UBT

“Psikologjia e suksesit. Si të bësh miliona – Rasti Kosova”

/ 5 minuta lexim
ARKATANA

Nga Naser Sertolli – Sa keq që në mesin e të gjallëve nuk është Dale Carnegie. E dini, fjala është për shkrimtarin dhe konferencierin amerikan. Besoj se keni lexuar ndonjërin prej librave të tij në ndonjë moment kur jeni ndjerë i vetmuar dhe shpresëhumbur, ndërkohë që miqtë tuaj ishin larguar dhe befas ishin pasuruar sa s’ka më.

Çfarë ndodhi me mua dhe cili është çelësi i suksesit të miqve, me të cilët deri dje kemi ndarë kokrrat e kripës e sot u bënë milionerë- , mund ta keni pyetur veten. Për të gjetur përgjigjen, dikush mund të ju ketë propozuar librin e parë të Dale Carnegie “Si të krijoni miq dhe të fitoni përkrahjen e njerëzve”, i cili për fat të mirë është përkthyer edhe në shqip. Megjithëse ju ka ofruar këshilla të dobishme, libri nuk ju ka siguruar përgjigjen e dëshiruar. Pastaj, instiktivisht jeni vënë në kërkim të librit të dytë, të cilin e keni lexuar sikur edhe të tretin dhe mund të keni vazhduar gjurmimin edhe tek autorë të tjerë.

Sikur të ishte gjallë, Dale Carnegie tashmë do të ishte në përfundim të një libri, i cili njerëzve do t’u kishte rrëfyer rrugën më të shkurtër për t’u bërë i pasur. I mahnitur me shkathtësitë e kosovarëve në këtë drejtim, me ndonjërin prej të cilëve patjetër se do ta përballte jeta, ai që ofronte këshilla për sukses në biznes e në jetë, do të mund ta titullonte librin e ri: “Psikologjia e suksesit. Si të bësh miliona – Rasti Kosova”.

Duke përdorur stilin e tij “nëse do t’i lexoni këshillat e mëposhtme…”, për t’i shtyrë njerëzit t’i dalin në fund librit, Dale Carnegie do t’i radhiste kushtet dhe rrethanat nëpër të cilat duhet të kalojnë për të realizuar ëndrrat për të qenë të kamur sipas precedentit “Kosova”.

Së pari, do të shkruante Carnegie, duhet që në vendin tuaj të ekzistojë një gjendje e rëndë politike e ekonomike. Bile, nëse e do fati, vendi juaj duhet të jetë i pushtuar. Pastaj, ju duhet t’i rrokni armët. Nuk ka rëndësi se sa kohë, por preferohet më së shumti një vit, e të bëheni se po luftoni derisa të krijoni një kapital patriotik. Pastaj, mbaron lufta. Dhe kapitali i mbledhur në luftë automatikisht dhe vetvetiu konvertohet në pasuri. Nuk ka rëndësi nëse pas luftës punoni ose jo, merrni pagë ose jo, të madhe a të vogël. Është ligj i natyrës, do të thoshte më tej autori, që kapitali patriotik të shndërrohet në pasuri të pafundme, të tundshme e të patundshme.

Hidromorava

Së dyti, njeriu që mbajti shumë kurse përmes të cilave shumë biznesmenëve të pashpresë u dha krahë dhe i shpëtoi nga kriza ekonomike e mendore, do ta trajtonte rastin kur miliona njeriu mund të bëjë edhe nëse e ka një kioskë, në një qytezë edhe më e madhja qoftë ajo. Me talentin e tij të shkrimit dhe të të bindurit, sikur kur shkroi “best-seller”-ët e tij këtu e njëqind vjet më parë, autori sigurisht do të evitonte të vërtetën e një pasurimi të tillë, që do të mund të vinte nga shpërblimet për vrasje me pagesë të rivalëve politikë, ushtarakë, të biznesit apo edhe të atyre që do të mund të dinin për afërsinë apo bashkëpunimin e tyre apo të dikujt me armikun.

Një tjetër mundësi që nuk duhet lëshuar është që të bëheni pjesë dhe të keni pjesë në shitjen dhe blerjen e pasurisë shoqërore. Askush nuk do ju pyes ku i morët mjetet për blerje edhe nëse botërisht do të dihet se s’keni pasur një metelik në xhep. Autori do të përkujdesej në maksimum që fjala “haraç” as të mos përmendej as të mos nënkuptohej.

Dhe rregulla e artë që pasuria juaj të “zërë vend” është t’i hyni politikës. Përmes saj, do të sugjeronte autori, ju do të arrini ta përligjni tërë atë që e keni fituar pa kokrrën e djersës. Ju duhet të bëni çmos për ta miratuar, për shembull, një “Ligj të Amnistisë”, i dedikuar kinse për të vendosur rendin dhe ligjin në tërë territorin e vendit, por që në fakt do të ishte mburoja e pasurisë tuaj të fituar në mënyrë kriminale.

Nuk ka dyshim që një libër i tillë do të bëhej sensacion. Ndoshta edhe më i lexuar se “best-seller”-i “Si të bësh miq”, i cili deri më 2010, kur është botuar për herë të 58-të, në gjithë botën është shitur në 40 milionë ekzemplarë. Libri i mundshëm do të shitej edhe më shumë dhe do të përkthehej edhe në më shumë gjuhë se 39 në sa është përkthyer i pari. Kjo për faktin se në këtë kohë ka shumë vende në tranzicion ose në rrethanat e volitshme sikur ka qenë Kosova që njerëzit të pasurohen “brenda natës”. Prandaj, keq që nuk është në mesin e të gjallëve Dale Carnegie.