Publikohet libri “Shkathtësitë e shkrimit” i profesorit Safet Zejnullahu

“Shkathtësitë e shkrimit” është libri i ri i profesorit Safet Zejnullahu, i publikuar nga UBT. Ky është libri i tretë i profesorit Zejnullahu, dedikuar studentëve të gazetarisë, por edhe profesionistëve të kësaj fushe. Në rreth 400 faqe, libri trajton specifikat e shkrimit gazetaresk, me specifika të veçanta të medias: shkrimin për median e printuar, radio gazetarinë, gazetarinë televizive, ndërsa me theks të veçantë trajton shkrimin për median e internetit.

Në këtë kuadër, specifikë e veçantë e librit është trajtimi i marrëdhënies së re media-publik. Ai trajton një numër të madh çështjesh që ndërlidhen me qasjen e medias së re ndaj publikut dhe qasjen e publikut të kohës së internetit ndaj medias.

Libri është i plotësuar me shembuj të shumtë tekstesh dhe figurash e grafikësh, që e plotësojnë atë dhe e bëjnë më tërheqës dhe më të kompletuar.

“Gazetaria ka ndryshuar, me zhvillimin e teknologjisë. Teksti gaze¬taresk ka ndryshuar po kështu. Nga informacionet e gjata dhe shpesh monotone të medias tradicionale, kur një ngjarje mund të mos përfshihej në edicionet e sotme të lajmeve apo në faqet e gazetës së nesërme, gazetarët sot përballen me garën për lajmin sa më të shpejtë. Thjesht, sot koha e publikimit të një informacioni matet me sekonda, jo më me minuta, orë ose ditë”, thekson autori Zejnullahu në parathënien e librit.

Ai thekson gjithashtu specifikat e medias së re dhe qasjen që duhet të kenë profesionistët e gazetarisë sot.
“Gazetarët sot shkruajnë për lexuesin “shumë të zënë”, për lexuesin me mundësi të pakufishme të burimeve për ta marrë informacionin, për lexuesin gjithnjë më të informuar. Prandaj, shkrimi dhe raportimi për lexuesin e kohës sonë është kthyer në një sfidë, në garë me të cilën shpesh gazetarët gjenden edhe para dilemave rreth parimeve të profesionalitetit”, shkruan profesori Zejnullahu.

“Shpresoj që ky libër, përveç studentëve të gazetarisë, t’u hyjë në punë edhe të gjithë profesionistëve, të cilët sot kryejnë punën e gazetarit, përmes formave të pakufishme të komunikimit me publikun, të mundësuara nga zhvillimi i teknologjisë”, shton ai.

Profesori Safet Zejnullahu ka publikuar edhe dy libra të tjerë nga fusha e gazetarisë dhe komunikimit, “Shkrimi dhe Komunikimi” (2014) dhe “Lajmi në kohë lufte dhe krize” (2017), të botuara gjithashtu nga UBT.

Safet Zejnullahu, për më shumë se 15 vjet, është profesor në UBT, në Fakultetin e Medias dhe Komunikimit dhe në fakultetet e tjera, ku ligjëron lëndët që ndërlidhen me shkathtësitë e shkrimit dhe të komunikimit./rajonipress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).