RCCOLA

Punëkërkuesit shqiptarë ndër më të pashkolluarit në Evropë

/ 3 minuta lexim

Në tre shtete në Evropë, punëdhënësit vuajnë më shumë për të gjetur fuqi punëtore me arsim të mesëm apo të lartë. Në vend të parë është Portugalia, ku 50 për qind e forcës së aftë për punë, nga mosha 15 deri në 64 vjeç, është me arsim të ulët 8-9 vjeçar në vitin 2018.

Sipas të dhënave të Eurostat, në vend të dytë renditet Malta me 47.4 për qind.

Shteti i tretë është Shqipëria. Të dhënat e INSTAT tregojnë se në vitin 2018, rreth 42 për qind e forcës aktive për punë ishte me arsim 8-9 vjeçar. Ndonëse kjo peshë ka rënë në raport me një dekadë më parë, jemi sërish ndër vendet me më pak të shkolluar në dispozicion në forcën aktive për punë. Me arsim të lartë është rreth 21 për qind e forcës së punës dhe me arsim të mesëm rreth 38 për qind.

Vendet me forcën e punës më të arsimuar në Evropë, sipas Eurostat janë Qipro, Irlanda, Mbretëria e Bashkuar, Finlanda, Zvicra, Norvegjia, Estonia, Suedia, Islanda, Belgjika, Lituania, me 35-40 për qind të forcës së punës që ka mbaruar universitetin, ose sa gati dyfishin e peshës së Shqipërisë.

Lituania, Çekia, Zvicra, Polonia, Sllovakia janë shtetet me nivelin më të ulët të forcës së punës me arsim të ulët, me 11.7 deri 14.4 për qind.

KKGJILAN

Nga vendet e rajonit, është karakteristikë pesha e lartë e forcës së punës me arsim të mesëm, në Malin e Zi ku ky tregues është 61.3 për qind, ndër më të lartat në Evropë, Serbia me 57.1 për qind dhe Maqedonia me 51 për qind.

Të ndara sipas gjinisë, të dhënat e INSTAT tregojnë se niveli më i lartë i të pashkolluarve është mes femrave. Gati 45 për qind e grave të moshës 15-64 vjeç që janë aktive në tregun e punës ishin me arsim fillor, përkundrejt 39.3 për qind tek burrat.

Gratë kanë edhe kontrastin më të madh. Ndonëse pjesa më e madhe janë më të pashkolluara se burrat, ato kalojnë në revansh kur bëhet fjala për arsimin e lartë. 26.3 për qind e forcës së punës te gratë është me arsim të lartë, ndërsa vetëm 20.6 për qind e meshkujve kanë mbaruar universitetin. Këta të fundit duket se mjaftohen me përfundimin e shkollës së mesme, rreth 45 për qind e meshkujve të aftë për punë, përkundrejt 29 për qind që është pesha e grave me shkollë të mesme.

Një studim i fundit tregon se femrat në Shqipëri, jo vetëm që përfundojnë studimet e larta universitare më shumë se meshkujt, por edhe zgjedhin të studiojnë shkencat. Shqipëria është i vetmi vend në Evropë, ku diplomohen më shumë femra se meshkuj në shkencat ekzakte. Përqindja e femrave të diplomuara në shkencë, matematikë, teknologji apo inxhinieri, ishte 53.1 për qind. /Monitor/