Eko Higjiena

Punësimi i arsimtarëve, përmes provimit pranues – i paligjshëm, i pamoralshëm dhe qesharak

/ 5 minuta lexim
Hidromorava

Nga Nuhi Ismajli-Tanimë gjithnjë e më shumë po dëshmohet se në organet e arsimit, duke filluar nga ato të rangut më të ulët e deri te Ministria e Arsimit, kanë zënë vend individë tejet injorantë, mendja e të cilëve pjell lloj-lloj marrëzirash, pasojat e tmerrshme të të cilave, të imponuara nga mekanizmat e pushtetit, i vuan fusha e arsimit.

Një nga këto marrëzira të papara, të këtyre ditëve, që parashihet t’i imponohet fushës së arsimit, është edhe vendimi i organeve të arsimit komunal që, në komunën e Gjilanit, arsimtarët që kanë konkurruar për punësim, t’i nënshtrohen provimit pranues, nëpërmjet testit të dijes, në lëndët Gjuhë Shqipe dhe Matematikë.

Sipas njoftimit të DKA-së, në Gjilan, komisioni intervistues “këtë vit përzgjedhjen e kuadrit arsimor do ta bëjë në bazë të intervistave me shkrim dhe me gojë nga tekstet në gjuhë shqipe dhe nga lënda e matematikës “ ! (www.rajonipress.com, www.2lonline.com, 8 gusht 2012).

Pra, sipas informatës që jep vetë DKA, në Gjilan, arsimtarët që duan të punësohen në arsim, përkundër dëshmisë zyrtare dhe ligjore për nivelin e nevojshëm të kualifikimit profesional, duhet që para një komisioni “special”, të padëgjuar e të paparë ndonjëherë, të dëshmojnë dijet e tyre në lëndët Gjuhë Shqipe dhe Matematikë!

Ne nuk na habitë shumë ky mendim e ndërmarrje e marrë lidhur me punësimin e arsimtarëve, pasi individë injorantë e të marrë, kanë mundur të depërtojnë edhe në organet e ndryshme udhëheqëse, por na habit tepër fakti sesi një mendim tejet i marrë, i një të marri, arrin të bëhet mendim e ndërmarrje e një organi të tërë dhe sesi, në gjithë organin e caktuar dhe me përgjegjësi të madhe shoqërore, nuk gjindet njeri që të dalë e të thotë se një gjë e tillë nuk shkon, sepse një praktikë e tillë në arsim, dhe jo vetëm në arsim, është e paligjshme, e pamoralshme, aspak normale dhe, për më tepër, është shumë qesharake.

Idejatorëve të kërkesës dhe vendimit që punëtorët e arsimit, për punësimin e tyre, t’i nënshtrohen testit të diturisë (si nxënësit para mësuesit !), nuk iu ka shkuar fare ndërmend se nuk mund ta zhvlerësojnë dëshminë zyrtare dhe ligjore të arsimimit të tyre. Nëse e kanë një autorizim të tillë, le të tregojnë se ku e morën, kush ua dha dhe, ata vetë, kush janë, çfarë niveli të arsimimit kanë ?!

Uji Dea

Idejatorëve të kërkesës dhe vendimit që punëtorët e arsimit, për punësimin e tyre, t’i nënshtrohen testit të diturisë (si nxënësit para mësuesit !), nuk iu ka shkuar në mend se nuk mund të vihet në dyshim katedra, fakulteti dhe universiteti ku kandidatët kanë kryer shkollimin dhe janë vlerësuar nga një kuadër profesional, zyrtar, ligjor dhe të pamohueshëm. Nëse ideatorët e përmendur paskan autoritet shkencor, profesional dhe vlerë më të madhe se katedra, fakulteti, universiteti dhe kuadri i tij, të njohura ligjërisht nga institucionet më të larta të shtetit, le të tregojnë! Le të tregojnë çfarë ekspertësh janë ata dhe kush ua dha ato autorizime që të mohojnë vlerat, autorizimin dhe autoritetin e institucioneve dhe të kuadrit universitar!

Për një shoqëri demokratike dhe sadopak të përparuar është e papranueshme që, ndaj arsimtarëve, të cilët konkurrojnë për punësim, të lejohet një lojë aq e ulët deri në atë shkallë sa ata të ndjehen të torturuar e të poshtëruar, duke i ulur ata në nivelin e një nxënësi, që duhet të riprovohet para një askushi, në krahasim me kuadrin universitar.
Testimi i dijes së arsimtarëve për punësim, si ky që synohet të bëhet, qëllim të vetëm ka mashtrimin dhe krijimin e iluzionit në shoqëri se çështja e punësimit të arsimtarëve po bëhet me seriozitet shumë të madh, se po bëhet një vlerësim i drejtë i konkurrentëve për punësim.

Në esencë, testimi i përmendur maskon manipulimin me rastin e zgjedhjes dhe caktimit të konkurrentëve për punësim, sepse nuk është i siguruar të mos keqpërdoret dhe mund të keqpërdoret lirisht. Një test, në bazë të të cilit caktohet fati i punësimit të arsimtarit, duhet të ketë një siguri jashtëzakonisht të madhe, siguri të cilën, në këtë rast, nuk e ka. (Ndoshta sigurinë e kanë lënë “n’besë”!).

Më në fund, nëse, vërtet, duam të zgjedhim konkurrentët më të mirë për punësim, është tejet i mjaftueshëm vlerësimi i kandidatit nëpërmjet dokumentacionit zyrtar (i cili duhet të respektohet !) dhe komunikimit me të, në rastin e intervistës, së cilës i nënshtrohet konkurrenti. (Çdo dokumentacion shkollor, i lëshuar ligjërisht, si dëshmi e ngritjes profesionale të arsimtarit, është më i vlershëm se çfarëdo komisioni për testimin e dijes së arsimtarëve për punësim).

Testimi klasik i dijes së arsimtarëve, me rastin e punësimit, tregon se arsimi ynë po lëngon edhe nga një marrëzi më shumë, nga e cila duhet të lirohet.