PTK-ja në rënie të lirë, MZHE-ja ndërhyn në shpenzime
Raporti më i ri i ARKEP-it, i publikuar kohë më parë, dëshmoi edhe një herë se si PTK-ja ka shënuar rënie sërish, ndërkohë që kompania rivale, “IPKO”, ka shënuar rritje. Ndaj, analistët propozojnë se që të ndalet rënia e kësaj kompanie duhet shkarkuar menaxhmentin ekzistues të kompanisë, që jo moti ishte kompania më profitabile në vend.
Qeveria zotohet të ndalë trendin negativ në kompaninë publike
“Ministria e Zhvillimit Ekonomik që tani ka ndërmarrë një sërë masash, të cilat kanë të bëjnë me racionalizimin e shpenzimeve, ndërsa viti i ri afarist do të fillojë me një pako të masave konkrete”, ka konkluduar Ajeti.
Raporti më i ri i ARKEP-it, i publikuar kohë më parë, dëshmoi edhe një herë se si PTK-ja ka shënuar rënie sërish, ndërkohë që kompania rivale, “IPKO”, ka shënuar rritje. Ndaj, analistët propozojnë se që të ndalet rënia e kësaj kompanie duhet shkarkuar menaxhmentin ekzistues të kompanisë, që jo moti ishte kompania më profitabile në vend.
Analistët e kësaj fushe e kanë shtruar në diskutim edhe çështjen se çka po planifikon Qeveria e re që ta mëkëmbë ose ta shesë këtë ndërmarrje. Ata janë të mendimit se duhet sa më parë të realizojnë shitjen e këtij aseti të vlefshëm nacional, i cili, për fat të keq, për më shumë se 15 vjet pandalshëm po zhvatet e plaçkitet nga krimi i organizuar, me qëllimin e vetëm që kompania “Devolli” ta blejë apo, thënë më mirë, t’i dhurohet, ashtu siç i është dhuruar jo moti edhe kontrata e dëmshme e PTK-së, që ishte bërë qëllimshëm me ” Z-Mobile”. Pas kësaj kontrate, dyshohet se ka marrëveshje korruptive dhe për përfitime të Devollëve të inkriminuar, si dhe politikanëve e nëntokës, të cilët dyshohet se qëndrojnë prapa oligarkëve. Me gjithë përpjekjet e gazetës për të mësuar se çka thonë për këto çështje të ngritura Qeveria dhe kompania “Devolli”, dhe me gjithë pyetjet e dërguara në adresën e tyre elektronike, zyrtarët e tyre nuk kanë dhënë përgjigje për gazetën.
Ministria synon ngritjen e qëndrueshmërisë financiare
Zyrtarë të MZHE-së kanë thënë për “Kosova Sot”, se pozita e Telekomit të Kosovës reflekton gjendjen e përgjithshme në treg, i cili përshkohet me rënie të vazhdueshme. Fitore Ajeti, zyrtare për informim në MZHE, ka pohuar se raporti i fundit i ARKEP-it tregon se operatori publik i telefonisë mobile “VALA” ka një ngritje të lehtë të pjesëmarrjes në të hyrat që gjeneron tregu, por një rënie të lehtë te numri i përdoruesve. Do të thotë, ka shtuar ajo, se “VALA” ka gjeneruar më shumë të hyra, pa pasur ngritje të çmimeve. “Ministria e Zhvillimit Ekonomik me vëmendje është duke përcjellë zhvillimet në tregun e telekomunikimeve, si edhe të rolit që kanë operatorët publikë të telefonisë fikse dhe asaj mobile. Pa marrë parasysh ngritjet e lehta që kanë ndodhur në tremujorin e dytë të vitit 2017, MZHE-ja është në përgatitje të masave, të cilat do të kenë ndikim në ngritjen e qëndrueshmërisë financiare të PTK-së, rritjes së vëllimit dhe cilësisë së shërbimeve. Kjo gjithsesi se presim se do të përmirësojë edhe pozitën e PTKsë në treg”, ka thënë ajo, duke shtuar se përmes masave, që do të ndërmerren, do të ketë reforma të thella në mënyrën e qeverisjes dhe të menaxhimit të ndërmarrjeve publike. Kjo, ka shtuar më tej zyrtarja e MZHE-së, nënkupton rritjen e përgjegjësisë dhe të llogaridhënies së bordeve, forcimit të qeverisjes së korporatave, si edhe ndaljen e trendëve që po ndikojnë në përkeqësimin e gjendjes në ndërmarrjet publike. “MZHE-ja që tani ka ndërmarrë një sërë masash që kanë të bëjnë me racionalizimin e shpenzimeve, ndërsa viti i ri afarist do të fillojë me një pako të masave konkrete”, ka konkluduar Ajeti.
