Mobi Casa

PTK-ja, oazë abuzimesh dhe shpërdorimesh

/ 10 minuta lexim
Uji Dea

Edhe pse është në pritje të procesit të privatizimit, PTK-ja po vazhdon punësimet nga ana e drejtuesve të saj, që po abuzojnë paturpësisht, edhe pse ndodhet në prag të falimentimit kjo ndërmarrje publike. Vetëm brenda dy javësh në këtë ndërmarrje u punësuan rreth 100 persona.

Shatri: Bordi është duke u marrë me analizën e kontratës së PTK-së me Kompaninë “Z-Mobile”

“Tërë ajo çfarë po ndodh në PTK, ku për një javë janë punësuar edhe 100 punëtorë, pa pasur asnjë nevojë, është një tregues se si nga ana e drejtuesve të Telekomit po abuzohet paturpësisht në kompaninë që, siç dihet, ndodhet në prag të falimentimit. E them lirshëm se këto veprime të menaxhmentit po na tregojnë se e tëra kjo bëhet qëllimisht dhe për ta falimentuar e kapitulluar këtë kompani, me qëllim që të përgatitet terreni që PTK-në ta blejë dikush nga kompanitë e afërta me këtë koalicion qeverisës”, theksoi deputeti Salih Salihu për “Kosova Sot”

Edhe pse është në pritje të procesit të privatizimit, PTK-ja po vazhdon punësimet nga ana e drejtuesve të saj, që po abuzojnë paturpësisht, edhe pse ndodhet në prag të falimentimit kjo ndërmarrje publike. Vetëm brenda dy javësh në këtë ndërmarrje u punësuan rreth 100 persona.

Mësohet se punësimi i këtyre personave është bërë pa konkurs dhe pa specifikuar nëse ndërmarrja ka nevojë për këto punësime kur ka numër të punëtorëve rreth 2500. Sipas raporteve në media, këta persona nga menaxhmenti janë ftuar në intervistë gjatë vikendit, kur gjoja është mbajtur një test “formal”, ndonëse realisht dihet se këta “kandidatë” realisht janë militantë të partive politike që janë në pushtet ose familjarë të tyre. Analistët dhe deputetët e opozitës po pyesin se përse po hesht Qeveria para abuzimeve të përditshme, përfshirë edhe punësimin e qindra personave pa konkurs, tani në prag të falimentimit. Gazetari ka dërguar pyetje në adresën elektronike të PTK-së, përkatësisht të u.d. të kryeshefit ekzekutiv,z. Bedri Istrefi, si dhe në adresën e Qeverisë dhe MZHE-së, por zyrtarët e tyre nuk janë përgjigjur.

Sindikata dhe Bordi bëjnë sikur nuk dinë gjë për punësimet enorme

Lidhur me punësimet skandaloze ka folur lideri i Sindikatës së PTK-së, Lamih Balaj, për “Kosova Sot”, i cili tregoi se nuk kanë ndonjë informacion.“Sa u përket këtyre punësimeve, duhet që ta kontaktoni Bordin dhe Menaxhmentin, ngase ne si sindikatë nuk jemi në dijeni për punësime të tilla, së këndejmi në momentin që do të njoftohemi me këto do të bëjmë publikë qëndrimin tonë si sindikatë”, ka pohuar ai. Ndërsa kryesuesja e Bordit të PTK-së, Besa Shatri, përmes celularit për gazetën “Kosova Sot”, thotë se aktualisht Bordi është duke u marrë me analizën e kontratës së PTK-së me Kompaninë “Z-Mobile”. “Ndaj kjo është e tëra çfarë mund t’ju them për momentin”, ka theksuar ajo pa dhënë detaje rreth punësimeve, që zor se mund të ndodhin pa dijeninë e bordit që është tërësisht politik.

