PTK në Gjykatën Kushtetuese

Paralajmërimet e opozitës për bojkotim të seancës në momentin kur do të votohet për projektbuxhetin e vitit 2014, nuk e shqetësojnë shumë koalicionin qeverisës.
Këta të fundit thonë se buxheti është në interes të gjithë vendit prandaj duhet të mbështetet. Por kur pyeten nëse i kanë numrat e mjaftueshëm për ta kaluar edhe pa opozitën, deklarojnë se kanë bërë zgjidhje edhe për këtë situatë. LDK, por me gjasë edhe Vetëvendosje, nuk do të qëndrojnë në sallë pasi ata kanë vlerësuar së futja e amendamentit në projektbuxhet ku përfshihet shitja e PTK-së është veprim ilegal.
Nënkryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, deputeti i LDK-së, Naser Osmani, ka thënë se Qeveria nuk i ka respektuar afatet ligjore për sjelljen e këtij amendamenti në komision. “Në mbledhjen e Komisionit për Buxhet dhe Financa, Qeveria sjell amendamentin për ta kamufluar shitjen e PTK-së, në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit, me nenin 57 pika 3 ku thuhet qartë se amendamentet mund të sillen brenda afatit dyjavor prej leximit të parë. E leximi i parë ka ndodhur më 21 nëntor”, ka thënë Osmani.
Ai ka shtuar se pikërisht këto veprime të qeverisë e kanë nxitur LDK-në që t’i ndjekë të gjitha format ligjore të kundërshtimit të shitjes së PTK-së, madje deri në dërgimin e rastit në Gjykatën Kushtetuese..(Tribuna).