Ish-drejtori kërkon shkarkimin e menaxhmentit
Ndërsa, lidhur me çështjen ka folur edhe ish-drejtori i PTK-së, Shyqyri Haxha, i cili për gazetën ” Kosova Sot” tha se raporti i ARKEP-it, i publikuar në tetor, dëshmon trendin e shkatërrimit të Telekomit-“Vala”-s. “Përderisa ‘IPKO’- ja ka rritje, ‘Vala’ ka rënie të vazhdueshme drastike. Sepse, grafiti tregon suksesin e Telekomit-PTK-së,’Vala’-së për vite”, u shpreh ai. “Heshtja e çdo institucioni ndaj këtij shkatërrimi të këtij aseti kombëtar është shumë shqetësues. Natyrisht, se kjo ‘heshtje’ është ‘blerë’ përmes ‘Marketingut’ nga menaxhmenti ekzistues”, potencoi më tutje ishkryeshefi ekzekutiv në PTK. Sipas ekspertit, Haxha kjo “heshtje” po e shkatërron Telekomin-“Vala”-n. “Ndaj, Qeveria e tashme e Kosovës duhet që urgjentisht të shkarkojnë këtë menaxhment që përbuzi PTK-në,Telekomin- ‘Vala’-n, në këtë formë”, vlerësoi Shqyri Haxha.
Politika, e përzier në planet e shkatërrimit të ndërmarrjes
Analisti Faton Mehmeti tha për ” Kosova Sot” se rënia drastike e PTK-së vjen për shkak të keqmenaxhimit të saj nga drejtuesit që punojnë për ” bosët e politikës”, iu shërbejnë atyre dhe fitimin e ndajnë me ta. “Sepse, janë Devollët ata që i kanë futur hundët tek PTK-ja, dhe rrjedhimisht rënia e saj është e patjetërsueshme”, theksoi ai. Sipas tij, raporti i ARKEP-it, që dëshmon për rënien e kompanisë, është i vërtetë dhe duhet të merret më seriozitet nga institucionet e vendit. “Kjo, ngase PTK-ja po shkon drejt falimentimit, kjo është si shkak i një plani që synon, që duke falimentuar PTK-në, të munden që ta nxjerrin atë në shitje dhe kështu të përfitojnë dy herë”, vijoi më tej analisti Mehmeti. “Këtë po e bëjnë njerëz të lidhur me politikën, që kanë këto plane pra, dhe janë në rrugë të drejtë që të realizojnë atë”, u shpreh ai. Mehmeti sugjeron se duhet ndryshuar politika e PTK-së, të shkarkohet ky bord, për t”u vendosur kuadro dhe ekspertë të ndershëm, punëtorë dhe që kanë ide dhe elan për të rikthyer PTK-në në një fuqi ekonomike për vendin, sepse që 15 vjet PTK-ja po zhvatet, plaçkitet dhe po degradohet drejt falimentimit. “Janë njerëz të nëntokës të lidhur me Devollët, e që janë pjesë e politikës, ata që po u mundësojnë këtyre që të përfitojnë milionat pa u djersitur fare, duke e bërë këtë në kurriz të qytetarëve të ndershëm. Ndaj, kjo është arsyeja që PTK-ja po fundoset,dhe kjo do t’i shkaktojë dëme të mëdha Kosovës, ndërkohë që do t’ia shtojë edhe më shumë buxhetin e pasur të Devollëve dhe të disa politikanëve të lidhur me ata”, ka thënë ai.
