KKVITI

Punëtorët që paguhen nga buxheti i shtetit mund të mbesin pa paga

/ 2 minuta lexim
Fundamenti

Për dështimet eventuale në realizimin e projekteve të ndryshme, për herë të parë nuk do të fajësohen udhëheqësit e komunave.Kjo, pasi që situata politike ka bërë që shumë projekte të mbesin në letër, për shkak të pamundësisë që ato të realizohen.

Megjithëse komunat kanë bërë rishikimin buxhetor, ai mbetet i pavlerë, pasi që një gjë e tillë nuk është bërë në nivel qendror.

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se komunat tashmë janë futur në krizë, pasi po e kanë të pamundur t’i zhvillojnë punët e planifikuara, raporton KTV.

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, thotë se komunat kanë filluar të përballen me probleme, edhe në pamundësi të ndryshimit të linjave buxhetore.

Mobi Casa

Gëzim Baxhaku, këshilltar i ministrit të Financave, Besim Beqaj, thotë se pritet që shpejt ministria t’i propozojnë Qeverisë që kjo e fundit të marrë vendim që komunave t’u lejohet përdorimi prej 5% i buxhetit të shtetit, transmeton Koha.net.

Baxhaku thotë se tani për tani nuk ka rrezik sa i përket buxhetit të ndarë për paga dhe shpenzime të tjera.

Mirëpo, nëse eventualisht problemet rreth konstituimit të institucioneve shtetërore vazhdojnë, apo nëse vendi shkon në zgjedhje të reja, atëherë paga nga buxheti i shtetit nuk do të ketë.