Pushtetarët mbushin gushën me paratë e taksapaguesve
Hotelet, udhëtimet, pijet, ushqimi më i shtrenjtë në shpenzimet e oligarkëve
“Një shpërdorim i tillë nga pushtetarët, duke e shfrytëzuar buxhetin e Kosovës, për udhëtime dhe shëtitje, kinse për qëllime politike dhe marrëdhënie bilaterale me shtetet e tjera, gjoja se për ta ndihmuar Kosovën në dy rrafshe politike, është vetëm një mashtrim para qytetarit”, tha Ali Hertica për “Kosova Sot”
Në Kosovën e pasluftës tashmë është krijuar një traditë e mbrapshtë, në të cilën pushtetarët më të larët të vendit, duke filluar nga presidenti, kryeministri, ministrat kosovarë, por edhe zyrtarë të tjerë të lartë shtetërorë, në vizitat e tyre zyrtare dhe private jashtë vendit, po e shpërdorojnë tej mase buxhetin. Shpenzimet që ata bëjnë në këto vizita janë marramendëse dhe i zhvatin paratë e tatimpaguesve kosovare në maksimum. Ndaj analistët dhe qytetarët me të drejtë po e shtrojnë pyetjen se si mund të ndërtohet shteti me politikanë të tillë, që luajnë rolin e sheikëve, duke shpenzuar para të buxhetit pa limit, përfshirë edhe verërat me të shtrenjta, me dreka e darka, si ato të sheikëve. Analisti politik Ibrahim Kelmendi, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se, edhe pse nuk ka informacione konkrete, ky lloj shpërdorimi e përshfaq karakterin e mjerë që kanë funksionarët shtetërorë. “Kjo është për keqardhje. Sidomos kur të kemi parasysh faktin se këta funksionarë shpërdorues janë votuar”, theksoi ai.
Pushtet anormal dhe abuziv
Analisti Arsim Haziri, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se liderët kosovarë, me disa përjashtime, në vazhdimësi gjatë pushtetit madje edhe tashmë e kanë keqpërdorur buxhetin publik. Kjo njëherësh dëshmon edhe për tendencën ose ambicien e tyre në relacion me shtetin “Buxheti publik për afro 6 muaj, sipas raportit të Ministrisë së Financave, ka pësuar ngarkesë më shumë për paga dhe mëditje sesa për ndonjë prioritet relevant. Kjo qasje është shndërruar në metodologji pune, metodologji negative, e cila për shoqërinë po bëhet gjithnjë e më ndëshkuese. Deri më sot të gjitha qeverisjet i kanë kushtuar rëndë Kosovës, ato asnjëherë nuk e kanë pasur si obligim ndryshimin e vendit në kuptimin pozitiv”, u shpreh ai.”Pikërisht kjo qasje ka bërë që Kosova të mos ketë normalitet në asnjë dikaster qeveritar, të mos shënohet asnjëherë drejtësi, si element ose shtyllë e demokracive të avancuara. Kosova fatkeqësisht vuan nga mungesa e elementeve bazike, e elementeve prej të cilave edhe varët ose mbahet zhvillimi i qëndrueshëm”, vlerësoi analisti Haziri. Ndërsa analisti Ali Hertica për gazetën “Kosova Sot” thotë se nuk është hera e parë që presidenti, kryeministri dhe ministrat, por edhe zyrtarët e tjerë të lartë të shtetit, dëmtojnë buxhetin e vendit, veçanërisht në vizitat e tyre jashtë vendit, që ose janë krejtësisht të panevojshme ose nuk i sjellin asnjë përfitim Kosovës.”Një shpërdorim i tillë nga pushtetarët, duke e shfrytëzuar buxhetin e Kosovës për udhëtime dhe shëtitje, kinse për qëllime politike dhe marrëdhënie bilaterale me shtete të tjera, gjoja se për ta ndihmuar Kosovën në dy rrafshe politike, është vetëm një mashtrim para qytetarit, sepse të gjitha shpenzimet janë djersë e qytetarit që mundohet ta mbajë shtetin nga taksa”, vijoi më tej Hertica.
