Pushtetarët e korruptuar amnistohen qëllimshëm
Që nga pas lufta e deri më sot, në Kosovë pushtetarët e nivelit qendror, pushtetarët e nivelit lokal, mafio-oligarkët dhe nëntoka mafioze as që lodhen dhe nuk i frikësohen as ligjit, as Kushtetutës, përderisa vazhdojnë t’i kenë në dorë gjyqësorin e tërë dhe prokurorinë e frikësuar e të shantazhuar dhe jo vetëm kaq. Kjo situatë e padurueshme për qytetarët ka bërë që nga njohësit e kësaj fushe të thuhet se Kosova është shndërruar në një shtet mafioz, të kontrolluar në tërësi nga nëntoka e kriminalizuar, e cila ka inkriminuar të gjitha partitë pa dallim si në nivelin qendror po ashtu edhe në nivelin lokal.
Eksperti i fushës së Integrimeve Evropiane, Jeton Kelmendi, për gazetën “Kosova Sot”, tha se politikanët e Kosovës në të dyja nivelet me theks të veçantë krahu i luftës nuk e kanë frikën fare nga gjykata, drejtësia dhe policia. “Kjo për faktin se këta i kanë futur njerëzit e tyre në polici dhe në drejtësi”, u shpreh ai.
Politika mafioze, pengesë e madhe
Kelmendi thotë se këta njerëz të tyre, që punojnë në polici e në drejtësi, shumica kanë punuar me sistemin e Serbisë dhe janë të kapur nga kasta politike mafioze, të cilët luajnë me dosjet tyre. “Lirimet e personave të akuzuar që i kemi në Kosovë, që po bëhen me akuzat për korrupsion dhe krim të organizuar, janë të turpshme dhe si të tilla ato po e turpërojnë Kosovën dita- ditës, ngase njëherë po ngrihet aktakuzë, e më pas po këta persona nga drejtësia po na dalin të lirë e të pafajshëm”, u shpreh ai. Sipas Kelmendit, kjo më së miri dëshmon se në Kosovë politika e bën drejtësinë dhe kjo nuk do as më të voglin koment. Juristi Blerim Burjani, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare, tha për gazetën ” Kosova Sot”, se duhet të ndodhin ndryshime të mëdha në vend, në zhvillimin dhe qeverisjen e vendit, rendit dhe ligjit, si dhe në shumë dimensione shtetërore politike. “Ndryshimi apo kthesa e madhe mund të ndodhë vetëm me vetëdijësim qytetar, me krijim të një shprehie adekuate dhe normale për demokracinë, ngase rendi dhe ligji nuk funksionojnë me prishësit e tij dhe me sundimin e këtyre që nga pas lufta ishin në pushtet, nuk ka mundësi demokratike njëherë”, potencoi ai. “Mirëpo, jo se nuk ka interesim për krijimin e një klase të re politike,qytetarit duhet t’i kthehet besimi në shtetin dhe të drejtën dhe barazinë, sepse humbja e besimit qytetar është problematikë për ndryshimin e madh që pritet se do të ndodhë, shteti ligjor duhet të vendoset”, vijoi më tej Burjani.
Qytetarët, të dëshpëruar nga pushteti
Veç analistëve politikë, edhe qytetarët tanë janë shumë të pakënaqur me lidershipin e Kosovës së pasluftës. Ndaj, qytetarët me të drejtë po thonë se Kosova është shndërruar në një shtet mafioz, të kontrolluar në tërësi nga nëntoka, e cila ka inkriminuar të gjitha partitë pa dallim, si në nivelin qendror po ashtu edhe në nivelin lokal. Kështu mendon edhe Agron Krasniqi, një qytetar nga fshati Makovc i komunës së Prishtinës, që për gazetën “Kosova Sot’ tha se shumica e këtyre politikanëve janë të tillë. “Dhe, kjo nuk është Kosova e idealeve tona dhe atyre që kanë rënë për lirinë. Kësisoj kjo ka bërë që popullata të zhgënjehet në këtë klasë politike,ngase shumica, si pozita dhe opozita, janë hajna”, theksoi ai. ” Kosova ka nevojë imediate për një klasë të re politikanësh të pakorruptuar, që tashmë veç është bë një imperativ i kohës ndaj na nevojitet që sa më parë të mbahen zgjedhje të reja nacionale me shpresën se në pushtet do të vijë ndonjë parti e re politike, e pakomprometuar dhe që synim të saj parësor e ka zhvillimin ekonomike të vendit dhe që mendojnë për popullin e jo për vete, ngase popullata jonë nuk e meriton një qeverisje të tillë nga këto parti politike”, ka thënë Krasniqi. Ndërsa, qytetari tjetër nga Prishtina, Islam Veliu, për ” Kosova Sot’, tha se të flasësh për këtë çështje duhen shumë informata dhe në opinion ka shenja që tregojnë se kjo vërtet po ndodh në Kosovë. “Ngase, një grup karrieristësh, që i kanë rrënjët nga e kaluara, veçanërisht ata të LPK-së, e kanë hallin e vetëm në këtë drejtim politik dhe në sferën ekonomike se ku je sistematizuar ti e ku jam sistematizuar unë. Andaj, me të drejtë në opinion mbretëron kjo bindje se vërtet në Kosovë është një gjendje shumë e keqe. Ndërsa, këtë situatë të brishtë po e ndihmojnë edhe projektet e Serbisë që ka për qëllim që të zbrazet Kosova”, ka thënë ai.
(Kosova Sot)


