Punëtorët e sektorit privat në hall me pagat, presin ndihmë nga Qeveria

Veton Alushaj, është në mesin e 220 punëtorëve në spitalin special për terapi fizikale dhe rehabilitim “ONIX SPA“ në Banjë të Pejës, i cili është larguar nga puna, më 13 mars.

Pezullim i tij erdh pas vendimit të Qeverisë se Kosovës, për ndërprerjen e veprimtarisë së disa bizneseve, si masë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri që shkakton sëmundjen COVID-19.

Alushaj, që ka kryer punën e fizioterapeutit, ka marrë pagë nga punëdhënësi vetëm për ditët sa ka punuar në muajin mars, kurse pret që pagën e ardhshme ta marrë nga Qeveria e Kosovës.

“Po presim nga Qeveria e Kosovës për të marr 170 euro për muajin prill dhe maj. Kjo shumë edhe pse nuk është e mjaftueshme, megjithatë do të jetë ndihmë për ne. Nuk besoj se pronari ka mundësi për të na paguar, pasi nuk dihet se sa do zgjasë kjo situatë,” thotë Alushaj.

Xhevdet Shoshi, pronar i spitalit s pecial për terapi fizikale dhe rehabilitim “ONIX SPA” në Banjë të Pejës, thotë se e ka të pamundur që të paguajë pagat e punëtorëve për muajin prill dhe maj.

Ai në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thekson se pas vendimit të qeverisë për mbylljen e disa bizneseve, 518 vizitorë janë larguar nga objekti, kurse 220 punëtorë janë pezulluar nga puna.

Sipas tij, paga mesatare në këtë kompani për një punëtor është 450 euro apo në përgjithësi, pagat për punëtorët kapin shifrën prej 90 mijë eurove në muaj. Kjo shumë, thotë Shoshi, është e papërballueshme për të, në kohën kur e ka mbyllur aktivitetin biznesor dhe rrjedhimisht nuk ka të hyra financiare.

“Të gjithë punëtorët janë në shtëpi. Po presim zbatimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndarjen nga 170 euro në muaj. Ne kemi listën e punëtorëve të cilët janë paguar për muajin mars. Atë listë do e dërgojmë”, tha Shoshi.

Shumë biznese private në Kosovë kanë ndërprerë veprimtarinë e tyre, duke u detyruar që të largojnë edhe punëtorët nga puna. E gjithë kjo ka ndodhur pasi Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë një sërë masash për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Për t’i dalë në ndihmë bizneseve, përmes pakos emergjente, Qeveria e Kosovës ka paraparë disa masa si ndihmë në përballje me pasojat e pandemisë. Zyrtarë të qeverisë, thonë se të gjithë punëtorët që kanë humbur vendin e punës pas shpalljes se masave nga qeveria, do përfitojnë nga 170 euro për dy muajit e ardhshëm. Qeveria tashmë ka ndarë mbi 170 milionë euro për një pako stimuluese për tejkalimin e krizës ekonomike si pasojë e COVID-19.

Për të përfituar nga këto masa, zëvendësministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Agim Krasniqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se shumë shpejtë do të ketë një sistem të hapur (online) në Administratën Tatimore të Kosovës, që kompanitë të dorëzojnë listën e punëtorëve.

Pagesat, thotë Krasniqi, do të shkojë në llogaritë bankare të punëtorëve dhe jo të punëdhënësit.

“Kompania duhet të sigurojë listën e punëtorëve, llogarinë bankare të punëtorëve dhe ato do të transferohen direkt te punëtori. Lista e dërguar nga kompania, verifikohet nga Administrata Tatimore e Kosovës dhe Trusti i Kursimeve Pensionale të Kosovës”, shprehet Krasniqi.

Sektori privat llogaritet punëdhënësi më i madh në Kosovë. Në këtë sektor llogaritet se punojnë mbi 220 mijë persona.

Në anën tjetër, Oda e Afarizmit të Kosovës, konsideron se shuma e përkrahjes për punëtorët duhet të jenë 220 euro dhe jo 170 euro siç është paraparë në pakon emergjente.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).