhe hisen e kulaçit grupeve të nëntokës dhe pushtetarëve që qëndrojnë pas tyre”, u shpreh ai. “Veç saj, e them se Kosova nuk është joshëse për investitorët, as vendorë, e as të huaj, sepse shteti, si në nivelin qendror ashtu edhe në atë qendror, është në shërbim të mafio-oligarkëve të nëntokës kriminale që vetëm për 10 vjetët e fundit fituan disa qindra miliona euro pa asnjë mund e investim”, vijoi më tej Salihu.

“Kjo është njëra nga arsyet që po mungojnë investimet e brendshme dhe ato të huaja dhe e tëra kjo po ndodh për shkak të monopoleve që kanë krijuar në biznes disa kompani mafio-oligarkike, ndërkaq bizneset vendore e të huaja, që nuk janë pjesë e këtyre klaneve të krimit të organizuar, nuk kamë shans të kenë perspektivën minimale në këtë shtet të kriminalizuar”, ka thënë ai. “Nga pas lufta e deri më sot, te ne ka qenë prezent fenomeni i mungesës së fortë të sundimit të ligjit, faktori që po vazhdon të mbetet pengesa kryesore në fushën e zhvillimit të ekonomisë së brishtë të Kosovës”, ka vlerësuar Salihu. “Ekonomia vendore është e uzurpuar nga klanet dhe mafio-oligarkët, kurse mungesa e dorës së fortë të ligjit nuk e lë të marrë frymë ekonominë dhe tregun e lirë dhe me këtë koalicion të tashëm nuk do të ketë ekonomi të lirë të tregut, sepse nga monopolet krijuara në shumë fusha të ekonomisë pushtetarët e marrin hisen e vet dhe kësisoj janë duke i trembur investitorët e huaj, të cilëve po u kërkohet mitë dhe haraç që të nisin biznesin e tyre”, ka thënë ai.

Mungesa e një platforme, pengesë serioze

Eksperti i fushës së integrimeve evropiane në fushën e ekonomisë, Nëntor Shaqiri, për “Kosova Sot”, tha se institucionet e vendeve të rajonit po bëjnë më shumë për të pasur një zhvillim ekonomik, duke krijuar kushte shumë më të favorshme për investitorët e huaj. “Thithja e investimeve të huaja është një faktor shumë i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit. Ambienti i të bërit biznes ende nuk është përmirësuar që të kemi investitorë seriozë, siç kanë vendet e rajonit. Institucionet e nivelit qendror dhe ato lokale duhet të punojnë bashkërisht për krijimin e ambientit të favorshëm për të bërë biznes.

Sipas Shaqirit, si pengesë për tërheqjen e investitorëve të huaj konsiderohet të jetë edhe mungesa e një platforme, ku do të mund të përfshiheshin: hapja e disa zyrave për investitorët e huaj në vende të ndryshme të Unionit Evropian, dhënia e tokës falas, ofrimi i infrastrukturës shtesë, deri te ndërmarrja prodhuese, tatimi në fitim të tatohet nën normën 10 për qind, mundësia që fitimi i krijuar nga investimet që ri-investohet në Kosovë. Të bëhet edhe lehtësimi i procedurave për marrjen e lejeve dhe licencave”, potencoi Shaqiri.

Temat e mëdha lanë në hije ekonominë

Bankieri Milazim Abazi, për gazetën “ Kosova Sot’, thotë se ka shumë besim të madh se në vitin 2019 do të bëhen kthesa të mëdha në zhvillimin ekonomik duke e përmirësuar klimën e biznesit dhe duke funksionalizuar Ligjin për Investime Strategjike. “Tash e tutje kryeministri Haradinaj do të ketë në qendër të fokusit zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e klimës së biznesit. Për të përmirësuar klimën e biznesit duhet një përkrahje e gjerë jo vetëm nga organet e Qeverisë, por edhe sistemi i drejtësisë dhe organet e pavarura rregullatore. Është më se e vërtetë se pa përmirësimin e ndjeshëm të klimës së biznesit dhe luftimin e monopoleve, nuk mund të ketë investime as të vendit e as të huaja. Deri tash Qeveria ‘Haradinaj’ ka qenë e angazhuar në tema të mëdha, siç janë ruajtja e integritetit territorial dhe moscenimi i kufijve si dhe bërja e ushtrisë”, potencoi ai.

Papunësi rekord, biznese fiktive

Analisti Dardan Grapci, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se Kosova në 10 vjetët e fundit jo vetëm që ka dështuar në thithjen e investitorëve të huaj dhe vendorë, por edhe në planifikimin e një strategjie për thirrjen e investitorëve. “Ryshfeti , shantazhet dhe kërcënimet ndaj investitorëve nga pushtetarët ka bërë që investitorët të ikin nga Kosova, dhe që të investojnë në ndonjë shtet tjetër rajonal apo evropian, që në të shumtën e rasteve qytetarëve iu është humbur shpresa për të punuar. Mafio-oligarkët në bashkëpunim me nëntokën kriminale kanë fituar qindra miliona euro pa investuar, dhe në këtë rast doemos se duhet të shtrohet pyetja: Si ka mundësi që një shtet me 2 milionë banore, mbi 50 për qind të qytetarëve të papunë, si do të krijohen mundësitë që të hapen biznese të reja, kinse sa për të krijuar vende të reja të punës. Në fakt, në vend se të punësohen të rinjtë, shumë nga punëdhënësit përkundrazi po i largojnë punëtoret nga puna pa kurrfarë shpjegimi”, u shpreh ai.

Shteti, në shërbim të mafisë

Analisti Bislim Aliu, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se kjo është më se e vërtetë, se Kosova totalisht ka dështuar në thithjen e investitorëve, vendorë dhe atyre të huaj. “Ndërkaq, tashmë kjo dihet botërisht se e tëra kjo po ndodh mu për shkak të ryshfeteve dhe shantazheve, që po ua bëjnë atyre pushtetarët e të dyja niveleve të pushtetit dhe kjo ka ndodhur pandalshëm që nga pas lufta dhe asnjëherë nuk janë ndalur. Kjo është arsyeja se përse Kosova nuk është joshëse për investitorët, as vendorë dhe as të huaj, sepse i tërë aparati i shtetit është në shërbim të mafio-oligarkëve të nëntokës kriminale, duke fituar me qindra e miliona euro, pa asnjë mund e investim. Andaj, shpëtimi i vendit dhe joshja e investimeve nuk bëhen pa implementimin e Ligjit për Investime të Huaja dhe pa një sundim të ligjit, sikurse në botën perëndimore”, vlerësoi Aliu.

(Kosova Sot)

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).