Pse po dështojmë në testin Pisa

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Nga Bekim Thaqi – Testi Pisa dhe rezultatet e dala, janë pasqyrim i gjendjes së përgjithshme në Kosovë, ku vlerat e përgjithshme shoqërore janë në rënie dhe me apo pa dashje është krijuar një sistem që nuk di të dallojë vlerën nga antivlera. Fatkeqësisht edhe njerëzit që merren me këtë çështje, nuk e kanë vullnetin por edhe kompetencën e duhur për ta bërë ndryshimin e që duhet dhe për ta orientuar arsimin në drejtimin dhe vendin e merituar.

Arsimi si një proces i edukimit pashmangshëm ka pësuar shumë ndryshime por edhe eksperimente, që në të shumtën e rasteve nuk kanë qenë të destinuara dhe të përshtatura për një mentalitet si ky i yni në Kosovë dhe nuk është transmetuar edhe si duhet qoftë nga ekipet që e kanë menaxhuar procesin e sjelljes së një ndryshimi, kurrikule apo eksperimentimi qoftë nga trajnerët në terren të cilët duke mos pasur njohuri të mjaftueshme nuk e kanë arritur qasjen mjaftueshëm deri tek mësuesit për t`iu transmetuar këto njohuri.

Shpeshherë edhe këto eksperimente janë bërë me qëllime të treta si përfitimi i kësaj apo asaj organizate që e ka bëre një plan apo kurrikulë dhe shpeshherë vetëm e ka kopjuar nga vendet perëndimore dhe skandinave duke mos bërë asnjë përshtatje për kulturën dhe mentalitetin tonë arsimor. Në shumicën e rasteve tentohen të arrihen rezultate të atypëratyshme duke mos marrë parasysh kohën dhe rezultatet afatgjate dhe strategjike.

Mobi Casa

Këto dhe shumë probleme të tjera në arsim si mosprofilizimi i duhur edhe në fakultete dhe mospërfshirja e programeve kurrikulare edhe si lëndë mësimore në fakultete kanë bërë që arsimi mos të mund të gjejë rrugën e drejtë për një sukses më të madh në këtë fushë.

Sistemi i vjetër i mësimdhënies dhe pamundësia e përdorimit të teknologjisë ashtu si duhet e ka rënduar edhe më tepër gjithë këtë dhe shmang lidhjen mes trinomit mësues- teknologji- nxënës.

Duhet sa më parë të bëhet një plan 10 deri 15 vjeçar dhe tek mbas 7 ose 8 viteve të maten rezultatet dhe të shihet nëse po funksionon apo jo. Nëse vazhdohet si deri më tani do të jetë e vështirë të ndryshohet diçka dhe të arrihen rezultate më të mira./rajonipress/