PTK drejt shkatërrimit

Prishtinë – Rënia e fitimeve në Postë-Telekomin e Kosovës nuk ka të ndalur. Kjo ndërmarrje ka shënuar rënie të fitimeve gjatë vitit të kaluar për dy milionë euro. Sipas raportit financiar të PTK-së për vitin 2013, fitimi i kësaj kompanie ka shënuar rënie. Fitimi neto i PTK-së gjatë vitit 2013 ka qenë 36 milionë e 109 mijë euro, përderisa në periudhën e njëjtë vitit paraprakë, 38 milionë e 338 mijë euro.
Sipas raportit, fitimi neto i PTK-së ka qenë më i ulët në krahasim edhe me dividentën që kishte ndarë kjo kompani për buxhetin e shtetit. Dividenta e PTK-së për qeverinë ka qenë 40 milionë euro, apo 4 milionë euro më e lartë se fitimi i realizuar nga kompania. Rënie të tillë në fitime PTK me gjasë do të shënojë edhe gjatë këtij viti.
Burime brenda PTK-së bëjnë të ditur se rënia e fitimeve në kompani në katërmujorin e parë të këtij viti është më e theksuar se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. “PTK edhe këtë vit ka rënie drastike të fitimeve. Në rënien e fitimeve sivjet ka ndikuar ngecja e zhvillimit të teknologjisë.
Mosfunksionalizimi i internetit 3G në telefoninë mobile ka ndikuar jashtëzakonisht në humbjen e klientëve, pasi që konkurrenti tjetër në fund të vitit të kaluar ka filluar me aplikimin e sistemit 3G”, ka thënë burimi brenda PTK-së.
Musa: PTK-në askush nuk mund ta shpëtojë nga shkatërrimi
Në anën tjetër, njohës të ekonomisë parashohin se PTK-ja do të shkojë drejt shkatërrimit total. Njohësi i ekonomisë, Lekë Musa, ka thënë për Tribuna se askush nuk do të mund ta shpëtojë PTK-në nga shkatërrimi. “Kompanitë e telekomunikacionit nuk e durojnë funksionimin në kuadër të sektorit publik. As qeveria më e aftë në botë nuk është në gjendje të menaxhojë dhe të konkurrojë me sektorin privat të telekomunikimit”, ka thënë Musa.
Sipas tij, as dividenta e ndarë për Qeverinë e Kosovës nga PTK nuk është nga fitimet e vitit të kaluar. “Dividenta mundet me qenë fitim i disa viteve. Shumica e partive politike thonë së për shkak të dividentes të cilën do ta merrte Qeveria e Kosovës nuk duhet privatizuar PTK-në,
mirëpo dividenta është faktor i parëndësishëm kundrejt zhvillimit të suksesshëm të sektorit telekomunikues i cili është bosht i çdo ekonomie”, ka thënë Musa. Sipas tij, PTK nuk duhet të shihet si aset që krijon vetëm të hyra për buxhetin e shtetit. “Telekomunikimet nuk janë industri për të krijuar të hyra për buxhet, mirëpo janë një mjet i domosdoshëm për zhvillimin e një shoqërie dhe telekomunikimi nuk zhvillohet në sektor publik”, thotë Musa.
Ndryshe, sipas parashikimeve qeveritare, PTK nuk pritet t’i shpëtojë privatizimit. Madje, ky po vazhdon të mbetet i vetmi opsion i Qeverisë së Kosovës karshi kësaj ndërmarrjeje.
Mirëpo, institucionet shtetërore nuk kanë caktuar asnjë afat kohor për privatizimin e PTK-së.
Në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik thonë se tani janë duke punuar në rritjen e vlerës se kësaj ndërmarrjeje. Ata tregojnë se fokusi kryesor tani është në drejtim të menaxhimit për shërbime më të mira dhe ngritje të vlerës. Ata po ashtu kanë treguar se janë ende duke e shqyrtuar situatën e krijuar pas
përmbylljes së pasuksesshme të raundit të kaluar të privatizimit të PTK-së dhe ende nuk ka ndonjë vendim për fazën e ardhshme të privatizimit të PTK-së.
Kurse, sa i përket anulimit të tenderit mes Qeverisë dhe kompanisë AXOS, në MZHE thonë se ky proces është i përfunduar dhe nuk ka çka të thuhet më shumë./tribuna/