UBT

Pse “Rruga e Kumanovës” s’po asfaltohet dhe po anashkalohet…?!

/ 6 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Thonë, pa qajt fëmija, nuk e merr nëna. Kjo është fakt. Fakti është edhe “problemi” i “Rrugës së Kumanovës”, e cila, si e tillë, është bërë e lodhshme jo vetëm për drejtuesit e makinave, por është bërë e lodhshme edhe për banorët e kësaj pjesë të qytetit. Pse, athua? Dihet, në kohë vere, si rrugë e paasfaltuar, nga ngasësit e makinave etj., këtu ngritet pluhuri gjer në qiell, ndërsa gjatë dimrit, këtu bëhet baltë dhe të duket se jeton në ndonjë vend jashtë qytetit.

Kjo rrugë, që nuk ka më shumë se 1 km e gjysmë gjatësi, e cila fillon nga varrezat e qytetit apo fusha e sportit edhe mbaron diku në jug kah pjesa e fshatit Livoçi i Ultë. Ama, nuk është rrugë periferike, por është rrugë në qytet, ku banorët e kësaj pjese po e thithin pluhurin që po hyn edhe brenda në shtëpi të tyre.

Andaj, këto ditë qershori, kur po mbretëron kohë e nxehtë, “stafi” komunal i qeverisjes së hajrit po bënë reklama se po asfalton disa rrugë në fshatin Miresh, Cërnicë e mese të tjera të kësaj komune, dhe por harron se, qyteti i Gjilanit ka edhe pjesë të tjera të paasfaltuar, të cilat nuk janë larg kësaj qendre të qytetit.

Dhe, vjen në shprehje fjala popullore: “Pastroje së pari oborrin tënd, mandej dil më larg”! Është për t’u habitur se si mund të ndodhë ky anashkalim i kësaj rruge të paasfaltuar?! Asfaltohen rrugë në disa mese të kësaj komune, që i cituam më lartë, e rrugët e qytetit, Gjilanit, pra, “Rruga e Kumanovës”, mbetet akoma paasfaltuar! Kështu, kjo rrugë fillon nga dera e hyrjes së varrezave apo fusha e sportit dhe përfundon kah Livoçi i Ultë.

Ndonëse para disa muajve është mbajtur një debat në hotelin “Kristal”, me temë “Infrastruktura në qytet”, ku ka prezentuar edhe i pari i komunës s. L. Haziri, problemi i rrugës u ngrit për diskutim se është rrugë e paasfaltuar, por edhe sot e kësaj dite, kjo çështje mbeti vetëm fjalë e jo veprim i realizuar në vepra. Edhe me një udhëheqës (kyç) të infrastrukturës është biseduar nëpër mjet të rrjetit social, përsëri përgjigja ishte se, kjo rrugë është në projekt. Do të thotë, projekti është në letër, rruga në fjalë ka mbetur e mjeruar dhe e shëmtuar për qytetarët që janë frekuentuesit e përditshëm të saj.

KKVITI

Mumin Aliu, qytetar i Gjilanit, njëherit shitës në marketin “Buci –B”, që është qytetar i kësaj lagjeje thotë se, premtimet nga udhëheqësit komuna kanë mbetur vetëm premtime. “Shihni, po duhet çdo ditë të hudhi ujë para marketit, sepse s’po mundem ta duroj pluhurin e kësaj rruge. Nuk di, por kjo pjesë e qytetit ka afro 200 shtëpi, ku numri i frekuentuesve është mjaft i madh në këtë rrugë të “gjallë”. Rruga është katastrofë, kur bie shi, bëhen vende të thella ku krijohen hendeqe të pakalueshme për makina e kalimtar. Askush nuk e qan kokën për këtë “mjerim” tonin”, – ka shtuar Aliu, qytetar i Gjilanit.

Por, ja ana tjetër e medaljes. Ditë më parë, kjo pjesë e qytetit ka fituar ndriçimin publik. Mandej, ka munguar uji, i cili vetëm në orët e mbrëmjes, qytetarët e kësaj pjese të qytetit kanë mundur të furnizohen me ujë. Por, para tri dite, edhe kjo “çështje” jetike është zgjidhur në të mirë të banorëve të kësaj pjese të qytetit. Banorët janë mirënjohës për këtë të mirë, e cila i ka këndellur uji mu në këto ditë të nxehta të ramazanit.

Por, “Rruga e “Kumanovës” në Gjilan, edhe sot e kësaj dite ka mbetur në gjendje të mjeruar apo kancer për qytetarët ë kësaj pjese të qytetit. Kjo rrugë nuk është diku në Zhegoc, as në Selishtë e as në Kurexhaj, por në qendër të qytetit, Gjilanit, e cila banorëve të kësaj lagjeje po i sjellë të këqinja: verës pluhur e dimrit baltë! /tefik selimi/rajonipress/