HERTICA: TAKSAT PO SHPËRDOROHEN
“Shpërdorimi apo keqpërdorimi i buxhetit nga këta krerë të pandërgjegjshëm politikë është turpi dhe zhvatja më markante e sovranit që sot po e përjeton Kosova nga këta matrapazë të skenës politike, duke u thirrur në punën e shtetit, edhe pse dihet se këta njerëz nuk i sollën kurrë asgjë të mirë shtetit. Dhe të gjitha këto shkuarje jashtë vendit, lart e poshtë, janë bërë vetëm për inate të njëri-tjetrit, me një mentalitet të ulët politik dhe të turpshëm”, ka thënë analisti politik Ali Hertica.”Konsideroj se këtij keqpërdorimi duhet t’i vijë fundi, nuk guxon të vazhdohet më tej, pra urgjentisht duhet të gjendet zgjidhja për sistematizimin e tyre. Kurse, përgjegjësinë ta mbajnë ata që kanë bërë një zgjidhje të tillë gjysmake për këta persona. Pra, jemi dëshmitarë se taksat e popullit po shpërdorohen edhe nga institucionet qendrore dhe lokale, të cilët vetëm për të shpenzuar buxhetin e ndarë nga qeveria vijojnë trajnime në shtetet e rajonit, duke pasur mundësi që ato trajnime t’i vijojnë edhe në institucionet ku ata punojnë”, vlerësoi ai për “Kosova Sot
Qytetarët, të indinjuar
Veç analistëve politikë, edhe qytetarët tanë janë tej mase të zhgënjyer nga shpenzimet enorme të pushtetarëve tanë në vizitat e tyre zyrtare e private jashtë vendit. Kështu, qytetari nga Prishtina, Murat Lepaja, për gazetën”Kosova Sot” thotë se kjo Kosovë nuk është ajo që e kemi dëshiruar.”Dhe për pasojë jemi kështu si jemi dhe po përballemi me një skamje të madhe, me një krizë, me papunësi enorme, kurse Kuvendi si organi më i lartë legjislativ është në një bllokadë e në një kolaps, duke u bërë një shtet jofunksional dhe me një qeveri jofunksionale”, u shpreh ai.”Për të gjitha këto të këqija dhe për situatën, në të cilën kemi ardhur si shoqëri, fajtore janë të gjitha garniturat e pushtetarëve tanë të pasluftës, kush më shumë e kush më pak, pra të gjithë ata që e bëjnë politikën në vendin tonë në gjendjen ku jemi sot, që është e mjerueshme dhe që na kanë sjellë para një gremine dhe një fundosje”, potencoi Lepaja. “Njëra nga zgjidhjet për të dalë nga kjo situatë janë zgjedhjet e reja nacionale, por shtrohet pyetja se sa janë të gatshme subjektet tona politike, por edhe këta pushtetarë, që t’i mbajnë këto zgjedhje, por edhe sa e ka seriozisht opozita në kërkesat e saj në mënyrë që të ndryshojë situata në vend. Ngase vërtet me këtë klasë politike Kosova nuk mundet më që të ecë para, por vendi ynë ka nevojë për një garniturë politike që në radhë të parë punon për shtetin, për popullin, dhe jo vetëm për interesat e veta të ngushta, meskine, partiake, familjare dhe klanore, e përse mos të themi edhe për interesat e tyre mafioze”, vlerësoi ai. Edhe qytetari tjetër nga kryeqendra, Nebih Begolli, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se nuk ka asnjë dyshim se me këta pushtetarë të pasluftës asnjëherë Kosova nuk do të jetë një shtet i mirëfilltë. “Kosova ka nevojë imediate për një klasë të re politike që është e shkolluar dhe e aftë profesionalisht, por edhe e pakorruptuar dhe që në rendë të parë mendojnë për shtetin e qytetarin e vet dhe jo vetëm për veten e tyre”, u shpreh ai. “Kosova ka pasur nevojë kaherë për një klasë të re politike, sepse tashmë është një kohë e gjatë që të njëjtit janë në pushtet dhe janë pikërisht këta pushtetarët edhe që na kanë sjellë buzë greminës”, potencoi Begolli.
(Kosova Sot)


