Punonjësit duan Ligjin mbi “Trepçën”
“Ky vit shënon prodhim rekord të pasluftës dhe hap një epokë të re për “Trepçën”, në të dy minierat, në Stan Tërg dhe Artanë, ku ka pasur një rritje të prodhimit të xehes dhe koncentratit mbi 20 për qind”, ka thënë të premten Ahmet Tmava, menaxher i “Trepçës” dhe ka shtuar se ndërmarrja këtë vit e përmbyll me sukses.
Janë prodhuar 18 mijë tonelata koncentrat, tre mijë më shumë se më 2013, ndërsa janë arkëtuar 13 milionë euro, ose 2.5 milionë më shumë se një vit më parë. Gjithashtu janë nxjerrë 200 mijë tonelata xehe, 20 mijë më shumë se vjet, kur u nxorën 180 mijë tonelata xehe, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Për vitin 2015, me mobilizim dhe me përgatitje të planit nga ekspertët profesionistë kemi paraparë rritje të prodhimit të përgjithshëm me 30 për qind, që do të jetë një storie e suksesit të veçantë për ‘Trepçën’”, ka thënë Tmava.
“‘Trepçën’ vitin e kaluar e kemi marrë me probleme shumë të mëdha, me 2.5 milionë euro borxhe, të cilat i kem shlyer, me mospagesë të koncentratit nga një kompani që kap shumë e mbi 500 mijë eurosh. Punësim të punëtorëve joadekuatë, pra jo të lidhur direkt në procesin e prodhimit, e që kanë sjellë probleme financiare, të cilat kanë rënduar në kurriz të minatorëve”, ka shtuar Tmava.
Në procesin e definimit të statusit të “Trepçës”, Tmava ka thënë se do t’i tregojnë kahet e zhvillimit. “Këtë vit e kemi shpallur vit të mobilizimit dhe të prodhimit, në mënyrë që të tregojmë kahet se nga duhet të shkojë ‘Trepça’ si një ndërmarrje publike me një ligj të veçantë, dhe t’i jepet hapësira për zhvillim”, ka thënë ai.
Falë punëtorëve të “Trepçës” dhe në veçanti minatorëve, Tmava ka thënë se ky vit përmbyllet me prodhim rekord të koncentratit dhe xehes.
“Me këtë angazhim kemi dashur të dëshmojmë se si duhet të jetë statusi i ‘Trepçës’, se ‘Trepça’ në asnjë mënyrë nuk mund të privatizohet”, ka thënë Tmava.
“Trepça”, sipas tij, duhet të jetë një ndërmarrje publike me një status të veçantë, duke u dhënë hapësirë investimeve dhe zhvillimit ekonomik të Mitrovicës dhe Kosovës.
“Kemi aftësuar linjën për prodhimin e oksidit të zinkut, që ka një kërkesë shumë të madhe në treg, ndërsa që në këtë kemi investuar mbi 500 mijë euro, e puna pritet të fillojë që nga viti i ardhshëm, pra pas pak ditësh”, ka thënë Tmava.
Gjithashtu për vitin e ardhshëm ka paralajmëruar një vlerësim real të aseteve të “Trepçës”. “Është momenti i shënimit të një epoke të re, epoke të zhvillimit dhe progresit. Besojmë në gatishmërinë e institucioneve qendrore, në definimin e statusit të ‘Trepçës’ sa më parë që është e mundur . Çdo ditë e humbur është humbje për ekonominë e Kosovës. Ne definitivisht do t’ia kthejmë ‘Trepçës’ shkëlqimin dhe do të reflektojmë fuqi zhvillimore”, ka thënë menaxheri i “Trepçës”, Ahmet Tmava.
© KOHA.net


