HW

Publikohet Raporti i Progresit 2025: Kosova me progres të kufizuar dhe stagnim në reformat kyçe

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Komisioni Evropian ka miratuar Raportin e Progresit për Kosovën për vitin 2025. Në këtë raport i cili është bërë publik të martën më 4 nëntor 2025, thekson se Kosova ka pasur progres të kufizuar e stagnim.

Raporti thekson se Kosova ka pasur përparim të kufizuar në fusha të tilla si pavarësia e gjyqësorit, liria e medias, dhe efikasiteti i administratës publike.

Raporti thekson se bllokadat politike dhe polarizimi kanë penguar funksionimin normal të institucioneve demokratike.

“Pas zgjedhjeve parlamentare, dështimi i Kuvendit për t’u konstituuar ka cenuar seriozisht funksionimin e institucioneve kyçe demokratike”, theksohet në raport.

Përparimi për integrim evropian thuhet se u ndal për shkak të paaftësisë së Kuvendit dhe ngërçit politik pas zgjedhjeve të përgjithshme.

“Pavarësisht angazhimit të qeverisë dhe mbështetjes publike për rrugën evropiane të Kosovës, e shoqëruar me komunikim pozitiv mbi procesin e integrimit në BE, politika e brendshme ndarëse vazhdoi të pengojë zbatimin e agjendës së BE-së. Institucionet përgjegjëse për procesin e integrimit në BE mbeten në vend. Qendërzimi i agjendës së BE-së nganjëherë kufizon pronësinë politike në ministritë përkatëse dhe ngadalëson marrjen e vendimeve. Aktivitetet e integrimit në BE janë ndikuar negativisht nga kapaciteti i dobët administrativ dhe fakti që një numër i madh pozicionesh kyçe në administratën publike mbahen nga zyrtarë në detyrë”, është theksuar më tej.

Sa i përket masave të vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës, raporti thekson se ka filluar procesi i heqjes graduale të tyre. Një nga hapat e parë në këtë drejtim ka qenë mbajtja e takimit në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit në korrik, pas pezullimit të gjatë të takimeve të tilla.

Sipas raportit, çdo lehtësim i mëtejshëm i masave do të varet nga zhvillimet në veri të vendit.

“Hapat e mëtejmë mbeten të kushtëzuar nga një ulje e qëndrueshme e tensioneve në veri. Komisioni synon t’i heqë më tej këto masa me kusht që të arrihet një transferim i rregullt i qeverisjes lokale në veri, pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale dhe nëse ulja e tensioneve është e qëndrueshme”, thuhet në raport.

Mobi Casa

Pas nisjes së këtij procesi, katër projekte të asistencës teknike – që mbështesin investimet e mundshme në kuadër të Programit të Reformës dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor – janë riparaqitur dhe miratuar, duke shënuar sinjalin e parë konkret të rikthimit të bashkëpunimit praktik mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Komisioni shënon mungesë progresi në mbrojtjen e të drejtave themelore dhe në fushën e lirisë së shprehjes.

“Kosova ka një nivel të caktuar përgatitjeje, por nuk ka bërë progres në lirinë e shprehjes. Peizazhi mediatik është pluralist, por përballet me probleme që lidhen me transparencën e pronësisë dhe qëndrueshmërinë financiare të mediave”, ka theksuar Raporti i Progresit.

Sa i përket dialogut me Serbinë, raporti evidenton se të dyja palët kanë shkelur marrëveshjet ekzistuese, duke theksuar veprimet e njëanshme të Kosovës në veri dhe mungesën e llogaridhënies së Serbisë për sulmin në Banjskë. Zbatimi i marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe mbetet i bllokuar.

Komisioni nënvizon se as Kosova dhe as Serbia nuk kanë ndërmarrë hapa vendimtarë drejt zbatimit të marrëveshjes së vitit 2023 për normalizimin e marrëdhënieve.

Sipas raportit, pavarësia e sistemit gjyqësor është ende e brishtë dhe procesi i reformave po vonohet nga bllokadat politike.

Raporti thekson se ka infrastrukturë ligjore dhe institucionale, por përballet me sfida të mëdha: implementim të dobët, mungesë pavarësie, efikasitet të ulët, mungesë burimesh, ndikim politik dhe nevojë për forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe aksesit të drejtësisë për komunitetet jo-shumicë.

Raportin e plotë të Progresit për vitin 2025 e gjeni KËTU. /Telegrafi/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.