Një dekadë e gjysmë zhvatje
Ndërsa, analisti Ragip Guraziu tha për gazetën”Kosova Sot”, se dyshimet e ekspertëve u dëshmuan përmes raportit më të ri të ARKEP-it, që tregon haptazi se PTK-ja ka shënuar rënie të sërishme në afarizmin e saj në raport me kompaninë rivale “IPKO”. Sipas tij, edhe ky raport po tregon dhe po dëshmon se qëllimi i fundit i këtyre pushtetarëve është që PTK-ja do t’i dhurohet po asaj kompanie, siç iu është dhuruar përmes kontratës me ” Z-Mobile”. “Kjo po ndodh pasi edhe pas 15 vjetëve, po kjo kompani po zhvatet dhe po plaçkitet nga krimi i organizuar pandalshëm, kjo e çon në mullirin e Devollëve edhe PTK-në, duke e nxjerrë në shitje për një çmim qesharak dhe duke e bërë këtë në dëm të shtetit dhe për synim të vetëm të përfitimit të Devollëve të inkriminuar dhe politikanëve dhe nëntokës që qëndrojnë prapa vëllezërve Devolli”, ka theksuar Guraziu. “Tani, për të ndalur rënien e kësaj kompanie që po zhvat mijëra miliona euro në këtë formë, Qeveria e re, në krye me kryeministrin Ramush Haradinaj, duhet që të planifikojë që ta mëkëmbin ose që ta shesin këtë ndërmarrje, respektivisht që sa më parë të realizojnë shitjen e këtij aseti të vlefshëm nacional, që për më shumë se 15 vjet po zhvatet e plaçkitet nga krimi i organizuar pandalshëm, ashtu që Devolli ta blejë apo më mirë të themi do t’i dhurohet ashtu, siç i është dhuruar ” Z-Mobile”, duke e nxjerrë në shitje për një çmim qesharak në dëm të shtetit dhe për përfitim të Devollëve të inkriminuar dhe politikanëve dhe nëntokës që qëndrojnë prapa vëllezërve Devolli”, u shpreh më tutje ai .
Bandat e kapën edhe Telekomin
Analisti Reshat Badallaj -Zhuriani tha për ” Kosova Sot”, se PTK-ja jo vetëm që është në rënie drastike, por kjo ndërmarrje, që ishte më e madhja dhe më fitimprurësja e shtetit, nuk do të ngrejë krye kurrë, sepse është nën thundrën e mafio-oligarkëve të kanaleve mafioze të nëntokës dhe Devollit. “Banditët, qëllimisht dikur moti nuk e lejuar që të shitet PTK-ja, sepse nuk do të merrnin pjesë në hajni dhe mu për këtë qëllim e kanë ruajtur për vete, duke e dëmtuar ekonominë e Kosovës dhe duke i nxjerrë punëtorët në rrugë dhe njëkohësisht duke e rritur papunësinë dhe duke prekur popullatën me fukarallëk deri në skajshmëri”, potencoi ai. “Është koha e fundit që shteti (po të kishte shtet) të vërë dorë në këta kriminelë dhe banditë që të shpëtojmë PTK-në, që të mos i falet bandës serbiane Devolli dhe kryebanditëve dhe banditëve të bandave politike, sepse me shkatërrimin e kësaj ndërmarrjeje gjigante në Kosovë, do të shkatërrohet ekonomia e vendit, do të rritet papunësia dhe do shtohet fukarallëku”, vijoi më tutje ai. Ndërkohë, përfaqësuesi i shoqërisë civile, Selatin Kaçaniku (“Konsumatori”) tha për “Kosova Sot”, se ndalje të rënies së PTK-së, të shkatërrimit të saj, do të ketë në fund, me rastin e privatizimit, kur PTK-në ta blejnë qytetarët konsumatorë të saj, “e që jemi tanimë mbi 1.2 milion”. Sipas tij, duhet të shfuqizohen të gjitha vendimet që po e shkatërrojnë ndërmarrjen. Qeveria e re, ende nuk ka dhënë ndonjë vizion konkret, se si parasheh ajo të veprojë me PTK-në.
(Kosova Sot)