Kompaninë do ta blejnë të korruptuarit e pushtetit

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Salih Salihu (PSD), për gazetën “Kosova Sot”, thotë se aspak nuk duhet që të çuditemi se përse po hesht Qeveria para abuzimeve të përditshme, përfshirë edhe punësimin e qindra personave pa konkurs, tani në prag të falimentimit, që po bëhen në Telekomin e Kosovës.“Nuk duhet të çuditemi se punësimi i këtyre personave është bërë pa konkurs dhe pa specifikuar, ndonëse siç dihet PTK-ja nuk ka fare nevojë për këto punësime, sepse ka numër të madh të punëtorëve, rreth 2500”, u shpreh ai.

“Nuk duhet që të çuditemi fare se përse këta të punësuar nga menaxhmenti janë ftuar në intervistë gjatë vikendit, kur edhe gjoja është mbajtur njëfarë testi “formal”, ndonëse realisht dihet se këta “kandidatë” janë militantë të partive politike që janë në pushtet ose familjarë të tyre”, thekson deputeti socialdemokrat. “E tëra ajo çfarë po ndodh në PTK, ku për një javë janë punësuar edhe 100 punëtorë pa pasur asnjë nevojë, është një tregues se si nga ana e drejtuesve të Telekomit po abuzohet paturpësisht në kompaninë që siç dihet ndodhet në prag të falimentimit. E them lirshëm se këto veprime të menaxhmentit po na tregojnë se e tëra kjo bëhet qëllimisht dhe për ta falimentuar e kapitulluar këtë kompani, me qëllim që të përgatitet terreni që PTK-në ta blejë dikush nga kompanitë e afërta me këtë koalicion qeverisës”, vijoi më tej Salihu.

Qeveria e shkatërron qëllimshëm Telekomin

Eco Higjiena

“Në të gjitha kompanitë publike Qeveria i ka dërguar njerëzit dhe individët që janë të lidhur me pushtetin, që për mision të tyre janë dërguar për t’i shkatërruar ato deri në shitjen e tyre përfundimtare. Dhe e tëra kjo nuk është e rastësishme, sepse qeveria ka ditur që t’i dërgojë njerëzit e vet nëpër NP-të tona, duke i falur ato dhe në fund i bën të pavlefshme, vetëm e vetëm për t’i shitur sa më lirë dhe duke u bërë vetë pronarë të këtyre pronave. Këtu bëhet fjalë për një grup të stigmatizuar të njerëzve që bëjnë krime ekonomike që janë të lidhur me oligarkë dhe farefis, njerëz që njihen mirë në mes vete dhe që mbahet shumë sekrete dhe është shumë e vështirë që të zbulohen lidhjet e tyre.

Prandaj të gjitha këto punë nuk bëhen nga individë të thjeshtë dhe pa ndonjë program të caktuar nga njerëzit e politikës, por edhe nga njerëzit që janë duke i udhëhequr këto NP. Janë pikërisht këta njerëz që e sollën Telekomin në këtë pozitë dhe kjo na tregon qartë se këtu asgjë nuk është e rastësishme, sepse kjo dëshmon që ka lidhje të qartë që nga prokuroria, gjyqtarët dhe menaxhmentet, deri në qeveri, e kështu me radhë”, theksoi Salih Salihu për “Kosova Sot”.

Abuzim i pandalshëm

Analisti Bislim Aliu, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se aspak nuk duhet të çuditemi se përse PTK-ja po vazhdon ende punësimet, ndonëse është në pritje të falimentimit dhe se me këtë kompani po abuzohet paturpësisht në ndërmarrjen që tashmë është e kapitulluar.“Së këndejmi edhe nuk duhet që të çuditemi se përse në këtë ndërmarrje u punësuan rreth 100 persona. Aq më tepër kur dihet se punësimi i këtyre personave është bërë pa konkurs dhe pa kurrfarë rregulli, ndonëse dihet botërisht se ndërmarrja ka nevojë për këto punësime kur ka numër të mjaftueshëm të punëtorëve, rreth 2500 veta. Duhet të pyesim se përse po hesht Qeveria para abuzimeve të përditshme në Telekom, përfshirë edhe punësimin e qindra personave pa konkurs, tashmë në prag të falimentimit?”, është shprehur Aliu.

