Fundamenti

Punë pak e punëtorë shumë

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Fushata zgjedhore duket se as që ka të bëjë fare me ta. Ata kanë hallin e vetë. Si të fitojnë për sot një kafshatë goje duke pritur të nesërmen me të njëjtën shpresë. Se dikush do të ketë nevojë për krahët e tyre dhe të fitojë një 15 apo më së shumti 20 euro.

Ata më parë presin aty në kënd me shpresë se dikush do të ketë nevojë për ta se sa të bredhin pas kandidatëve prej të cilëve edhe ashtu duket se janë të harruar.

Kandidatët për zgjedhjet lokale, në garë për një votë më shumë, duket se janë kujtuar për të gjithë duke shpërndarë premtime por punëtorët e krahut, as që i ka përmend kush. Por as atyre nuk u intereson shumë politika. Edhe pse, thonë ata, nëse me tre nëntor nuk janë të zënë me ndonjë punë, mund të dalin dhe të votojnë. Për kë, as vetë nuk e dinë.

Numri i punëtorëve të krahut që çdo ditë presin për punë në kryeqytet po rritet. E mundësitë për të gjetur ndonjë punë janë fare të vogla. Edhe pse në kohë fushatash lulëzojnë ndërtimet e egra që mund t’ua shtojë pak punën e tyre, sivjet duket se as kjo nuk ka ndikuar shumë.

Të zhgënjyer, ata fajësojnë institucionet dhe politikanët që, përveç fjalëve e premtimeve të mëdha, nuk po bëjnë asgjë për më shumë vendeve të punës.

Ata që edhe prisnin që dikush tu ofronte ndonjë punë, edhe dje rreth mesdite kishin mbushur “lamën” e krahut afër tregut të gjelbër. Disa nga ta, më “zanatli” e më të mëkëmbur, kanë bërë një çare dhe kanë siguruar një motosharrë që në këtë stinë në prag të dimrit do të thotë shumë. Ata gati asnjëherë nuk mbesin pa punë. Nëse jo për të sharruar drutë atëherë nafaka mund tu dalë në ndonjë punë krahu.

Eco Higjiena

Shumë nga ta ndodh të kenë fat dhe të gjejnë ndonjë punë por ndodh që edhe me ditë të presin nga mëngjesi e deri ne mbrëmje dhe të kthehen në familje duarthatë.

Rrahim Gashi nga Prishtina, kishte tri ditë që më kot priste ti afrohej dikush edhe ti ofronte punë, qoftë edhe për pesë euro.

“Nuk ka vëlla, punë. Ka ra shumë. Rrallë ndodh të na afrohet dikush. Por edhe kur na marrin na trajtojnë si skllav Është shumë vështirë. I kam pesë anëtarë të familjes, e me një social prej 75 euro nuk po mund të mbijetojnë prandaj për ne edhe dy euro janë të mëdha” thotë Rrahimi.

Ata që presin punë këtu nuk janë vetëm nga Prishtina. Madje më së paku janë kryeqytetas. Vijnë nga vende të ndryshme sepse në Prishtinë mbase ka më shumë punë. Avdyl Ajeti, edhe pse i shtyrë në moshë, kishte ardhur nga Lipjani.

“Për ne është shumë vështirë. Ky shtet paska qenë veç për a qeveritarët. Veç nëse ke 10 apo më shumë anëtar të familjes e ju siguron shumë vota, ndodh me ta gjet ndonjë punë. Përndryshe jo. Të lënë me vdek në mes të udhës”thotë Avdyli ./zeri/