Eko Higjiena

Pse PDK është e para ?

/ 7 minuta lexim

Sepse aty janë edhe Azem Syla, edhe Petrit Selimi. Të dy i duhen PDK’së. Arsyet për këtë më së miri i di Kryetari i PDK’së, Hashim Thaçi.

Nuk ka asnjë fije dyshimi që Partia Demokratike e Kosovës aktualisht gjendet në majat e saj më kritike të zhvillimit të brendshëm. Këtë gjendje “kritike” të gjithë janë të lirë ta interpretojnë sipas mënyrës së tyre. Dikush e konsideron fatale, e dikush tjetër si një mundësi më tepër për ta thelluar epërsinë ndaj subjekteve të tjera politike. E vërteta, si zakonisht, është diku në mes. Nëse nuk shfrytëzohen mundësitë, atëherë vërtet kjo gjendje kritike mund të shndërrohet në fatale.

E tash po kthehem aty ku mbeta javën e kaluar, rreth dhe për Fatmir Limajn, si dhe për kritikat e tij për konceptin qeverisës. Thelbi i pakënaqësisë së tij janë pozitat e falura dhe të pamerituara në kabinetin qeveritar si dhe “cool-erizmi” si ‘life style’ brenda oborrit qeveritar.

Fillimisht shumë shkurt: Pozita të falura dhe të pamerituara brenda Partisë Demokratike të Kosovës ka pasur sa të duash edhe gjatë kohës kur Limaj ka qenë në kabinet qeveritar. Nëse Limaj nuk ka menduar për “pozita të falura” të personave që në emër të PDK’së janë ulur në Qeveri, por ka menduar që PDK’ja ua ka “falur disa pozita” partnerëve të koalicionit, atëherë ai është mirë ta sqarojë këtë. Siç e kam thënë edhe në vazhdimet e mëhershme, Limaj nuk është thjesht një anëtar i Kryesisë dhe nuk guxon të bëjë deklarata ambiguoze.

Sa i përket “cool-erizmit” si life style, kjo është thënë një herë dhe nuk është mirë të përsëritet në të ardhmen prej tij. Nëse je “cool” apo jo, kjo është çështje relative. Çka për mua është “cool” mund të mos jetë për dikë, dhe anasjelltas. Dikush që mua më duket “bal”, dikujt i duket “cool” dhe anasjelltas. Mirëpo para së gjithash, çka është tepër e rëndësishme një njeri mund të jetë “cool”, prej nga rrjedh edhe mbiemri “cooler”, e gjithashtu të jetë produktiv dhe tepër i vyeshëm për Qeverinë. Kurse në anën tjetër, dikush mund të mos jetë aspak “cool”, ose të mos jetë “cooler”, por të jetë tepër serioz, e gjë dreqit të mos i hyjë në punë.

Së këndejmi unë mendoj që jashtëzakonisht politikan “cool” është Kryetari i Londrës, Boris Johnson, e që gjithashtu, krahasuar me kandidatin republikan për President të SHBA-së, unë mendoj se Presidenti aktual Obama, është edhe “cool”, e edhe “cooler”, siç është i tillë edhe shefi i Facebook-it, Mark Zuckerberk. Pra të qenit cool apo cooler, është krejtësisht jorelevante dhe është krejtësisht çështje personale. Thjesht, Limaj, nëse e vazhdon këtë temë, ai po ecën nëpër akull tepër të hollë.

Mirëpo, ajo që më grish më shumë që të merrem është debati për pozitat e falura. Sipas Limajt, personave që u falen pozitat, përveç të tjerash më të papërgjegjshëm në punë, sepse nuk i japin llogari askujt. Do t’ia kisha pranuar këtë argument Limajt – edhe pse nuk do të isha pajtuar – nëse Limaj do të kishte reaguar në kohën kur ka qenë ministër, dhe kur edhe në atë kohë, sipas të gjitha standardeve që ne i njohim dhe i pranojmë mbi pozitat e falura, kanë ekzistuar ministra që as nuk kanë pasur vota të qytetarëve, e as pozita në parti. Por në atë kohë Limajn nuk e kanë penguar këto fenomene. Kurse, tash, këtë argument, as nuk ia pranoj, e normalisht as nuk pajtohem. Jo që nuk pajtohem se disa ministra nuk po punojnë, për kushedi se çfarë arsye.

