ARKATANA

PTK, në gjykatën e tenderëve

/ 5 minuta lexim
ARKATANA

Parregullsitë me tenderin për sigurimin shëndetësor të punëtorëve e kanë çuar Postën dhe Telekomin e Kosovës në gjykatën e tenderëve. Drejtuesit e kompanisë së sigurimeve “Siguria”, kanë dorëzuar ankesën në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik pasi PTK ka anashkaluar këtë kompani duke e shpërblyer një operator tjetër me tender, edhe pse ishte për 45 mijë euro më i shtrenjtë.

Drejtuesit e kompanisë së sigurimeve “Siguria”, nuk e kanë ndërmend të heqin dorë nga tenderi për sigurimin shëndetësor të punëtorëve të PTK-së.

Të hënën edhe zyrtarisht kanë dorëzuar ankesën në gjykatën e tenderëve, siç njihet ndryshe Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik, kundër Postës dhe Telekomit të Kosovës.

Rrahim Pacolli, drejtor i kompanisë “Siguria”, kishte paralajmëruar ditë më parë se do të ndërmarrë të gjitha masat ligjore për të dëshmuar se i është bërë e padrejtë kompanisë së tij në këtë tender.

PTK i ka besuar kompanisë së sigurimeve “Sigal UNIQA Group Austria”, tenderin “Benefite për sigurim shëndetësor”, me çmim prej 45 mijë euro më të lartë së kompania e dytë ofertuese, që në këtë rast ishte kompania e sigurimeve “Siguria”.

Kompania “Siguria”, ka ofruar çmimin prej 1 milion e 113 mijë e 206 euro, ndërsa “Sigal UNIQA Group Austria” 1 milion e 159 mijë e 8 euro dhe është shpallur fituese.

Pacolli: PTK u tregua e njëanshme

Në ankesën që i është drejtuar OSHP-së, Pacolli thotë se kanë bërë ne dije se PTK është treguar e njëanshme dhe mbi të gjitha ka shkelur rëndë ligjin, duke e ngritë edhe më tepër kaosin, korrupsionin dhe dyshimet për dallime në institucione të rëndësishme të Kosovës.

“Kompania e Sigurimeve ‘Siguria’ duke i pasur parasysh provat dhe faktet konstaton se ky vendim i PTK-së është i paligjshëm, kundërthënës dhe i pabazuar në rregullativën ligjore në fuqi, respektivisht ligjin mbi prokurimin Publik në Kosovë… dhe atë: për shkak të konstatimit të gabuar dhe të plotë të gjendjes faktike; zbatimit të gabuar të ligjit material-ligjit mbi prokurimin publik”, thuhet në ankesë.

Aty sqarohet se “Siguria” si pjesëmarrëse në këtë tender me kohë dhe konform kushteve të kërkuara me tender, i ka plotësuar të gjitha kushtet e parapara dhe njëherësh ka qenë ofertuesi me çmimin më të lirë.

Hidromorava

“Kurse arsyet për eliminimin, të dhëna nga ana e PTK-së, janë të pabazuara dhe të paargumentuara me ndonjë provë apo fakt me peshë juridike”, ka thënë Pacolli.

Së pari, sipas tij, nga ana e PTK-së është kërkuar që të dorëzojnë dëshmi për përmbushjen e kërkesës së përshtatshmërisë konform fletës së të dhënave të tenderit.

“Brenda afatit të paraparë KS ‘Siguria’ i ka dorëzuar vërtetimin nga gjykata, vërtetimin për kontributet sociale të punëtorëve si dhe vërtetimin nga Administrata Tatimore e Kosovës”.

Shkeljet e PTK-së

Drejtuesit e kompanisë ‘Siguria’ pretendojnë se konstatimi i gjendjes faktike nga ana e Komisionit të Prokurimit është bërë në mënyrë të gabuar dhe jo të drejtë ngase, sipas tyre, kompania ka qenë shumë e përgjegjshme në kompletimin e dokumentacionit dhe njëherësh më e lira në ofertën e saj, për çka edhe i ka plotësuar në tërësi kushtet e tenderit.

Arsyet për eliminim nga kjo procedurë e tenderimit si kompani e papërgjegjshme merret se në vërtetimin e gjykatës ceket se “Siguria” është në procedurë përmbarimore për rastet E.nr.412/11, E.nr.1067/13. E.nr.587/14.
Këto sipas përfaqësuesve të kompanisë janë arsye të pabaza dhe pa peshë juridike.

“Edhe pse ky konstatim bazohet në certifikatën e Gjykatës Gj.A.nr.3841/14 dt.21.07.2014, përmbajtja e sajë nuk nënkupton dëshmi përjashtuese të operatorit ekonomik KS “Siguria” ngase ato nuk konstatojnë asgjë në dëm të ankuesit”.

Pra, PTK në këtë rast sipas ankesës së përfaqësuesve të kompanisë, merr vendim me paragjykim, i cili vlerësohet i padrejtë dhe në kundërshtim të plotë me ligjin dhe të drejtën në përgjithësi.

Në ankesën e Sigurisë thuhet se shkelje tjera ligjore janë bërë edhe të nenit 6 të LPP-së ngase me vendimin e marrë ky organ ka bërë shkelje të ekonomicitetit dhe efikasitetit, ngase sikur tenderi ti ndahej KS “Siguria” diferenca në oferta, e cila është në favor të Sigurisë nënkupton ruajtje të buxhetit për 45,802 euro si dhe efikasitet në vazhdimin e lidhjes së kontratës për ti siguruar mbulimin e sigurimit shëndetësor për të punësuarit e PTK-së.

“Duke vepruar në këtë mënyrë, komisioni i PTK-së ka bërë shkelje edhe të nenit 7 dhe atë të barazisë gjatë trajtimit dhe jodiskriminimit”, thuhet në ankesë./tribuna/