Akuza për shpëlarje të parave

Eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se këto punësime që kanë ndodhur brenda dy javësh në PTK e kanë vetëm një emër – shpëlarje e parave dhe tani shtrohet pyetja përse qytetarët e shumtë nuk kanë pasur njohuri rreth këtij konkursi, sa persona të shkolluar i ka pranuar PTK-ja. Aq më tepër, duke e ditur që shumica e të rinjve të sapodiplomuar kanë ikur dhe po ikin nga Kosova për shkak të politikës dhe ekonomisë së brishtë.

“Duhet të pyesim se si do paguhen këta 100 persona shtesë nga kjo ndërmarrje kur e dinë qytetarët se PTK-ja është në prag të falimentimit total dhe është në proceset përfundimtare të privatizimit, andaj qytetarët me të drejtë thonë se këtu diçka po zihet. Prandaj, Qeveria e Kosovës nuk duhet më që të heshtë ndaj këtyre abuzimeve dhe keqpërdorimeve të parasë publike nga persona të papërgjegjshëm, të cilët bëhen diktatorë nën hijen e pushtetarëve të kriminalizuar, mendoj se duhet fillohet një hetim i thellë se si ka ardhur deri te ky konkurs dhe se si është bërë përzgjedhja e këtyre kandidatëve, të cilët janë pranuar”, u shpreh ai.

Kapot e politikës, pas kontratave kriminale

Ligjëruesi i lëndëve të ekonomisë, Sejdi Halimi, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se vërtet është për keqardhje që edhe u.d. kryeshefi ekzekutiv Bedri Istrefi po shkon gjurmëve si kolegët e mëhershëm. “Veç saj, me emërimin e tij në këtë post kjo po na tregon qartë se në Telekomin e Kosovës edhe pas instalimit të individëve të dëgjueshëm nga politika ditore nuk po sjell asgjë risi për të mirë. Prandaj, e themi lirshëm se edhe u.d. kryeshefi i ri ekzekutiv i Telekomit është vetëm edhe një i dërguar i politikës dhe mafio-oligarkisë për ta zhvatur këtë ndërmarrje pothuajse të falimentuar në mënyrën e vet dhe grupit të tij”, vlerësoi ai. “Burimet nga Telekomi thonë se edhe Istrefi sikurse edhe paraardhësit e vet të mëhershëm, në vend se të ndërpretë krimin e organizuar në ketë ndërmarrje, ai po noton në ujërat e njëjta. Kjo ngase edhe ky është duke shpenzuar kohën kot dhe duke mos kontribuar asgjë që Telekomi të dalë nga kthetrat e krimit të organizuar”, vijoi më tej Halimi.

“Edhe ardhja e Bedri Istrefit në këtë post po na tregon se si ishte e mundur plaçkitja e Telekomit nga garniturat e deritashme të pushtetarëve, duke e bërë këtë në mënyrë tinëzare, përmes skemave dhe kontratave kriminale, të dëmshme dhe me arbitrazhe të inskenuara. Ndonëse prokuroria është e vetëdijshme për krimet që janë bërë kundër Telekomit, ata deri më tash kanë bërë hetime sipërfaqësore dhe nuk kanë ngritur ndonjë aktakuzë për krimet e pandërprera që janë bërë në PTK pandërprerë dhe nga heshtja e Prokurorisë dhe mospuna e duhur e saj kjo lë dyshime të mëdha se ndoshta edhe prokuroria me heshtjen e abstenimin e saj të kundërligjshëm do që të jetë pjesë e fundosjes së PTK-së, duke dëshmuar kësisoj se prokuroria po frikësohet që të hapë rastet kriminale që kanë ndodhur në Telekom dhe rreth tij në Qeveri e Presidencë”, ka thënë Halimi. Sipas tij, kështu mund të dalë në shesh që prapa këtyre kontratave qëndrojnë kapot e politikës.

(Kosova Sot)