UBT

Pse Thaçi do ta rirrëzoj veten?

/ 4 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Adrian Çollaku – Vjeshta në Kosovë këtë vit pritet të jetë shumë e “nxehtë”. Partitë e mëdha politike në Kosovë, kanë filluar të përgatiten për zgjedhje. Pra, jo vetëm për ato lokale që pritet të mbahen sipas ligjit në vjeshtë, por edhe për zgjedhjet e përgjithshme, të cilat duket se janë të pashmangshme.

Sërish, është Partia Demokratike e Kosovës, me në krye liderin e saj, Hashim Thaçi, e cila i ka filluar përgatitjet për ta çuar vendin në zgjedhje. Madje, siç ka raportuar gazeta, edhe ndërkombëtarët tashmë e kanë mësuar planin e kryeministrit aktual për zgjedhje të reja. Sipas burimeve ndërkombëtare, Thaçi po pretendon që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, njëjtë sikurse ndodhi në vitin 2010, kur Lidhja Demokratike e Kosovës, atëkohë e udhëhequr nga Fatmir Sejdiu u largua nga koalicioni qeverisës, dhe Qeveria u rrëzua në Kuvend përmes votëbesimit, apo më mirë thënë u vetërrëzua.

Kryeministri Thaçi, tani do të shfrytëzojë ndoshta ngushtimin e numrave të koalicionit qeverisës për të kërkuar rrëzimin e qeverisë. Pra, si pretekst do të përdorë largimin e disa deputetëve nga Koalicioni për Kosovë të Re, humbjen e disa votave brenda partisë së tij, pra atë të Jakup Krasniqit, Fatmir Limajt, Hydajet Hysenit…, si dhe largimin e disa deputetëve nga partia më e madhe serbe në Kosovë, SLS, e cila ishte partnere e koalicionit.

E, në fakt me këtë veprim, kryeministri Thaçi do të synojë të realizojë interesa krejt tjera.

Së pari, në rast se shkohet në zgjedhje të parakohshme, atëherë opinioni publik do të merret shumë pak me marrëveshjen e arritur në Bruksel me Serbinë për veriun e vendit. Pra, opinioni publik nuk do të ketë kohë të vlerësojë nëse kjo marrëveshje do të jetë e favorshme apo e dëmshme për vendin, për faktin se e tërë vëmendja do të jetë e përqendruar te zgjedhjet.

UBT

Së dyti, koha për implementimin e tërësishëm të marrëveshjes, e cila mund ta dëmtonte në masë të madhe kredibilitetin e tij, si nënshkrues i marrëveshjes me Serbinë, do të jetë e vogël. Me një fjalë, qytetarët e Kosovës do ta kenë të pamundur të analizojnë si duhet këtë marrëveshje, që pastaj ta ndëshkojnë me vota Thaçin, për faktin se koha do të ishte shumë e shkurtër, ndërkohë që implementimi i marrëveshjes kërkon goxha kohë.

Së treti, disa lëvizje politike që është duke i ndërmarrë muajt e fundit kryeministri, janë indikacione se PDK-ja është e gatshme për zgjedhje. Ndarja e fondit prej 40 milionë eurosh për “dëmshpërblimin” e ish- të burgosurve politikë, nisja e verifikimit të statusit të ish-ushtarëve të UÇK-së, proces i cili me gjasë nuk pritet të përfundojë pa përfunduar zgjedhjet, pastaj rritja e pagave për shërbyesit civilë që parashihet të ndodhë në pjesën e dytë të këtij viti, planifikimi i nisjes së autostradës Prishtinë- Shkup, nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim- Asocimit, që pritet të ndodhë këta muaj…, janë indikacione të mjaftueshme për zgjedhje, e të cilat duket se do t’i shfrytëzojë Thaçi dhe PDK-ja e tij për t’i fituar zgjedhjet.

Dhe në fund, përgatitjen që është duke e bërë për të marrë postin e presidentit të shtetit, në një formë a tjetër, tregon se Thaçi, me çdo kusht është duke u munduar që t’u ikë shumë problemeve me të cilat është duke u ballafaquar çdo ditë e më shumë vendi, si me implementimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani me Serbinë, problemet e ndryshme sociale, skandalet e panumërta qeveritare, korrupsionin enorm, dështimin në luftimin e krimit të organizuar…

“Ikja” e tij në Presidencë, automatikisht do të nënkuptonte shpëtimin e vetvetes në njërën anë, dhe lënien e “patates së nxehtë” pasardhësit të tij, të cilit do të duhen vite e vite, vetëm për ta sjellë gjendjen në pikën zero…