Fundamenti

Punëtorët më 29 maj në protestë

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

Nuk protestuan për një maj, ashtu siç bëjnë shumë vende të botës. Por Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), ka caktuar mbajtjen e një proteste me 29 maj, me moton “Pesë minuta para dymbëdhjetëve”, përmes së cilës do të kërkohet realizimi i kërkesave të punëtorëve, të cilëve po iu shkelen të drejtat. Përmes kësaj proteste do të kërkohet zbatimi i ligjeve në praktikë, nënshkrimi i marrëveshjes kolektive, zbatimi i marrëveshjes për pagën minimale prej 220 euro, miratimi i Ligjit për pensionistët, pranimi i stazhit të punës prej vitet 1990-1999 si dhe krijimin e një fondi social për punëtorët, të cilët privatizimi i ka lënë pa punë.

Kryetari i Këshillit organizativ të Protestës, Fehmi Pajaziti në një konferencë për media, bëri të ditur se protesta do të fillojë në ora 11.55 nga Sheshi 21 , për të vazhduar tek Grandi dhe për të arritur para teatrit Kombëtar, në sheshin “Nëna Terezë“. Pajaziti thotë se kjo protestë, është në interes të të gjithë punëtorëve të cilëve po u shkelen të drejtat e tyre.

“I bëjmë thirrje klasës punëtore në nivel vendi që ditën e 29 majit, t’i bashkëngjiten protestës së organizuar me një arsye apo një moto të vetme, përmirësimi i kushteve për të gjithë punëtorët në nivel rajoni të Kosovës, pa dallim cilës sindikatë apo kujt i përket. Sepse dihet që BSPK është subjekt i të gjithëve, ku përfshihen të gjithë pa dallim. Iu bëjë ftesë të gjithë sindikatave që t’i bashkëngjiten protestës për të mirën e punëtoreve”, tha ai.

Ndërsa kryetari i BSPK-së Haxhi Arifi, thotë se tek ne është krijuar një praktikë e keqe që të mos protestohet për një maj, por të festohet. Megjithatë, ai thotë se për protesta ka vend gjatë gjithë majit por edhe muajve tjerë dhe se nuk është vetëm një maji, data kur duhet të protestohet.

RCCOLA

“Ju e dini që dita e një majit është ditë që bëhen protesta gjithkund dhe në shtete më demokratike. Është një praktikë e keqe te ne, sigurisht imponim i kahmotshëm i shumë viteve i trysnisë së sistemit që një maji është festë, jo protestë….. Edhe këtë vit të gjithë kryetaret e degëve, e kemi parë të rrugës dhe të gjithë janë deklaruar se ka vend për protestë, për shkak të kërkesave që janë grumbulluar, por nuk jemi dakorduar që të mos jetë me një maj, për shkak se hala në një mënyrë, nuk është vetëdijesimi se atë ditë duhet të protestohet, por duhet të festohet. Në shumë intervista në TV i kemi parë se të gjithë janë deklaruar se ne jemi për protestë, por që ne jemi dal në Gërmi. Kemi një traditë nga e kaluara në organizim të protestave dhe këtë ditë do ta zhvendosim. Sepse për protesta ka vend me 1 me 2, me 3 me 5 në krejt majin dhe muajt tjerë”, tha ai.

Kësaj proteste do t’i bashkëngjitet edhe Federata Sindikale e Pensionistëve të Kosovës, të cilët pritet të dalin me kërkesat e veta. Riza Shala, nga federata sindikale e pensionisteve të Kosovës, thotë se në këtë protestë ata do të jenë pjesëmarrës, duke u nisur nga fakti që fati i punëtorëve dhe pensionistëve, është i lidhur ngushtë me njëra tjetrën. Kjo federatë sindikale, kërkon që kërkesat e pensionisteve, të futen bashkë me kërkesat e punëtorëve. Shala po ashtu tha se pensionistët e Kosovës, gjenden në një pozitë mjaftë të vështirë.

“E keni të qartë pozitën e pensionisteve, e cila që 13 a po 14 vite mbetet e pazgjidhur. Ju e dini që ky është rast unikat në botë. Kërkund nuk ka që janë lënë kështu pas dore. Ju e dini që edhe pozita e punëtorëve është në një pozitë jo të këndshme, por në krahasim me ta pozita e pensionistëve është një pozitë edhe më e keqe. Edhe në këtë kuptim bashkëpunimi jonë, ka për qëllim që ta përmirësoj pozitën si të punëtorëve ashtu edhe të pensionistëve”, tha ai.

Kërkesat e pensionistëve janë mos aprovimi i Ligjit që është në procedurë, pasi që konsiderojnë që ai nuk i plotëson kërkesat dhe nevojat minimale të pensionistëve dhe është një ligj diskriminues. Kërkesë tjetër është edhe që mesatarja e pensionit të mos jetë më e vogël se 60 për qind e pagës mesatare në vend, të formohet Fondi i Sigurimit pensional dhe invalidor dhe kërkesa tjera, të cilat do të jenë pjesë e kërkesave në protestën e 29 majit./Kosovapress/