Hidromorava

Jo që nuk pajtohem për shembull se ka ndonjë ministër, që eventualisht më shumë e shikon biznesin e tij privat, se sa punën në ministri, mirëpo mbi rastet e izoluara nuk duhet ndërtuar rregullat dhe ligjet. Posaçërisht PDK’ja nuk guxon ta vrasë idenë, që vazhdimisht e ka dalluar dhe vazhdon ta dallojë prej subjekteve të tjera politike. Nëse do të ishte për mbyllje, LDK’ja do t’i fitonte mbi 100 për qind të votave në secilën palë zgjedhje. Nëse do të ishte për uniformitet – edhe në uniforma e edhe në ide – VV gjithashtu do të ishte lidere politike absolute. Mirëpo, PDK’ja e bën këtu dallimin me të tjerët, është e kundërta e tyre. Pa kurrfarë paragjykimesh për asnjërin, mirëpo në PDK vigjilojnë edhe Azem Syla, e edhe Petrit Selimi. I pari, sipas të gjitha standardeve, i takon asaj shtresës së meritokracisë, kurse i dyti – potencialisht mund të konsiderohet si person me pozitë të falur. Mirëpo, a nuk ka qenë para nja 8 vitesh sikurse Petrit Selimi, edhe Enver Hoxhaj? Edhe Flora Brovina? Edhe Hydajet Hyseni? Rrustem Mustafa – Remi? E shumë të tjerë.

Ajo që dua të them është se do të ishte e gabueshme që meritokracia politike, sipas standardeve të Kosovës, të matej me meritokracinë politike të vendeve perëndimore. Ne po flasim për subjekte politike që nuk janë më të vjetra sesa nxënësit e klasës së 4 fillore dhe që edhe më tutje nuk është përmbyllur procesi i rekrutimit partiak. Prandaj, nuk do të duhej të ishte tepër relevante – për të mos thënë krucial – fakti se kush është në parti dy vjet, pesë apo dhjetë para tjetrit. E sidomos, kur po them se procesi i rekrutimit nuk ka përfunduar, partitë kanë nevojë që edhe nën gur të kërkojnë profesionistë të zanateve, në mënyrë që të dalin më mirë sesa oponentët.

Prandaj, edhe në këtë rast, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, është treguar jashtëzakonisht i zhdërvjelltë – krahasuar me oponentët politikë – kur valë pas vale i ka sjellë në PDK profilet e ndryshme të ekspertëve, që më vonë edhe i ka shpërblyer me pozita politike, mirëpo në të njëjtën kohë u ka rezistuar thirrjeve për t’u distancuar apo madje edhe për t’i luftuar disa prej figurave qendrore të PDK’së.

E tillë ka qenë përgjigjja e z. Thaçi, ndaj thirrjeve të miqve dhe të armiqve të Kosovës që ai ta “bindë” ose nëse nuk “bindet” ta shkarkojë z. Limaj nga pozita e ministrit, në kohën kur ndaj tij kishin filluar hetimet. Pak a shumë e ngjashme ka qenë përgjigjja e z. Thaçi, kur ai u rezistonte thirrjeve që të ballafaqohet me Kryetarin e Kuvendit, z. Jakup Krasniqi, në kohën kur ky i fundit po i shkaktonte kokëdhembje koalicionit qeverisës PDK-AKR. Për më pak arsye LDK’ja pati vendosur që të ballafaqohej me z. Daci. Epilogun pastaj e dini. E tillë ka qenë përgjigjja e z. Thaçi, kur ky ka refuzuar që të reagojë ndaj një numri të konsiderueshëm të zyrtarëve të PDK’së, që jo në pak raste do ta meritonin t’u tregohej dera.

Mirëpo, në disa raste ai edhe ka reaguar. Kujtojeni rastin Rrustemi dhe rastin Berisha, se cili ka qenë fati i këtyre dy personazheve, tregon fakti se pakkush do ta dini se për kënd bëhet fjalë.

(Autori është: Deputet i PDK’së në Kuvendin e Kosovës. Qëndrimet e shprehura në këtë kolumne janë personale.)